Siguria e gazetarëve në Shqipëri, a mund të jetë zgjidhje statusi?

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Siguria e gazetarëve, të drejtat e tyre, ndoshta një status apo ndryshime ligjore të mundshme për të forcuar mbrojtjen dhe lirinë e tyre të shprehjes janë vetëm disa nga çështjet që herë pas here, kur ndodh që gazetarë sulmohen apo stigmatizohen, dalin në qendër të opinionit publik.

Rasti i gazetares së Fax News në Vlorë Afrovita Hysaj e cila u kërcënua me jete nga pronari i televizionit 6+1 Vlora, Albert Deliaj, solli sërish në vëmendje sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e fjalës.

I cilësuar si “pushteti i katërt” në një sistem demokratik, në shumë raste media të caktuara por edhe gazetarë të ndryshëm në Shqipëri kanë rënë pre e sulmeve. Këto sulme kanë qenë si fizike, me rrahje apo dhunime të gazetarëve deri në gjymtim të tyre, por shumë më të shpeshta kanë qenë edhe sulmet verbale, intimidimet apo kërcënimet që bëhen si nga politika, bizneset, apo edhe aktorë të botës së krimit.

Duke qenë se mbi mënyrat e mbrojtjes së gazetarëve dhe lirisë së shprejes apo rritjes së sigurisë ndaj tyre edhe Brenda komunitetit të gazetëarëve ka kundërshti dhe debate, CRA intervistoi 4 gazetarë nga media ta ndryshme në vend për të parë pikëpamjet e tyre në lidhje me këtë çështje.

A DUHET NJË STATUS PËR GAZETARËT?

Kanë qenë jo të pakta rastet kur gazetarët kanë rënë pre e sulmeve dhe si zgjidhjeve është propozuar një status për gazetarin që nga ata që e përkrahin si ide, shikohet si “ombrellë” për gazetarët dhe lirinë e tyre të shprehjes.

Julian Hoxha, redaktor në syri tv dhe Isa Myzyraj gazetar në Ora News janë të mendimit se një status gazetar, më shumë do të sillte dëme për gazetarët se sa të mira.

Julian Hoxha, redaktor në Syri TV

“Çështja e statusit në fakt ka qenë nje diskutim i hershëm mes komunitetit të gazetarëve. Ka dy mendime, ata që kërojnë të ketë një Urdhër Gazetari dhe ata që janë kundër këtij. Unë personalisht, si gazetar, shpesh i përfshirë në shoqatat e mediave, jam i mendimit se më shumë se një status (rregullim ligjor), na duhet më shumë vetërregullim, vetë disiplinim. Unë mendoj se i rri shumë ngushtë rregullimi ligjor profesionit të Gazetarit, përsa kohë vetë ky profesion ka në thelb lirinë e fjalës, lirinë e veprimit, lirinë e kërkimit, investigimit, publikimit madje edhe të vetëçensurimit. Pra, nëse ne do të fillojmë ta fusim në hullinë e ligjit, kam bindjen se do të bënim një vetëvrasje profesionale pasi ligjërisht do t’u jepim autoritet (qoftë dhe minimal) institucioneve të caktuara për të kontrolluar këtë profesion”, shprehet Julian Hoxhaj që në idenë e tij mëshon më tepër tek vetërregullimi këtij profesioni se sa tek rregullimet me ligje.

Në të njëjtën linjë është edhe Isa Myzyraj, që thekson se statusi në një profesion si gazetaria, mund të kthehet edhe në një rrezik për lirinë e fjalës.

Isa Myzyraj-Gazetar Ora News

“Është shumë e vështirë që ta lidhësh statusin ligjor të gazetarit me sigurinë e tyre. Rregullimi i profesionit të Gazetarit me miratimin e një statusi është një rrugë e rrezikshme, një rrugë e cila nuk ka asnjë siguri, asnjë të vetme që mund të rezultojë efektive. Të rregullosh gazetarinë me ligj është ta kornizosh atë, e ta kornizosh fjalën e lirë është ta godasësh në mënyrë frontale demokracinë. Gazetaria është një profesion  parregulluar dhe si i tillë duhet të mbetet”, thekson mes të tjerash Myzyraj.

Ndërkohë, Raziela Myslimaj dhe Eskiola Shehu gazetare në Euronews Albania, shikojnë anët pozitive që mund të sjellë në punën e një gazetari statusi dhe rregullimi juridik i këtij profesioni.

