Raporti i BE-së për Shqipërinë: Ka ende sfida për Romë dhe Egjiptianët

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Fjona Çela

Komisioni Europian ka publikuar progres raportin e Shqipërisë për vitin 2023, ku ka nxjerrë në pah disa nga sfidat kryesore me të cilat hasen grupet e margjinalizuara në vendin tonë. Në këtë raport fokusi vihet re tek përfshirja sociale, aksesi në kujdesin shëndetësor, sfidat në arsim, papunësia, mungesa e strehimit etj.

Akses i kufizuar i shërbimeve shëndetësore për grupet vulnerabël

Ndër grupet e përfshira në raport janë edhe pakicat rome/egjiptiane, si kategori që vuajnë më së shumti mungesën e shërbimeve dhe diskriminimin në fusha të ndryshme. Duke u ndalur në aspektin shëndetësor që përbën edhe bazën për jetën e individit, raporti vëren se gratë që jetojnë në zonat rurale, gratë rome dhe egjiptiane si dhe individët LGBTIQ+ përballen me akses të kufizuar në kujdesin shëndetësor parësor dhe në shërbimet e kujdesit shëndetësor seksual dhe riprodhues. Edhe pse për pabarazitë shëndetësore, përcaktohet se zbatimi i strategjisë së kujdesit parësor shëndetësor 2020-2025 duhet të sigurojë akses më të mirë në shërbimet e kujdesit shëndetësor për komunitetet vulnerabël duke i dhënë atyre përparësi, kjo ende lë shumë për të dëshiruar. Edhe pse ka pasur një rritje të lehtë të numrit të romëve dhe egjiptianëve në vendbanimet informale që përfitojnë nga shërbimet shëndetësore, raporti vëren se posti i themeluar së fundmi i ndërmjetësuesit shëndetësor rom dhe egjiptian nuk është ende funksional dhe ata vazhdojnë të përballen me barriera në aksesin e shërbimeve shëndetësore. Thënë kjo, mbulimi me sigurim shëndetësor për romët dhe egjiptianët mbetet i ulët.

Dhuna dhe përfshirja sociale

Gjithashtu në raport vërehet edhe dhunë me bazë gjinore dhe sipas raportit kuadri ligjor aktual nuk përputhet plotësisht me standardet ndërkombëtare dhe i mungon fokusi në riintegrimin dhe aksesin në shërbime për viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës. Aktualisht, ekzistojnë mekanizma referimi vendor për raportimin e dhunës me bazë gjinore në të 61 bashkitë e vendit, por raporti vlerëson programet e rehabilitimit dhe riintegrimit për gratë vulnerabël duhet të përforcohen dhe nevojite ende një buxhet i dedikuar shtetëror dhe burime të tjera.

Sa i përket përfshirjes sociale të pakicave rome dhe egjiptiane evidentohet një përparim i kufizuar. Sipas raportit të BE, kapaciteti institucional i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila koordinon politikat në lidhje me romët, mbetet e dobët. Po ashtu, pjesëmarrja e romëve dhe egjiptianëve në administratën lokale duhet të përmirësohet dhe koordinimi ndërministror, ​​kombëtar dhe vendor për përfshirjen e romëve duhet të forcohet më tej.

Sfidat në arsim, papunësi e strehim

Duke u ndalur edhe tëk një tjetër sfidë, sidomos për të vegjlit e këtyre komuniteteve, raporti vlerëson se fëmijët romë dhe egjiptianë vazhdojnë të përfitojnë nga bursat dhe programet e arsimit me kohë të pjesshme, si dhe nga tekstet shkollore falas dhe transporti për në shkollat ​​e largëta, por segregacioni në shkolla mbetet një çështje që duhet të adresohet në mënyrë sistematike. Por nëse ndalemi në shifra, vihet re se pjesëmarrja e fëmijëve romë dhe egjiptianë pati një rritje të lehtë në arsimin parauniversitar (13.499 në 2022-2023 kundrejt 13.086 në 2021-2022), por u ul në arsimin e hershëm të fëmijërisë (2.150 në 2022-2023 kundrejt 2.514 në 2021 -2022). Por sa i përket arsimit të lartë, BE vëren se masat e planifikuara për të lehtësuar aksesin në universitete si sistemi i kuotave dhe heqja e tarifave universitare, në përgjithësi nuk po zbatohen, ndaj nevojiten përpjekje më të mëdha për të përmirësuar koordinimin ndërmjet niveleve lokale dhe qendrore që në arsimin parashkollor.

