8 marsi tjetër, si festojnë gratë që nuk kanë ushqim për të shtruar një drekë me familjen e tyre

Të fundit

Jeta Pera
Jeta Pera
Jeta Pera ka studiur për Gjeografi në Universitetin e Tiranës, prej disa vitesh është aktiviste për të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri.

“Jemi shumë të forta, me të vërtetë shumë të forta. Unë duroj. Por asgjë nuk ndryshon këtu në barraken time. Po e vendos buzekuqin dhe nesër do dal atje në shesh për gratë”, tha Kela duke parë veten në pasqyrë kur ne pyetëm për forcën që kanë gratë.

Kela është një grua rome, nënë e tre fëmijëve e cila banon në një barrakë në zonën e Yzberishtit. Prej 20 vitesh jeton në Tiranë në kushte të vështira social-ekonomike. 8 Marsi këtë vit e gjen gjyshe për herë të dytë. Ndonëse banesa e saj është e sajuar me materiale të ndryshme dhe shpesh shiu i futet brenda, ajo nuk ngurron të të ftojë duke qëndruar e qeshur.

Duke u kthyer pas në kohë, Kela kujton se ditën e 8 Marsit derisa ishte e vogël nuk i kishte dhënë rendësi, jo vetëm se varfëria kish zënë rrënjët në familjen e saj, por sepse nuk e ndjente të ishte një festë. Ndryshe ndodhi kur ajo u rrit dhe u martua me bashkëshortin e saj.

“Më lindi dëshira t’i blija nënës time dhuratë për 8 Marsin, si dita e nënave që është. I bleva asaj një shami të bardhë por atë ditë bleva dhe një dhuratë për babin. Shkova në Fier në shtëpinë time dhe ia u dhurova,” tregon ajo me nostalgji për prindërit të cilët janë ndarë nga jeta.

Në jetën e saj të përditshme ajo kujdeset për mbesat, merret me gatimin dhe larjen e rrobave si dhe shkon në punë. Ajo pastron pallatet pranë zonës ku jeton dhe pas pune del edhe të mbledhë mbetje të riciklueshme. Puna për të është e rëndësishme jo vetëm sepse siguron disa të ardhura por të mos bëjë asgjë për të ndihmuar familjen nuk do i jepte kuptim gruas që ajo është.

“Më pëlqen kur shoh gratë e tjera që vishen bukur, mblidhen bashkë dhe dalin. Edhe unë i them vetes do dal por kur kujtoj hallet që kam 8 Marsi për mua është ti zë derën bashkisë. Thonë se do na heqin që këtu.

dhe do ngelemi jashtë fare. Njëherë mu luten gratë e punës për të shkuar për drekë por unë nuk kisha mundësi”, tregon Kela.

Vëmendja që iu jepet grave në 8 Mars do të dëshironte të ishte në problemet që ato kanë. Kela tregon se ënndrra e saj më e madhe është të ketë një banesë të re e të shohë fëmijët e saj të rregulluar me punë e shtëpi. Megjithatë kur vjen puna tek gratë e të drejtat e tyre, ajo tregon se angazhimi me aktivistet I ka ndihmuar të adresojnë problemet që kanë.

E vetëdijshme për situatën në të cilën ndodhet, Kela është falenderuese për harmoninë e saj në familje dhe marrëdhënien e mirë që ka me bashkëshortin.  Ajo tregon se ata nuk harrojnë ta urojnë për 8 Marsin, qoftë edhe me një lule apo sapun me aromë. Teksa ka dëgjuar lajmin së fundmi për vrasjen dhe dhunimin e 3 grave në vendin tonë, ajo e ka prekur nga ngjarja ndihet falenderuese që nuk ka përjetuar dhunë në jetën e saj.                           

“Shumë keq më erdhi për ato gra se jemi vetë gra, nëna e familjare! Disa grave nuk i mungon shtëpia, paratë, rrobat e bukura por mund të përfundojnë të vdekura. Unë nuk kam shumë gjëra por nuk kam frikë të rri në shtëpinë time. Na lajmeruan se do mblidhemi per gratë  në shesh do dalim për të drejtat tona dhe për gratë që nuk janë më”, thotë ajo për CRA.

Kelën nuk e mundon uji i ftohtë i depozitës teksa lan sytë në mëngjes, por uji që futet në batanije teksa jashtë bie shi është një moment i vështirë. Pajisjet elektrike që i shoqi i siguron me mund nga shitjet e hekurishteve nuk zgjatin shumë së punuari. Ato janë të përdorura dhe bien në masë e digjen nga lagështia.  Vështirësitë ekonomike ndonjëherë e lënë familjen e saj pa siguruar ushqimet e shportës, madje as ato të kujdesit për dy mbesat e vogla. Nga i ftohti dhe lagështira atyre iu duhet të marrin edhe ilaçe kur sëmuren. Paratë e fituara nga puna informale shpenzohen brenda ditës.

“Dëshira ime është që të shoh edhe nusen time të lumtur, të ketë një shtëpi të mblidhet me mbesat, kjo do ishte qetësia ime. Nuk kanë kushte ku të rriten, më shumë po sëmuren vajzat e vogla, nuk kanë ku të luajnë”, shprehet Kela.

Teksa zhvilllojmë intervistën pikat e shiut filluan të bjenë e ajo largohet të hapë plastmasin mbi cati dhe thotë “Çtë të them më shumë për 8 Marsin tim”.

Shiu vazhdon dhe ajo vazhdon së ëndërruari për një shtëpi, por e di që për këtë ëndërr duhet të ngrëjë zërin e saj…

Më të lexuarat