SHIFRAT/ Bie interesi i të rinjve shqiptarë për të punuar dhe për t’u arsimuar

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Fjona Çela

Rinia është periudha më energjike e jetës së njeriut, gjatë së cilës individi ka mundësitë dhe energjitë e nevojshme për të investuar në shkollim e karrierë. Por duket se të rinjve shqiptarë nuk u pëlqen as shkolla e as puna. Të paktën kështu tregojnë të dhënat e fundit të INSTAT për mirëqenien e adoleshentëve për vitin 2021, sipas të cilave popullsia që përfshin moshën 20-24 vjeç, nuk bën asgjë për t’u formuar nga pikëpamja profesionale, duke mos ndjekur as arsimin, as punën por as ndonjë trajnim.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se sipas nivelit arsimor, papunësia te grupmosha 15-29 vjeç, është më e lartë për ata me arsim të mesëm, që përbën 25.3% dhe më pak për arsimin 9 vjeçar me 18.9% dhe atë të lartë me 18.7%. Edhe pse në Shqipëri tradicionalisht janë meshkujt ata që ‘sigurojnë’ ekonominë apo gjenerojnë më shumë të ardhura, nëse i referohemi të dhënave për nga gjinia, papunësia rezulton të jetë më e lartë tek meshkujt.

Edhe shifrat e Eurostat, tregojnë se të rinjtë shqiptarë zënë vendin më të lartë të të papunëve në Europë. Rënia e shkallës së papunësisë fillon që pas moshës 25 vjeç. Megjithatë edhe për grupmoshën 15-29 vjeç, situata është problematike në këtë aspekt. Të rinjtë shqiptarë gjithnjë e më shumë po zgjedhin të largohen nga vendi, por edhe ata që janë të punësuar në Shqipëri, janë në shifra tepër të ulëta krahasur me vendet e rajonit. Në 3-mujorin e fundit 2022 të dhënat e INSTAT treguan se shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç ishte 21,5%. Në krahasim me mesataren europiane prej 6.3%, sipas raporteve të Eurostat, shkalla e papunësisë tek të rinjtë shqiptarë është mëse tre herë më e lartë. Treguesi është më negative për Shqipërinë në këtë aspekt, nëse krahasohet me vendet e tjera të rajonit. Në Europë Shqipëria është i vetmi shtet që ka shkallën e papunësisë tek të rinjtë mbi 20%.

PAPUNËSIA TEK GRUPMOSHA 15-29 VJEÇ
Shqipëri Më shumë se 20%
Maqedoni e Veriut 13.8%
Serbi 8.6%

Për periudhën tetor-dhjetor 2022, papunësia pati rritje me 5,1 %. Konkretisht në këtë periudhë numërohen plot 75,050 persona të moshës 15-29 vjeç të papunë.

Eksperti i punësimit Erion Muça, shprehet se koncepti i të rinjve për angazhinin në punë ka pësuar ndryshim, duke i bërë ata të tregohen më selektivë ndaj mundësive të punësimit.

“Të rinjtë nuk pranojnë më të punojnë sepse janë bërë më analitikë ndaj punës që duan dhe rrjedhimisht i filtrojnë mundësitë që i ofrohen. Ata zgjedhin punën e denjë dhe jo shfrytëzimin e mbuluar në forma praktikash internshipesh dhe seminaresh. Ata nuk pajtohen me mungesën e mbështetjes dhe pagat e ulëta për një punë nga e cila jepet shumë dhe merret shumë pak. Të rinjtë nuk pranojnë më profile pune kalimtare por ato që u mundësojnë një profesion dhe shërbejnë si pikënisje e tij. Të rinjtë kërkojnë mjedis komod dhe kompani me një kulturë organizative të spikatur që të ndihen të përkrahur dhe stimuluar. Të rinjtë kërkojnë mundësi për rritje dhe promovim professional, gjë që përgjithësisht në shumë kompani e gjejnë pak ose aspak”-shprehet Muça

Referuar kontrastit që ka mes shifrave të larta të papunësisë nga raportet, dhe kërkesave të bizneseve për të punësuar individë, eksperti i punësimit rendit disa arsye.

