Nuk ka infrastrukturë, mijëra të verbër dhe para/tetraplegjikë mund të mos votojnë

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Fjona Çela

Sot nis zyrtarisht fushata për zgjedhjet vendore të 14 majit. Teksa 1 muaj na ndan nga këto zgjedhje, grupet e margjinalizuara, veçanërisht ata me aftësi të kufizuara, e shohin shumë shqetësuese situatën, sa i përket mungesës së kushteve për ta në qendrat e votimit. Rreth 19 mijë persona që bëjnë pjesë në kategoritë e para/tetraplegjikëve dhe të verbërve, rrezikojnë të mbeten pa votuar. Sipas tyre, shkak është mungesa e kushteve minimale për personat me aftësi të kufizuara.

Përfaqësues nga shoqata e të verbërve dhe shoqata humanitare e invalidëve para/tetraplegjikë, janë ata që ngritën zërin të parët për këtë fenomen, duke thënë se prej vitesh përballen me të tillë situatë, por nuk gjendet asnjë zgjidhje.

Ali Plaka, kryetar i Shoqatës Humanitare të para/tetraplegjikëve, Dega Tiranë, thotë se në qendrat ku kryhen votimet, ka mungesë rampash, ç’ka ua pamundëson lëvizjen këtyre kategorive, duke i penguar rrjedhimisht edhe të votojnë.

Ali Plaka, kryetar i Shoqatës Humanitare para/tetraplegjikë, Dega Tiranë

Ali Plaka, kryetar i Shoqatës Humanitare para/tetraplegjikë

“Si do të votoj unë? Të tjerët votojnë kollaj se hipin në shkallë, po unë si do të hipi kur nuk ka as rampa asgjë? Unë personalisht në të gjitha votimet që janë kryer, kam votuar shumë pak herë. Kjo për shkak të kushteve. Janë punët e tyre si i rregullojnë kushtet. Për ne KQZ-ja dhe Bashkia, se janë të lidhura më njëra-tjetrën. Para 10 ditësh kam qenë tek KQZ-ja dhe më janë përgjigjur që është kompetencë e Bashkisë Tiranë. Kjo Bashki duhet të kishte bërë me kohë rampa për ne që nuk jemi të aftë të ecim. Sipas ligjit madje çdo institucion duhet të ketë rampë. Ne para/tetraplegjikët e kemi shumë të vështirë të lëvizim, nuk futemi dot nëpër institucione me mjetin lëvizës”- shprehet ai.

Ali Plaka thotë se janë rreth 6000 invalidë që i përkasin kësaj kategorie, të cilëve u rrezikohet e drejta e votës pasi nuk ka kushte, ndaj i bën thirrje institucioneve të reagojnë.

“Jemi një muaj para zgjedhjeve dhe nuk janë angazhuar të na plotësojnë kushtet minimale. Po nuk pati rampa nuk votoj, ta dijnë mirë. Ku të futem që të votoj, si të hyj? Janë rreth 6000 mijë persona invalidë në Shqipëri, më shumë se 2000 invalidë para/tetraplegjikë janë vetëm në Tiranë dhe fshatrat e Tiranës, pjesa tjetër në rrethe. Të gjithë ne i bie që nuk kemi të drejtë vote, na mohohet vota duke mos na krijuar kushte për të votuar. Por kur ne na mohohet votimi, atëherë çfarë presim nga ky vend? Nëse është kështu, për ne le të zgjidhet kush të dojë kryeministër, president e çdo past tjetër, kur nuk kemi votuar nuk e njohim, nuk na përfaqëson se ne nuk e japim votën tonë. Ne po na cënohen të drejtat tona, po na cënohet e drejta e votës. I kërkojmë Bashkisë së Tiranës, KQZ-së dhe kryeministrit, të ndërhyjnë menjëherë. Nëse invalidët kaën kushte për të votuar, atëherë tërhiqem unë, por jam i përgjegjshëm për këto që po them, se asnjë vit nuk ka pasur. Këtë vit nuk dijmë çfarë do bëhet me ne dhe si do të votojmë- shprehet Plaka.

