Në shtëpi dhe shkollë bashkë, historia 35-vjeçare e çiftit Kullafi

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Fjona Çela

Jo vetëm jetën, por së bashku ndajnë edhe profesionin. Kjo është historia çiftit të mësuesve Caush dhe Zylfije Kullafi. Prej 40 vitesh ata ia kanë kushtuar jetën profesionit të mësuesit duke transmetuar dije ndër breza

“Unë po bëj 40 vite që ushtroj profesionin e mësuesit. Kam goxha vite mbi shpinë, por vazhdoj të kem energji dhe pasion për punën. Më është shtuar dëshira për këtë profesion, nuk dua të largohem nga shkolla. Edhe kur kaloj aty jashtë orarit të punës më duket si shtëpia ku banoj. Ky 7 Mars ishte shumë i bukur dhe emocionues. Fëmijët erdhën më shpejt se heret e tjera, na uruan me lule dhe kartolina të vogla, por shumë të veçanta dhe me mesazhe të fuqishme”-tregon profesor Caushi.

Edhe mësuese Zylfija, e ka nisur punën si arsimtare në moshë shumë të re.

“Unë kam filluar punë që në moshën 23-vjeçare. Për mua i gjithë rrugëtimi në këtë profesion është një eksperiencë shumë e bukur. Edhe sot pas kaq vitesh më duket ende si dita e parë e emërimit tim në punë. Çdo ditë falenderoj Zotin. Fëmijët na japin shumë kënaqësi. Ne kryejmë tre funksione, si mësues, si prindër por edhe si psikolog për nxënësit tanë. Këto tre parime janë kryesore për ne. 7 marsi është një nga ditët më të rëndësishme, që përkon edhe me hapjen e mësënjëtores së parë”-shprehet ajo.

Prej 35 vitesh mësuesit Caush dhe Zylfije Kullafi janë të martuar dhe të pandarë, pasi përveçse jetojnë në të njëjtën shtëpi, punojnë edhe në të njëjtën shkollë. Lidhja e tyre ka qenë aq e fortë sa nuk i rezistoi shikimit që shkëmbyen me njëri-tjetrin kur ishin të rinj, që do të ishte edhe pikënisja e historisë së tyre të dashurisë. Kjo ndjenjë kaq e bukur lindi mes tyre në shkollë, e po aty u rrit dhe forcua

“Në fillim të njohjes ne kemi punuar në shkolla të ndryshme, unë në fshatin Letëm në Librazhd, ndërsa Zulfija në fshatin e saj në Fushë Studen. Pikërisht këtu i kam besuar fatit. Jemi parë në afërsi të shkollës ku unë punoja. Ishte dashuri me shikim të parë, shkëmbeva një shikim me Zylfijen, më pas u lidhëm dhe vazhduam rrugëtimin tonë të gjatë deri më sot. Kur u martuam ajo u emërua në shkollën ku unë punoja, ka qenë Shkollë e Mesme e Bashkuar. Kemi punuar bashkë për 35 vite, që nga viti 1988 dhe ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer i joni, jo vetëm në jetë por edhe në fushën e profesionit”-rrëfen profesori.

“Njohja ime me profesorin ishte një rastësi. Mjaftoi një shikim dhe lidhja jonë ishte e shpejtë. Më 26 Mars 1988 ne u martuam dhe punuam bashkë. Unë u emërova mësuese në fshatin e Caushit. Nga ajo ditë e deri sot në vitin 2023, ne kemi punuar bashkë. Në punë kemi qenë gjithmonë kolegë dhe shumë korrekt karshi njëri-tjetrit. Sigurisht jeta na përball me të papritura, por nëse ka dashuri brenda, një çift arrin të përballojë gjithçka”-rrëfen me nostalgji mësuese Zylfija

Vendosja e një ekuilibri mes martesës dhe profesionit, për ta duhet se nuk ka qenë aspak e vështirë, pasi kanë ditur të balancojnë jetën personale me punën. Madje ata thonë se të qenët në të njëjtin profesion i ka ndihmuar edhe më shumë, pasi konsultohen për çdo gjë me njëri-tjetrin. Ja si shprehet mësuese Zylfija:

Na ka ndihmuar shumë fakti që kemi punuar në të njëjtin profesion. Për çdo temë e çdo problem që kemi, ne flasim, e ndajmë me njëri-tjetrin dhe gjejmë zgjidhjen më të mirë. Ka njerëz që na thonë si punoni dhe jetoni bashkë gjithë kohës. Për mua ka qenë shumë mirë kështu. Madje nëse nuk do të kisha Caushin, nuk do të ndihesha mirë. Nuk ështëaspak e mërzitshme, se jemi mësuar të rrijmë me njëri-tjetrin gjithë kohës dhe nuk e kemi problem fare”. 

 Të njëjtin mendim ndan edhe profesor Caushi, sipas të cilit fakti që ndan të njëjtin profesion me bashkëshorten është avantazhi dhe përkrahja më e madhe.

“Në të njëjtën shkollë kemi qenë edhe kur jetonim në fshat, në të njëjtën shkollë jemi edhe tani. Jemi me njëri-tjetrin kudo në shkollë në shtëpi, konsultohemi për çdo gjë bashkë. Në profesionin e mësuesisë unë do e këshilloja dhe ia vlen që të jenë bashkëshortë, sepse i ndihmon shumë për të ndarë çdo gjë me njëri tjetrin dhe për t’u konsultuar. Ndonjëherë ka ndodhur që mund të kemi pasur ndonjë debat që lidhej me punën, gjithmonë në të mirë të shkollës, por që e kemi zgjidhur dhe e kemi lënë aty. Natyrisht që bisedat tona në lidhje me shkollën dhe ecurinë për një proces sa më të mirë mësimor, i vazhdojmë edhe në shtëpi”- thekson profesor Caushi.”

Për çiftin e mësuesve Caush dhe Zylfije Kullafi, ky është 7 marsi që festojnë për të 35-tin vit radhazi krah njëri-tjetrit. Që prej vitit 1988 dashuria dhe profesioni i ka bashkuar në të njëjtin vend pune, për të qenë të pandarë, si në në jetë ashtu edhe në profesion.

  • Tags
  • 7

Më të lexuarat