Çështje të rëndësishme të adresuara dhe ngritura shpesh si shqetësim edhe në “Community Reporters Albania” janë papunësia dhe mungesa e strehimit për pjesëtarët e këtyre komuniteteve. Sigurisht që ky realitet i hidhur nuk mund të mbetej jashtë këtij raporti, i cili vëren se shkalla e përgjithshme e punësimit të romëve dhe egjiptianëve mbetet shumë e ulët. Ndërkohë sa i përket strehimit, romët dhe egjiptianët vazhdojnë të përfitojnë kuotën 5% nëpërmjet zbatimit të ligjit për strehimin social. Situata e banesave mbetet një sfidë e rëndësishme për shkak të kushteve shpesh të këqija të jetesës dhe mungesës së dokumenteve të pronësisë. Qasja në dokumente personale është përmirësuar për të dy komunitetet. Megjithatë, pengesa të tjera si mungesa e aftësive dixhitale dhe aksesi në teknologji vazhdojnë t’i pengojnë romët dhe egjiptianët të gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre dhe të kenë akses në shërbimet publike, të cilat po digjitalizohen gjithnjë e më shumë. Një tjetër shqetësim është fakti se fëmijët nga komuniteti rom dhe egjiptian janë veçanërisht të cenueshëm ndaj trafikimit. Në raportin e BE vlerësohet se përpjekjet kundër trafikimit duhet të rriten, veçanërisht duke forcuar kapacitetin e policisë kufitare për të identifikuar dhe referuar rastet e trafikimit në shërbimin e prokurorisë dhe duke forcuar sistemin e mbrojtjes së fëmijëve, teksa riintegrimi i suksesshëm mbetet i vështirë sepse mbrojtja thelbësore e shtetit, kujdesi dhe shërbimet sociale janë të pamjaftueshme.

Pas miratimit të planit të ri kombëtar të veprimit 2021-2025 për barazinë, përfshirjen dhe pjesëmarrjen e romëve dhe egjiptianëve në Shqipëri, në vitin 2023 janë trajnuar punonjës nga institucione të ndryshme, për sërish kapaciteti institucional i 102 MSHP, përgjegjës për koordinimin e politikave të lidhura me romët, mbetet i dobët për sa i përket burimeve njerëzore, evidentohet në raport. Sipas këtij të fundit, romët dhe egjiptianët vazhdojnë të përballen me sfida të lidhura me aftësitë në tregun e punës, teksa një pjesë e konsiderueshme e të papunëve të regjistruar për ndihmë ekonomike nuk kanë përfunduar arsimin fillor, ndaj shihet me rëndësi përmirësimi i përfshirjes së romëve në vendet e punës në administratën publike.

Rekomandimet

Në përbyllje, raporti i BE nënvizon se ka pasur vetëm përparim të kufizuar në rekomandimet e vitit të kaluar, të cilat mbeten relevante, ndaj duhet bërë një progres i rëndësishëm për të zbatuar qasjen, sidomos në çështjet që lidhen me shëndetin. Ndaj raporti i BE-së i rekomandon Shqipërisë që në vitin e ardhshëm të garantojë akses të barabartë në shërbime shëndetësore cilësore për popullsinë vulnerabël, duke përfshirë minoritetet rome dhe egjiptiane, të moshuarit, personat me probleme paraekzistuese të shëndetit mendor, personat me aftësi të kufizuara, popullsinë rurale ose të largët, veçanërisht për gratë dhe vajzat që i përkasin këtyre grupeve, të cilët shpesh u nënshtrohen formave të shumta të diskriminimit.

 

Më të lexuarat