24 qershori shënon një ditë të rëndësishme për pakicën kombëtare egjiptiane në vendin tonë. Në këtë datë festohet Dita Kombëtare Egjiptiane, e shënuar në Shqipëri në kujtim të Asamblesë së parë të Egjiptianëve të mbledhur në 1990 në Ohër.

“Kjo datë nuk ka lidhje me historikun apo ndonjë datë historike të ambasadës së Egjiptit ose të shtetit të Egjiptit , por ka lidhje me Egjiptianët e Ballkanit për përpjekjet e tyre. Ata sollën këtë datë e cila do të festohet ose do të përkujtohet nga brezat si dita e kësaj pakice”, shprehet Arjan Lile përfaqsues i pakicës Egjiptiane në Komitetin e Pakicave Kombëtare në Shqipëri.
Ai e quan këtë minoritet, shoqërinë më të vjetër dhe revulucionare sepse solli ndryshime në disa fusha të jetës në vendet ku u vendos. Sipas tij, origjina e minoritetit egjiptian është nga Egjipti i lashtë që në kohën e faraonit Ramses II rreth 18 shekuj para eres sonë. Ndonëse elementë të kulturës dhe traditës të kësaj pakice janë asimiluar ende ka familje të cilat ruajnë me fanatizëm profesione, tradita e veshje që i trashëgojnë ndër breza. Punimi i hekurit apo koveçët, punimi i baltës, muzikantët gjenden dhe ruhen ende në familjet egjiptiane.
Ashtu si edhe pakicat e tjera edhe egjiptianët ankohen për raportimet e Censusit të 2011 për numrin e anëtarëve, ku kjo pakicë në Shqipëri raportohet në një numër të ulët krahasuar me konstatime që aktivistë dhe organizatat kanë.
“Nëse numri i pakicave do të ishte më i lartë kjo do të thotë detyrime për shtetin shqiptar. Shqipëria ka modele për përfaqësim të pakicave mirëpo ulja e numrit të tyre dhe rezultatet e Censusit bënë që pakica Egjiptiane të ngelet në nivele të ulëta të përfaqësimit” vijon Arjani mbi shifrat e ulëta të Censusit të vitit 2011.
Sipas Censusit të 2011, numri i pakicës Egjiptiane rezulton në 3368 anëtarë në vendin tonë, një shifër kjo e cila kundërshtohet bindshëm nga një studim i organizatës Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome e cila përmez zhvillimit të një census për pakicën egjiptiane në Elbasan dhe Korcë numëroi 13 749 anëtarë të pakicës egjiptiane. Megjithatë ka pretendime të organizatave që numri i kësaj pakice në vendin tonë të jetë rreth 300 mijë anëtarë të pozicionuar gjeografikisht kryesisht në Tiranë, Korçë, Elbasan, Shkodër.
“Nëse numri ynë rritet, jo artificialisht por nga vetëdija etnike, pra që në të vetëdeklarohemi pa frikë si egjiptianë do të shikojmë që shteti do të vendoset përpara ca detyrimeve ligjore për të riparë strategjitë për këtë pakicë”, shprehet Lile.
Fakte historike
Faktet historike, gojëdhënat dhe evidencat arkeologjike dëshmojnë mbi ekzistencën e popullatës me origjinë Egjiptiane në Ballkan që në shekullin e XIII-XII p.e.s. Sipas studiuesit Rubin Zemon, Faraonët Egjiptianë, ishin në kërkim të hekurit pasi kjo periudhë koinçidon me fillimin e periudhës dhe revolucionit të hekurit dhe filluan të importojnë hekur nga vendet afër Egjiptit, por gjithashtu edhe nga rajone më të largëta sic është Ballkani. Revolucioni i hekurit, kërkimi dhe eksporti i rezervave të hekurit, është ndoshta edhe arsyeja pse Faraoni Rames i II-të dërgoi ekspedita në bregdetin e Mesdheut dhe gadishullin e Ballkanit. Pas vdekjes së Ramesit të II-të, Egjipti, që deri atëherë kishte qenë një fuqi e madhe, hyri në një periudhë rënie dhe kjo ishte një nga arsyet pse Egjiptianët nuk u kthyen në Egjipt. Një sërë tempujsh të Isis dhe perëndive të tjera Egjiptiane që janë ruajtur në rajonin e Ballkanit shërbejnë si evidencë arkeologjike e egzistencës në Ballkan të popullsisë me origjinë nga Egjipti.
Identiteti dhe gjuha
Identiteti etnik i Egjiptianëve të Ballkanit humbi rëndësinë e tij gjatë Perandorisë Osmane pasi në atë kohe iu dha më shumë rëndësi identitetit fetar. Për pasojë, gjuha Egjiptiane humbi. Më vonë, gjatë shekullit XIX, paragjykimet raciale dhe steriotipet për Egjiptianët, të cilët në të njëjtën kohë kishin status të ulët social-ekonomik, ishte e pamundur të shmangeshin.
Kultura and traditat
Pjesëtarë të komunitetit Egjiptian kanë aftësi të spikatura si farkëtarë, të cilat ato i kanë trashëguar brez pas brezi. Egjiptianët e Ballkanit kanë qenë vendosur në zonat ku nevojitej të përpunohej hekuri si dhe minerale e metale të tjera. Kjo popullsi ka muzikantët më të shquar dhe virtuozë të muzikës popullore. Instrumentet më të përdorur janë klarineta, daullja etj.
Përpjekjet për njohjen e komunitetit Egjiptian në Shqipëri
Përpjekja e parë për të njohur Egjiptianët si komunitet i veçantë u drejtua fillimisht nga shoqatat Egjiptiane në Maqedoni dhe më vonë në vendet e tjera të Ballkanit. Procesi i prezantimit të një identiteti Egjiptian si unik u bë i dukshëm në Shqipëri, në vitin 1992, kur u formua edhe shoqata e parë Egjiptiane në Korçë (28 Qershor 1992). Pas shumë përpjekjesh të organizatave dhe aktivistëve egjiptianë u arrit që përmes Ligjit për Pakicat Kombëtare nr 96/2017 Egjiptianët të njihen si pakicë kombëtare në Shqipëri.
Sfidat dhe Problemet
Anëtarë të pakicës Egjiptiane hasen me probleme të ndryshme socio-ekonomike që lidhen me nevojat për strehim social, arsim, shërbim shëndetësor dhe mosdiskriminim. Ajo cfarë është vënë re ndjeshëm 2 vitet e fundit është diskriminimi që i bëhet kësaj pakice nga figura publike në media. Përdorimi i termave pexhorativë dhe ofenduesë ka nxitur reagimin e aktivistëve dhe organizatave të cilat e kanë adresuar këtë fenomen në instucionet përgjegjëse audiovizive por edhe tëk Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Disa prej personazheve kanë kërkuar ndjesë publike por të tjerë janë gjobitur. Diskriminimi është një fenomen i cili shpesh pengon edhe punësimin e të rinjve nga kjo pakice.