Raziela Myslimaj.-Gazetare Euronews Albania

“Media në Shqipëri përveçse mbetet një nga sektorët më problematikë sa i takon informalitetit, pagës dhe respektimit të të drejtave të punonjësve, gazetari vihet përballë presioneve të vazhdueshme që cënojnë drejtëpërdrejtë integritetin profesional të tij dhe profesionalizmin e lajmit që përçon”, deklaron për CRA Raziela Myslimaj.

Gazetarja Eksiola Shehu e shikon statusin si një mburojë për gazetarët përballë rreziqeve dhe vështirësive që paraqiten në punën e përditshme.

 

Eksiola Shehu-Gazetare Euronews Albania

“Mendoj se duhet të ketë një status për gazetarët në mënyrë që t’i ndihmoj ata përballë pasigurisë apo trajtimit shpeshherë të padrejtë që ju bëhet në punën e përditshme”, thotë Shehu për CRA.

GAZETARËT PËRBALLË SULMEVE

Me status ose me ndryshime ligjore dhe vetërregullim, debati do të vijojë, ashtu siç për fat të keq i pritshëm është edhe vijimi i sulmeve të të gjitha llojeve ndaj gazetarëve. Këtë konfirmim në prononcimin për CRA e japin të 4 gazetarët që ne iu kemi drejtuar të njëjtën pyetje: “Si ndikojnë këto raste në punën e përditshme të një gazetari? A e vështirësojnë këto raste punë e tyre?”

Redaktori Hoxhaj thekson se rreziku është prezent për të gjithë gazetarët, por vë theksin tek reporterët e rretheve që në disa raste janë më të pambrojtur se sa gazetarët që punojnë në Tiranë.

“Unë mendoj se ka probleme të mëdha sa i përket sigurisë së gazetarëve, ata jane çdo ditë të ekspozuar nga risqe të ndryshme të dhunës fizike, verbale etj. Janë të shumta rastet edhe gjatë kohëve të fundit, ku kolegët tanë gazetarë janë përballur me dhunë, janë kërcënuar, intimiduar apo vetëçensuruar. Si gazetar terreni, jam përballur vetë në të shkuarën ndaj të tillave situata, ndërsa sot si drejtues i redaksisë së rretheve në syri tv, kam raportime të vazhdueshme nga kolegët për probleme të natyrës kërcënuese. Në shumicën e rasteve shkak i kërcënimeve apo intimidimeve janë bërë raportimet e kolegëve për çështje që lidhen me krimin e organizuar, organizata kriminale, raportime të natyrës investigative etj”, nënvizon Julian Hoxhaj.

Ndërsa për gazetarin Isa Myzyraj dhuna dhe presioni ndaj gazetarëve duhet parë më tepër në dëmin që shkakton jo vetëm në punë e tyre, por edhe në lajmet që gazetarët prodhojnë kur bie pre e dhunës apo edhe presioneve. Sipas tij në shumë raste, për shkak të mungesës së sigurisë, gazetarët detyrohen që për çështje të caktuara të mund të mos bëjnë transparencë të plotë.

“Në Shqipëri gazetarët janë zero të sigurtë të përditshmërinë e tyre. Gazetarët dalin në punë çdo mëngjes pa e ditur se nga kush do të marrin “goditjen “ e radhës, nga politikani arrogant, nga drejtori i një institucioni, nga qytetarët e thjeshtë, nga biznesmenët, grupet kriminale apo më keq akoma nga zyrtarët e zbatimit të ligjit. Dhuna e cila ushtrohet nga këta të fundit ndaj gazetarëve është alarmante, dhe këtu përfshihet dhuna verbale, psikologjike dhe herë herë edhe fizike. Rastet e dhunës verbal e fizike ndikojnë negativisht në jetën e gazetarit në përformancën e tij, por edhe në demokracinë e vendit, pasi një Gazetar i intimiduar e i dhunuar është një sulm ndaj fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit”, shprehet mes të tjerash Isa Myzyraj për CRA.

Ndërsa për gazetaren Raziela Myslimaj, lidhja biznes-politikë-media në shumë raste i kushtëzon gazetarët që përballë presionit dhe hedhjes në rrugë si i papunë çedojnë në misionin e tyre.