“Papunësia dhe kërkesat e larta nga ana e sipërmarrjeve nuk përputhen pasi ka një hendek shumë të lartë mes formimit e arsimit dhe natyrës apo profileve të punës që kanë nevojë sipërmarrjet. Ndërkohë që bizneset kërkojnë punëtorë me arsim dhe formim elementar për punë të thjeshta, masa e krahut të punës është me arsim të mesëm e të lartë dhe nuk i preferon punët e ofruara. Së dyti është interesi i ulët, pasi shumica e mundësive për punë trajtohen me pagën minimale e cila është e pamjaftueshme për të nxitur interes. Kushtet dhe infrastruktura e brendshme e kompanive nuk është e standartizuar që të mundësojë rritje të brendshme profesionale për ta apo meritokraci. Mungesa e sistemeve të matjes dhe vlerësimit të performancës dhe eficencës në punë sjell një zhgënjim të lartë kur punonjësit nuk marrin atë që realisht u takon. Ndërtimi i perceptimit në treg që shumë kompani kanë një qasje negative ndaj punonjësve lidhur me trajtimin e tyre pengon shumë punonjës t’i preferojnë ato. Mosrespektimi i kontratës së punës 100% dhe mosqendrimi apo ndryshimi i kushteve rrugës është një tjetër arsye e papëlqyeshme për punonjësit. Puna jashtë orarit apo mbingarkesa e papaguar bën që shumë profesionistë të tërhiqen nga mundësitë që ofrohen në treg.”

Eksperti jep edhe disa sygjerime.

“Situata mund të përmirësohet përmes ndërtimit të një sistemi të identifikimit dhe kultivimit të prirjeve dhe talentit që në klasë të 8-të, ndërtimi i një oferte kombëtare për punë, e cila do të përbënte të vetmen ofertë të mundësive për punë të tregut vendas dhe rrjedhimisht të jetë pikë referimi për punëkërkuesit të insertuar në një platformë unike. Të rritet dhe zhvillohet emancipimi i sipërmarrjeve dhe promovohet më shumë përmirësimi që po pësojnë drejt standartizimit dhe modernizimit të brendshëm, sidomos lidhur me motivimin e punonjësve. Kompanitë të jenë korrekte ndaj respektimit rigoroz të kontratës së punës me punonjësit. Të evidentohen mundësitë për punë në vend dhe të ndërhyjë shteti me një model unik të nevojave kombëtare, si mund të plotësohen ato me të papunët, si mund të nxiten të rinjtë e papunë të dekurajuar të aktivizohen, si mund të plotësohen përmes dypunësimit apo kontratave të shërbimit, apo si të gjenden në rast nevojash shtesë punonjës nga jashtë. Të fillojë të funksionojë meritokracia në punësim dhe promovim vetëm mbi bazë profesionalizmin. Bizneset dhe kompanitë të ndërtojnë mekanizmat sesi të shpërndajnë në mënyrë shumë objektive fitimin e shtuar neto që kanë në formën e rritjes së pagave dhe paketave të shpërblimeve për punonjësit. Të rishikohet niveli i pagave për shumë sipërmarrje e sipas mundësisë të rriten progresivisht ato në raport të atillë që të gjitha palët të jenë të kënaqura.”-sygjeron eksperti i punësimit, Erion Muça.

Analfabetizimi në rritje, të rinjtë braktisin edhe arsimin

Sektori më i madh ku investohet në kapitalin njerëzor është arsimi, por sipas të dhënave treguesit kanë pësuar përkeqësim. Përveç mosangazhimit në punë, tek të rinjtë brasktisja në nivele të larta të arsimit bazë, është kthyer në fenomen tejet të përhapur dhe shume negativ. Përgjatë viteve të fundit vihet re një tendencë shumë e lartë e shqiptarëve, veçanërisht moshave të reja, për t’u larguar nga vendi. Dëshira për të jetuar e punuar jashtë Shqipërisë, duket se po i mban ata jo vetëm larg tregut të punës, por edhe larg shkollës. Braktisje të lartë të arsimit bazë dhe rikthim analfabetizmi në nivele të frikshme tregojnë të dhënat e INSTAT, sipas të cilave 8% e grupmoshës 6-14 vjeç do të jenë analfabet pa aftësitë bazë. Sipas raportit, fenomeni i braktisjes së shkollës që u rrit gjatë pandemisë u përforcua edhe më tej gjatë vitit 2021 në vend që të ulej nga kthimi në normalitet.

Siç vihet re nga shifrat e mësipërme, viti 2021 ka shënuar rënie të ndjeshme të regjistrimeve në arsimin bazë 9-vjeçar, si nga meshkujt ashtu edhe nga femrat. Në 2017-ën numri i regjistrimeve në ciklin e arsimit të detyrueshëm ishte 97,4% për meshkujt dhe 96,5% për femrat, ndërsa në 2021-shin këta tregues shënuan ulje në 94,4% për meshkujt dhe 89,5% për femrat. Në fshatrat e thella të vendit shkollat mungojnë ose mësimi është i organizuar me klasa kolektive me një rënie drastike të cilësisë.

