Nga Fjona Çela
Familjet Rome dhe Egjiptiane të cilat prej vitesh jetojnë në Shqipëri, kanë qenë në përpjekje të vazhdueshme për t’u integruar dhe socializuar në shoqëri. Megjithatë, problematika të shumta shoqërojnë këto minoritete dhe përgjithësisht shtresat e margjinalizuara. Papunësia, të ardhurat e pamjaftueshme, vështirësia për integrim në shoqëri etj. vijojnë të mbeten një plagë e madhe sociale për ta. Por në krye të shqetësimeve të tyre qëndrojnë problemet me strehimin.
Në fakt, strehimi konsiderohet e drejtë njerëzore themelore e ruajtur në marrëveshje dhe traktate ndërkombëtare. Kjo pasi kur individi ka strehim të sigurt, edhe nevojat e tjera jetësore, si punësimi, edukimi, ekonomia etj, janë më të realizueshme. Por shtresat e margjinalizuara në vendin tonë, vuajnë mohimin e kësaj të drejte themelore. Studime e raporte të ndryshme tregojnë se Romët dhe Egjiptianët janë veçanërisht të rrezikuar në këtë drejtim, për shkak të përjashtimit të shumëfishtë. Madje konsiderohen si komunitetet më vulnerabël në Shqipëri që përballen me diskriminim, kryesisht lidhur me marrjen e shërbimeve të ndryshme, mbrojtjen sociale, shëndetësinë, punësimin dhe strehimin e përshtatshëm.
Këto problematika, pavarësisht se janë prezente prej vitesh, duket se janë lënë disi në hije edhe nga politika. Në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, kjo tematikë me interes për grupet e margjinalizuara në shoqëri, veçanërisht romët dhe egjiptianët, është trajtuar në “Community Voice”, me kandidatët për kryetar bashkie të Tiranës.
I ftuar në podcastin “Community Voice”, ku foli në lidhje me fokusin e tij për grupet vulnerabël, kandidati i opozitës për bashkinë e kryeqytetit Belind Këlliçi, u ndal edhe në çështjen e strehimit. Veçanërisht ai foli për taksën 3% të bashkisë aktualE, duke thënë se paratë e grumbulluara prej saj, nuk dihet se ku kanë shkuar.

“Përsa i përket strehimit, bashkia aktuale vendosi një taksë 3% për strehimin social për të cilën askush nuk di të japë një përgjigje se ku ka shkuar. Pra, 170 milionë euro që janë mbledhur nga kjo taksë apo sipërfaqja që është marrë nga Bashkia për këtë taksë, kush është strehuar, kush ka përfituar? A mund ta dijmë? Dakord, i mblodhi bashkia 170 milionë euro, vendosi këtë taksë se ka patur një boom ndërtimesh këto vite në Tiranë, po çfarë është bërë me këto parà? Kush familje janë sistemuar në Tiranë? Cilët janë ato kryefamiljarë që kanë përfituar? Nga ana tjetër, janë bërë shpronësime janë bërë projekte? Po. Me çfarë vlere janë dëmshpërblyer qytetarët? Çfarë ka ndodhur me qytetarët?”-janë pikëpyetjet që ngre Belind Këlliçi, kandidat për kryetar Bashkie në Tiranë.
Ai u ndal edhe tek largimet me dhunë dhe shembjet nga projektet e bashkisë, nga të cilat sipas tij shumë banorë kanë mbetur në qiell të hapur, pa iu ofruar asnjë zgjidhej nga bashkia aktuale.
“Në muajin dhjetor unë kam qenë në një rast të paprecedentë, me një denoncim të banorëve të pallateve tek rruga “Myslym Keta”, ku ishte hera e parë që banorët ishin dakord me projektin, dakord me idenë që duhet të zhvillohej në pronën e tyre një projekt për ndërtimin e një kompleksi rezidencial të madh, por e vetmja gjë që donin të dinin ishte se ku do të shkonin, sa gjatë do të rrinin me bonus qiraje, në cilën zonë do të ishin, kur mbaronte projekti, sa metra katrorë do të merrnin dhe ku do t’i merrnin? E vetmja gjë që donin ishte të shkonte dikush nga bashkia e Tiranës, të ulej me ta, t’i sqaronte, të firmosnin një kontratë dhe të vazhdonin, pra nuk ishin kundër projektit. Ajo që ndodh është që nxirren jashtë banorët me gaz lotsjellës, që në fakt këtë praktikë e ka vuajtur më shumë nga të gjithë komuniteti rom dhe egjiptian, kapen forcërisht, fillimisht i shkon policia bashkiake për t’i nxjerë jashtë, pastaj policia e shtetit. Nxirren nga banesat e tyre, flaken në rrugë dhe më pas u mbyllet dera dhe askush nuk u jep përgjigje. Tani edhe kur shkon emigrant, shteti tjetër që nuk e ka as për detyrë, të jep një strehë dhe ushqim, derisa të marrë zgjidhje çështja jote. Ndërkohë në Tiranë, bashkia vetë qytetarin e saj, rezidentin e Tiranës, e dëbon nga shtëpia me gaz lotsjellës, me dhunë, me shkopinj gome, rreh fëmijët, të moshuar, i nxjerr nga shtëpia e tyre, i shemb dhe shtëpitë bashkë me rroba brenda siç ka ndodhur tek 5 maji apo në Laprakë e në Unazë të Re, dhe më pas i mbyll dhe derën. Kjo është sjellje çnjerëzore.”-shprehet Këlliçi.

