Erdelezi, origjina e kësaj feste dhe pse është kaq e rëndësishme për romët

Të fundit

Jeta Pera
Jeta Pera
Jeta Pera ka studiur për Gjeografi në Universitetin e Tiranës, prej disa vitesh është aktiviste për të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri.

Pas Ditës Ndërkombëtare në 8 Prill edhe 6 Maji është një ditë e shënuar për minoritetin Rom. Për pjesën më të madhe të shqiptarëve kjo është dita e Shën-Gjergjit, por për Romët quhet dita e Erdelezit. Kjo ditë e shënuar nuk festohet vetëm në Shqipëri, por në çdo familje rome në të gjithë botën. Kjo është një nga ato ditë, ku nëse kalon pranë banesave të tyre nuk të lenë pa ftuar e t’i bashkohesh festës, pasi është pjesë e traditës që dyert janë të hapura për mysafirë.

Dita e Erdelezit është një festë pagane, por me kalimin e viteve ritet në këtë ditë janë trashëguar ndër breza. Pa lindur dielli gratë e familjes, e sidomos gjyshet kujdesen që të këpusin degë nga pema e ullirit dhe grurë nga kallishtet e sapo çelura dhe i vendosin në dyert e shtëpive në shenjë mbarësie. Çdo vit ata ndërrojnë degët e vjetra me të reja për të sjellë mbarësi në familjet e tyre.

Një rit tjetër që e bëjnë kryesisht ata që banojnë pranë lumënjve është larja në lumë, ndërsa të rinjtë vajza e djem beqarë mbledhin bizhuteri në një enë me ujë nga tri burime të mbulura me pëtale trëndafili. Kjo ditë shënon përfundimin e dimrit dhe fillimin e stinës së pranverës, fillimin e lëvizjeve dhe ngjarjeve të reja në jetët e tyre.

Zanafilla e kësaj dite e cila mori formën e një feste të dashur i ka rrënjët në një legjendë të vjetër. Në një studim Grimca Etnografie “Aspekte të Kulturës, Historisë dhe Traditës Rome në Shqipëri” legjenda e Ederlezit rrëfehet kështu:

“Qysh më kanë treguar të parët e mi, historia është kështu. Ishte një kucedër që kishte bllokuar burimin e fshatit dhe e kishte lënë pa ujë, sepse kucedra e pinte vetë. Burimi i ujit vinte nga mali dhe në ata vend, ku rrinte dhe kucedra. Të gjithë banorët e fshatit kishin frikë nga kucedra dhe asnjë nuk guxonte ta vriste. Një ditë, dalin dy cuna si trima këta, përta vrarë kucedrën. Njëri ishte nga fisi i Meckarëve dhe tjetri nga fisi i Kaubuxhinjve. Prandaj festohet ng ate dy palet dita e Erdelezit. Dhe këta nisen të drejt malit ku ishte fshehur kucedra, të pjisur me mjete të forta, si me shtizë, me hark, me mburojë. Kur arrijnë në mal përtë vrarë kucedrën fillojnë luftimin me të. Pas shumë orësh luftim, ata arrijnë të vrasin kucedrën dhe kështu zhbllokohet burimi i ujit”.(Lelaj &Kaciu, 2012,22)

Festimet në këtë ditë janë ndër më të bukurat dhe të vecantat. Instituti i Kulturës Rome, (IRCA) i përshkruan ato si më poshtë; “Një nga lojrat më karakteristike është loja e ekuilibrit ( ose zhamballës) që luhet midis një burri dhe një gruaje, duke u ngritur dhe rrotulluar njëkohësisht. Kjo lojë për romët nënkupton se të paktën në ditën e shënuar të Shën-Gjergjit burri dhe gruaja janë të barabartë. Rreth e përqark janë spektatorë që festojnë e presin rradhën në içft.”

Kënga tradicionale rome i kushtohet pikërisht ditës së Erdelezit ( Shën-Gjergjit) dhe ka marr për titull emrin e festës e cila shoqërohet nga kërcimi rom “oro”( në gjuhën rome “rreth”) që rrjedh nga “horah” në hebraisht nënkupton kërcimin rreth. Muzika e bukur rome e Erdelezit kombinohet me kërcimin rreth “oro” si për të celebruar bashkimin midis romëve dhe ardhjen e pranverës së shumëpritur për ta.

 

 

 

Më të lexuarat