Nga një studim i fundit i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal del në pah se Shqipëria ka përqindjen më të madhe të braktisjes së hershme të arsimit krahasuar me vendet e rajonit.

Sipas të dhënave, në vitin 2021 rreth 17% e popullsisë së moshës 18-24 vjeç nuk ishin duke ndjekur as arsim e as ndonjë trajnim. Përqindja e lartë e të rinjve pa asnjë angazhim në arsim ishte rreth tre herë më e lartë se mesatarja europiane.

Në Bosnje vetëm 4.7% e të rinjve 18-24 vjeç nuk ishin as në arsim as në trajnim, në Malin e Zi, 6.7% në Maqedoninë e Veriut 4.6% dhe në Serbi 6.2%. Numri i të rinjve që largohen herët nga arsimi ka rënë në shumicën e ekonomive të Ballkanit Perëndimor në 2021, edhe pse mbetet nën mesataren e Bashkimit Europian, 9.7% në 2021. Por Shqipëria është vendi që përbën përjshtim nga ky rast, pasi fenomeni i braktisjes së arsimit mbetet i lartë, e madje ka shënuar rritje në krahasim me vitin 2020.

Ana Llazo, eksperte arsimi, sqaron për CRA se cilët janë disa nga faktorët që kanë ndikuar në rritjen e analfabetizmit dhe braktisjen e shkollave në vendin tonë. Sipas saj kryesore janë kushtet social-ekonomike, por edhe cilësia e sistemit arsimor në vendin tonë.

 “Në Shqipëri rritja e analfabetizmit ndodh për shkak të disa rrethanave dhe arsyeve ku ndër më kryesoret janë: varfëria dhe kushtet e vështira ekonomike kryesisht në zonat rurale. Shkaku ekonomik është i lidhur ngushtë me shkaqet sociale, përfshirë këtu edhe cilësinë e shërbimit arsimor. Niveli i ulët arsimor prindëror është një tjetër shkak, pasi kushtet i detyrojnë njerëzit të merren me mbijetesën e tyre më shumë, sesa me kujdesin për arsimimin e fëmijëve. Ky fenomen vihet re veçanërisht tek të rinjtë pjesatarë të komunitetit rom, të cilët kanë mungesë  integrimi pasi kanë lëvizur herë pas here dhe kanë qenë të përjashtuar nga ana sociale.”-shprehet Llazo.

Sipas saj në shumë shkolla kushtet lënë për të dëshiruar. Teksa jep sygjerimet e saj, ekspertja e arsimit tregon edhe disa metoda që sipas saj do të ndikonin në ulje të analfabetizmit.

“Kushtet jo të favorshme në shkolla janë problem më vete. Këtu vlen të përmendet mësimi në klasa kolektive dhe me prani të shumë nxënësve, si dhe infrastruktura, ku distanca nga shëpia në shkollë është e largët dhe mungon transporti. Shqipëria duhet të fokusohet së pari në arsimimin e të rinjve dhe së dyti në cilësinë e arsimimit. Metodat që do të ndikonin në uljen e analfabetizmit janë vetë arsimimi, informimi dhe komunikimi për shkaqet dhe pasojat që sjell analfabetizmi, ndikimi i grupeve shoqërore (familja, komuniteti), si dhe ngritja e kapaciteteve edukative nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Arsimit.”- thekson Ana Llazo.

Për të rinjtë pagat nuk përmbushin as nevojat bazë, ndaj zgjedhja për ta është largimi nga vendi, çka e vërtetojnë edhe shifrat e migracionit, të cilat dëshmojnë se me mijëra të rinj kanë kërkuar azil në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit 2022. I shëndërruar tashmë si “profesion” i së ardhmes, emigracioni po përkeqëson më tej kapitalin human. Një sondazh nga Këshilli i Investimeve tregon se pagat e ulëta dhe mosrespektimi i kushteve të punës nga kompanitë shqiptare janë arsyeja kryesore që shtyn të rinjtë shqiptarë të mos punojnë, ndërsa ndër arsyet pse ata janë të pakënaqur nga vendet e punës, renditen mundësitë e pakta për t’u rritur në karrierë, kultura e punës, komunikimi dhe vlerësimi nga ana e eprorëve, etj. Të rinjtë shqiptarë kërkojnë më shumë qëndrueshmëri financiare, sociale dhe profesionale, por pamundësia për t’i gjetur të gjithë këta faktorë në Shqipëri, po i nxit ata gjitnjë e më shumë për t’u larguar nga vendi.

Më të lexuarat