Shembull frymëzimi, si ia doli mësuese Mimoza që të kapërcente barrierat e diskriminimit etnik

Të fundit

Jeta Pera
Jeta Pera
Jeta Pera ka studiur për Gjeografi në Universitetin e Tiranës, prej disa vitesh është aktiviste për të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri.

“Bota është e bukur sepse është me ngjyra” kjo është një moto me të cilën nis ditën Mimoza nga Berati bashkë me fëmijët e saj teksa bëjnë rrugën drejt shkollës. Ndryshe nga roli i prindërit që i shoqëron fëmijët e saj ajo ka një mision të rëndëshëm për të bërë siç është posti i saj drejtues si nëndrejtoreshë e shkollës “Shkolla e mesme e bashkuar Shyqyri Lakra”

Kur ka qënë e vogël ajo ëndërronte të bëhej police, por me kalimin e kohës zbuloi prirjen e saj për të mësuar gjuhë të huaja. Ky moment për të vendosur çdo të bënte në jetën e saj nuk ka qënë i lehtë, teksa kushtëzohej nga kushtet ekonomike. Ajo iu drejtua nënës së saj “ Do të dërgosh në shkollë nëse unë e fitoj të drejtën e studimit” dhe kështu bëri deri sa aktualisht është e para grua egjiptiane që mban një post drejtues në shkollën.

Fëmijëria e Mozës ka qënë e bukur dhe e qetë teksa të gjithë i ishin nënshtruar jetës së diktaturës kur të gjithë shkonin mirë me njëri tjetrin dhe ndiheshin të barabartë. Por kjo ndjesi nuk zgjati gjatë kur sistemi u ndërrua dhe në mendjen e Mimozës filluan dilemat mbi përktësinë etnike kur ishte e vështirë të rrëfeje këtë gje teksa njerzit filluan të bënin dallime e të ofendonin “ata” ose “dorën e zezë” siç i quanin rëndomë romë dhe egjiptianët.

“Ne komunizëm ishim të gjithë të barabartë dhe jetonim në harmoni. Pas ndryshimeve të viteve ’90 njerëzit filluan të flisnin për njerëzit duke i cilësuar “dorë e zezë” apo “arixhinjtë” apo “dorë e bardhë”…Ndihesha keq kur dikush fliste dhe në bisede e sipër thoshte “ata “dhe u thosha po pse i thoni ashtu, çke ti më thoshin se kemi me ty..po unë kush isha? A isha një prej tyre? Këtu filluan dilemat e mia dhe gjithmonë mundohesha që kur shihja dikë në vështirësi ta ndihmoja”, rrëfen Mimoza.

Pavarësisht këtyre dilemave momenti më i bukur në jetën e saj ishte pikërisht rritja e saj profesionale, puna që e bën me aq shumë pasion e dëshirë. ” I them vetes ja dola… jam këtu prej punës, lodhjes, sakrificave” këtë i përsërit vetes vazhdimisht dhe shuan cdo dilemë, çdo dyshim të çdokujt që për shkak të përkatësisë etnike do të vendosë ne dyshim aftësitë e saj.

Është e rëndësishme që në jetë të jesh një shembull për fëmijet e tu dhe këtë ajo e ka bërë më së miri. Sfida më e madhe në gjithë rrugëtimin e saj është që të tjerët vendosin në dyshim kapacitetin e saj sepse fatkeqësisht paragjykimet e shoqërisë mbi një grup etnik janë lupa me të cilët shohin edhe vlerat që mbart dikush.

“E vërteta vonon por nuk harron..këtë i them vetes gjithmonë kur dikush është përpjekur të më vendosë shkopinj në rrota. Unë kam ecur para dhe me durim kam pritur rezultatet pozitive”, ky është mësimi më i mirë  që ajo ka marrë gjatë jetës së saj.

Nuk ka qenë e lehtë të arrijë këtu ku është por e përkushtuar në objektivat e saj ajo ia ka dalë dhe shijon frytet e punës nga përkushtimi dhe pasioni me të cilin e kryen profesionin e saj. Përveç profesionit ajo është një nënë e dedikuar pas familjes së saj. Ndërkohë që që mban këto role, ajo i dedikon kohë dhe grave të minoritetit rom dhe egjiptian për të mësuar të shkruajnë e të lexojnë.

Së fundmi me rastin e 8 Marsit ajo suprizoi njërën nga gratë rome në emisionin “E diela shqiptare” në rubrikën ‘ka një mesazh për ty’ ku u duk qartë ndihma dhe mbështetja që iu ka dhënë grave më vurnerabël. Historia personale e Mimozës frymëzoi publikun dhe mbështetja që iu jep atyre grave ishte mbresëlënse. Mimoza tregoi se mbështetja e gruas për gruan është mënyra më e mirë për të fuqizuar njëra-tjetrën.

Mimoza është ndër të paktat raste që përmes shembullit të saj jep një mesazh kaq të fuqishëm në media. Ajo është një grua e realizuar dhe arritjet e saj janë falë punës dhe përkushtimit të saj për të arritur aty ku ka dëshiruar. Të qënurit  me përkatësi egjiptiane nuk duhet të përbëjë aspak problem, përkundrazi duhet çmuar që ia ka dalë duke njohur sfidat e shumta me të cilat hasen gratë e minoriteteve në shoqërinë tonë.  Historia e saj frymëzon dhe motivon për të ndjekur shembullin e saj.

 

 

Më të lexuarat