“Për sa kohë media, politika dhe biznesi do të vijojnë të jenë ngushtësisht të lidhura me njëra tjetrën, dhe shpesh herë duke i shërbyer interesave të përbashkëta, gazetari jo vetëm që nuk do të jetë kurrë plotësisht i lirë të veprojë, pyesë dhe investigojë, por do të vazhdojë, siç ndodh akutualisht, të kërcënohet me vendin e punës. Që do të thotë se siguria e tij shpesh herë varet nga mos-tejkalimi i vijës së kuqe të vendosur nga 3 faktorët, media, politika dhe biznesi. Ndonëse nuk do të duhet të ndodhte kështu, raste të tilla me të cilat jemi hasur shpesh herë në terren të bëjnë të mendosh dy herë shkeljen e “vijës së kuqe” dhe rrjedhimisht ndikon në punën tënde cilësore si gazetar”, u shpreh gazetarja Myslimaj.

Për gazetarën Eksiola Shehu përveç dhunës dhe presioneve, në shumë raste gazetarët bien pre edhe një klime shtypëse që vjen nga trinomi politikë-biznes-media.

“Fakti që gazetarët nuk kanë një ‘kushtetutë’ që mund t’i mbrojë përballë abuzimeve nga eprorët janë të rrezikuar çdo ditë për t’u indimituar apo akoma më keq larguar nga vendi i punës. Media është biznes dhe në fund të ditës ka interesat e saj, që janë përtej interesave të gazetarëve, për fat të keq. E si rrjedhojë fakti i sulmit ndaj kolegëve gazetarëve të ndikon, jo drejtpërdrejtë por tërthorazi në terrenin e përditshëm”, deklaroi Eskiola Shehu.

SA MBROHEN GAZETARËT NGA SHOQATAT

Përveç alarmit që ngrenë për shkak të mungesës së mbrojtjes dhe presionit të vazhdueshëm me të cilin përballen çdo ditë, 4 gazetarët e intervistuar nga CRA shikojnë me tonë shumë kritike edhe punën që bëjnë shoqatat që në misionin e tyre kanë mbrojtjen e gazetarëve dhe të lirisë së shprehjes.

“Fatkeqësisht të gjtha organizatat e gazetarëve dhe mediave në Shqipëri kanë dështuar në përmbushjen e misionit të tyre. Ky dështim veç të tjerash ka ardhur nga mungesa e qartë e vullnetit të këtyre organizatave për të përmbushur misionin e tyre. Duke qëndruar fiktivisht si organizata ata e kanë dëmtuar gazetarinë, pasi “puna” e tyre duket më shumë është për të prishur punë sesa për të mbrojtur gazetarët”, deklaroi Isa Myzyraj që shprehet mjaft kritik mbi organiztat aktuale që si mision kanë mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve.

Për Julian Hoxhajn mungesa e efektshmërisë së shoqatave të gazetarëve vjen për shkak të mënyrës së financimit të tyre.

“Shoqatat e gazetarëve në Shqipëri janë shpesh institucione varësie, ose pas projekteve të ndryshme ndërkombëtare ose drejtues të tyre në një mënyrë apo tjetrën e kanë një lidhje në konflikt interesi me pushtetin. Sot në Shqipëri nuk ka asnjë shoqatë me vetëfinancim (kuotë anëtarësimi) nga punonjësit e medias, e cila mund të funksiononte si sindikatë e pavarur. Nëse kjo organizatë do të ekzistonte, me siguri gazetarët do të kishin një hapësirë lirie apo një zëdhënës të vetin për t’u përballur qoftë me punëdhënësit e qoftë me shtetin në çdo aspekt”, nënvizoi Hoxhaj.

Gazetarja Eksiola Shehu, shprehet se në eksperiencën e saj, deri më tani nuk ka parë një rezultat konkret të këtyre organizatave kur gazetarë të caktuar kanë qenë në vështirësi.

Me thënë të drejtën deri më tani nuk kam parë ndonjë produkt konkret të këtyre organizatave. Fakti që shpeshherë janë sulmuar jo vetem verbalisht, por edhe fizikisht gazetarë në disa qytete të vendit dhe nuk ka pasur ndonjë nismë konkrete për t’ju përgjigjur, personalisht i shoh të padobishme”, tha Eksiola Shehu për CRA.

Ndërsa për Raziela Myslimajn, problemi i shoqatave për mbrojtjen e gazetarëve është se ato nuk arrijne t’i imponohen pronarëve të medieve në rastet kur i shkelin të drejtat e punonjësve të tyre.

“Për sa kohë këto organizata nuk arrijnë t’i imponohen tregut mediatik për të siguruar respektimin e të drejtave të gazetarëve, duke nisur nga paga, orët e gjata të punës, presionin e drejtëpërdrejtë apo indirekt për respektuar interesa të caktuara, puna e tyre do të mbetet vetëm në kuadër deklarativ”, u shpreh Raziela Myslimaj.

 

 

 

Më të lexuarat