Madje nëse nuk ka kushte, ditën e votimeve protesta do të jetë alternativa e vetme për ta.

“Deri në grevë urie do të futemi nëse nuk votojmë. Na mohohet e drejta jonë, nuk na jepet e drejta që na takon me ligj. Atëherë ditën e votimeve ne do të protestojmë, nuk do të votojmë- paralajmëron kryetari i Shoqatës Humanitare të para/tetraplegjikëve, Dega Tiranë.

E njëjta problematikë ngrihet edhe nga të verbërit. Procesi i votimit është sfidë më vete edhe për ta. Sajmir Farrici, kryetar i Shoqatës së të Verbërve, thotë se për të verbërit nuk ka as kushtet më minimale dhe as mjete ndihmëse për të votuar.

Sajmir Farrici, kryetar i Shoqatës së të Verbërve

“Kërkojmë ndihmën e çdo institucioni për të patur një jetë sa më të aksesueshme. Duke qenë se jemi në prag të zgjedhjeve, problematika më e madhe është se janë kushte krejtësisht të pamundura për personat e verbër, që të mund të votojmë në mënyrë të lirë dhe të pavarur. Me ligj në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në ligjet e tjera për të drejtën e votimit, të verbërit kanë të drejtë ashtu si çdo qytetar të zgjedhin dhe të zgjidhen. Në këto kushte ku jemi sot, në zgjedhjet që na presin, të verbërit nuk kanë as më të voglën mundësi për të votuar në mënyrë të pavarur. Ne kemi votuar në vitet e mëparshme, por kemi qenë me shoqërues dhe vota nuk ka qenë me vullnetin tonë të plotë, por aty ku na ka orientuar shoqëruesi. Duke qenë se në të gjithë botën janë krijuar mjete ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara për të votuar në mënyrë të pavarur, që janë shabllonet, pse mos të vihen në punë edhe tek ne?”

Ai thotë se shabllonet janë aty, por nuk janë vënë asnjëherë në funksion.

“KQZ-ja i ka krijuar shabllonet, edhe tek ne ekzistojnë, por nuk i vënë në funksion. Në vitet e mëparshme kam qenë në vëzhgim me OSBE-në, i kam parë që në qendrat e votimit shabllonet ishin aty, por askush nga komisionerët nuk e dinte për çfarë duheshin, ishin në inventarin e tyre dhe nuk përdoreshin. Ne kemi kërkuar që në këto votime të verbërit të trajnohen paraprakisht sesi ata mund ta përdorin shabllonin dhe të votojnë, e nga ana tjetër ne kërkojmë që komisionerët të jenë të trajnuar për të na mundësuar ne të verbërve që të votojmë në mënyrë të pavarur”shprehet ai.

Të verbërit janë të shqetësuar se në ditën e zgjedhjeve, nuk do të mund ta ushtrojnë të drejtën e votës.

“I kemi adresuar këto shqetësime tek KQZ-ja por ende nuk kemi ende asnjë përgjigje. Kjo situatë na shqetëson tej mase sepse jemi në prag të zgjedhjeve dhe janë rreth 13 mijë të verbër që duhet të ushtrojnë të drejtën e votës dhe në këto kushte ndoshta do të na duhet të mos e ushtrojmë këtë të drejtë për të votuar. Jemi në një pikë kritike dhe ka ardhur koha të themi që nëse nuk na krijohen kushtet e duhura për të votuar, nuk do të votojmë”- thekson kryetari i Shoqatës së të Verbërve.

Në lidhje me këto problematika, përfaqësues nga shoqata e të verbërve dhe shoqata e invalidëve para/tetraplegjikë, kanë protestuar përpara Bashkisë Tiranë, duke denoncuar mungesën e rampave dhe kushteve të tjera që u pamundësojnë të votojnë dhe duke kërkuar nga Bashkia të marrë masa. Sipas tyre për shkak të mungesës së kushteve rrezikojnë të mbeten pa votuar rreth 19 mijë persona me aftësi të kufizuara.

Më të lexuarat