Në lidhje me çështjen e strehimit ka folur edhe nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Anisa Ruseti. E ftuar në “Community Voice”, ajo ka sqaruar se çfarë është bërë deri më tani me paratë e grumbulluara nga taksa 3% e bashkisë.

“Paratë e mbledhura nga taksa janë të gjitha në Bashki. Nuk kanë lëvizur sepse edhe me ligj është e pamundur që t’i tjetërsosh, sepse ato janë brenda programit të strehimit social dhe është një taksë e cila në gjykimin tim i ka ardhur në ndihmë buxhetit të strehimit social dhe zbatimit të tij. Kishim dy mundësi: t’i mblidhnim këto lekë pak nga pak dhe të mund t’i ‘keqprojektonim’ për atë çfarë është nevoja jonë më e madhe, ose ajo çfarë ne realisht kemi bërë si administratë, të mblidhnim përgjatë këtyre 4 viteve, të kemi arritur në akumilimin e 1.9 miliardë lekëve për të ndërtuar një program të mirëfilltë të buxhetuar, të targetuar, të vlerësuar, për të ndërtuar rreth 250 mijë metra katrorë, që ne gjykojmë se do i vijnë në ndihmë 2500-3000 familjeve. Këtu do përfshihen të gjitha programet, edhe familjet e Selitës, edhe familjet që do preken nga rehabilitimi i lumit të Lanës te Pallati me Shigjeta, edhe rehabilitime të tjera. Kjo duke u siguruar si fillim që për çdo projekt apo çdo ndërhyrje, familjet të jetojnë me bonus qiraje, deri në momentin që do marrin një strehim social apo një strehim definitiv, të sigurohen që do marrin bonusin e qirasë dhe vetëm kur të përfitojnë shtëpinë e tyre i humbet e drejta për bonusin e qirasë. Por buxheti dhe programi është i gjithë aty. Ne kemi një program shumë të qartë se ku do i ndërtojmë këto banesa, madje duam që të ndërtojmë edhe një model ndryshe nga banesat sociale që janë tani, sepse do donim të evitonim pak variantin e getos, që të gjithë familjet në nevojë mblidhen dhe jetojnë aty.”- u shpreh Ruseti.
Nënkryetarja e bashkisë foli edhe mbi punët që ka bërë dëri më tani bashkia e Tiranës për strehimin e shtresave në nevojë.
“Ne nuk jemi limituar asnjëherë vetëm me pagesën cash që marrin familjet me ndihmë ekonomike apo personat me aftësi të kufizuar. I kemi bashkëshoqëruar këto programe të mbrojtjes sociale edhe me shërbime sociale. Sot në Bashkinë Tiranë funksionojnë 8 qendra komunitare ku marrin shërbim më shumë se 3500 persona, të cilët ndonjëherë kanë nevojë për vaktin e ngrohtë, ndonjëherë për shërbime terapeutike, për mbështetje psikosociale, për detyrat e shtëpisë për fëmijët që vijnë nga familje me vështirësi social-ekonomike, apo kryesisht familjet rome dhe egjiptiane.
Ne i kemi dhënë fokus padyshim strehimit, dhe kjo ka qenë shtylla dhe themeli ynë për ngritjen e të gjitha shërbimeve të tjera. Ka qenë një nga vendimet tona të para dhënia e banesave sociale për 385 familje që e kishin të pamundur të gjenin një shtëpi në tregun e lirë apo të paguanin qiranë. Nëse nuk i siguron një strehim të qendrueshëm familjeve, është tejet e vështirë t’i kërkosh atyre që të integrohen në tregun e punës, ta kenë të lehtë t’i çojnë fëmijet e tyre në çershe, kopshte apo shkolla, të mund të fuqizojnë familjet nga ana social-ekonomike, ndaj ne e nisëm me strehimin si terreni kryesor nga ku duhej ta fillonim. Paralelisht me banesat sociale, kemi ndihmuar më shumë se 2100 familje me bonusin e qirasë i cili është një program i përkohshëm.
Përsa i përket lagjeve te 5 maji, në Ndroq, në Vaqarr, në Zall Herr etj. kanë të bëjnë me procesin e rindërtimit, pra janë për familjet të cilat janë prekur nga tërmeti dhe kanë një dokumentacion të caktuar në lidhje me pronën që ata kanë poseduar më përpara. Ndërsa program tjetër i strehimit që ne duam të adresojmë, jo vetëm për familjet e komunitetit rom dhe egjiptian port ë gjitha familjet në Tiranë që preken nga një projekt publik apo kanë nevojë për një strehim, kanë të bëjnë me planin tonë të strehimit që planifikojmë ta vendosim në zbatim përgjatë mandatit të tretë, dhe jemi duke folur këtu për taksën e 3%-ëshit, ajo që është për të gjitha banesat që janë mbi 2 mijë metra katrorë të ndërtuara në territorin e Tiranës”-deklaroi Anisa Ruseti.