Ëndrra për një shtëpi, dhe përballimi i dimrit të acartë pa energji për romët në Shkozë

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Fjona Çela

Minoriteti Rom tashmë i vendosur prej vitesh në Shqipëri është gjithmonë në përpjekje për t’u integruar dhe bashkëjetuar me shoqërinë shqiptare. Problematika të shumta shqetësojnë anëtarët e këtij minoriteti, të cilët edhe pse kanë kërkuar vëmendjen e institucioneve përgjegjëse, kryesisht për përmirësimin në aksesin e strehimit social, garantimin e energjisë elektrike, punësimin dhe trajtimin pa diskriminim, duket se nuk ka pasur asnjë përmirësim të dukshëm në këtë aspekt. Problemet me të cilat përballen familjet rome, aktualisht prekin të gjitha shtresat e varfra në vendin tonë. Për banorët e këtij komuniteti, jetesa është bërë e pamundur, teksa papunësia, të ardhurat e pamjaftueshme dhe mos-integrimi në shoqëri, vijojnë të mbeten një plagë e madhe sociale për ta.

Banesat 1-katëshe në Shkozë-Fjona Cela

Teksa ka trokitur viti 2023, mungesa e energjisë elektrike dhe furnizimi me ujë mbeten ende problem për familjet rome që jetojnë në banesat sociale në Shkozë, duke ua bërë jetesën të papërballueshme. Prej muajsh ata vuajnë mungesën e energjisë elektrike dhe ujit, teksa shprehen se nuk kanë mundësi financiare për t’i paguar, për shkak të papunësisë. Në këto kushte, ndriçimi me qirinj është zgjidhja e vetme që ato kanë gjetur për të pasur sadopak dritë në banesë, ndërsa ditët e acarta të dimrit, ata i gdhijnë dhe ngrysin në të ftohtë. Ëndrra e të pasurit një shtëpi që plotëson nevojat bazë jetësore për këtë komunitet duket si mision i pamundur, pasi prej muajsh të tërë vuajnë mungesën e energjisë elektrike dhe ujit.

“Nuk kemi as drita, as ujë. Na i kanë prerë se nuk kemi me çfarë t’i paguajmë. Ndezim qirinjtë për dritë. Kemi frikë se na digjen fëmijët, po ato kanë frikë nga errësira. Në dimër sëmuremi nga i ftohti, na shkoi jeta në spitale. Nuk shtyhet kështu me këto kushte, pa drita dhe pa ujë. Mirë që na kanë lënë në këto kushte, po të paktën të na japin pak dritë për sytë, të paktën të mos na kishin hequr energjinë”- thonë disa prej pjesëtarëve të strehuar në këto banesa.

Matës i Energjisë Elektrike-FJona Cela

Por edhe pse institucionet kanë hartuar ligjin për sektorin e energjisë elektrike, nuk e vendosin në zbatim garantimin e energjisë elektrike për familjet në nevojë, veçanërisht ato që i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian. Konkretisht në pikën 2 të nenit 95 të këtij ligji, përcaktohet se përfitojnë statusin e klientit në nevojë: a) klientët me të ardhura më të ulëta, të cilët e përdorin energjinë elektrike për furnizimin e vendbanimit tyre të përhershëm; b) klientët që kanë konsum të energjisë elektrike të lidhur në rrjetin njëfazor me një fuqi maksimale prej 16 amper; c) nivelin maksimal të konsumit të energjisë për person, në varësi të sezonit dhe ç) mënyrën e përkrahjes së drejtpërdrejtë nga Buxheti i Shtetit. Ndërsa pika 5 përcakton se “Financimi për mbështetje të klientëve në nevojë duhet të bëhet në mënyrë jodiskriminuese, duke mos lejuar ndërfinancimin nga kategoritë e tjera të klientëve të energjisë elektrike.”

Neni 95 dhe 96 i Ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike” 2018 i ndryshuar 

Edhe pse në kategorinë e familjeve në nevojë, këtyre familjeve duket se nuk u garantohet plotësisht energjia elektrike.

Nga ana tjetër, mungesa e punësimit mbetet një plagë e madhe sociale për komunitetin rom dhe egjiptian. Këta persona kanë si burim të ardhurash më së shumti mbledhjen e materialeve të riciklueshme, por edhe gjatë ushtrimit të këtij aktiviteti që u siguron kushte minimale për mbijetesë, ata hasin vështirësi të shumta, pengesa, moslejim e deri në marrje me forcë të këtyre materialeve nga policia bashkiake.

“Ne duke mbledhur mbeturina sigurojmë bukën e gojës. Nuk po i bëjmë keq njeriu, po as me këto nuk na lënë rehat. Na vjen policia dhe na merr karrocat, nuk na lënë as të mbledhim kanaçe. Na i marrin karrocat edhe me forcë se nuk pranojmë t’ia japimthotë një i ri që mbledh materiale të riciklueshme.

Ndërsa një i moshuar shprehet: “Marrim vetëm nga një bukë se shesim bidona dhe kanaçe, ja vetëm këto kemi. As pension, as përkrahje. Më duhen lekë edhe për ilaçe se vuaj nga tensioni dhe zemra”.

Thasë më materiale të riciklueshme-Fjona Cela

Ata janë të detyruar të mbledhin materiale të riciklueshme apo të shesin sende të përdorura për të siguruar jetesën, por përfshirja në këto veprimtari ekonomike u siguron të ardhura të pakta, ndërsa niveli i papunësisë mbetet i lartë, çka është shkaku kryesor i pamundësisë financiare të tyre. Ndaj pjesëtarët e këtij komuniteti kërkojnë t’u ofrohen lehtësira nga shteti.

“Më kanë ardhur dritat 2 milionë lekë se nuk i kam pagur prej kohësh, nuk kam mundësi t’i paguaj se s’kam ku i marr. Kam vetëm ndihmë ekonomike 80 mijë lekë të vjetra, me 9 veta në familje, nuk kam çfarë paguaj me përpara. Tani që janë rritur dhe çmimet, shkon në dyqan dhe me 5 mijë lekë mezi blen vetëm 1 bukë dhe 1 vaj”- thotë një tjetër pjesëtar i këtij komuniteti.

“I bëjmë një lutje bashkisë e kushdo që të jetë, të na ndihmojnë për drita, ujë dhe punë. Nuk i përballojmë dot shpenzimet, jemi dhe pa pension”- shprehet një i moshuar.  

Përditshmëria e anëtarëve të komunitetit rom haset me diskriminimin, mungesën në aksesin e shërbimeve publike, përballjen me autoritetin shtypës të shtetit, me paragjykimet dhe steriotipet që ka shoqëria. Por edhe pse pjesëtarët e këtij minoriteti hasen me paragjykime nga më të ndryshmet, tregojnë se duan të bëhen pjesë e shoqërisë, pa ndjerë diskriminim ndaj tyre.

Grua rome pramë banesës së saj në Shkozë-Fjona Cela

“Kemi kërkuar ndihmë dhe punë, por na diskriminojnë se jemi me ngjyrë, nuk na japin vende pune. Ose na paguajnë shumë pak. Na shohin si të paaftë. Na duket sikur askush nuk na pranon vetëm për shkak të ngjyrës. Nuk na pranojnë në punë vetëm se na shohin me ngjyrë.”– shprehen pjesëtarë të komunitetit rom e egjiptian.

 

Minoritetet kanë një mesazh ndaj institucioneve, për t’i ndihmuar përballë kësaj situate.

“Ne duam të na lehtësojnë, pasi nuk kemi mundësi t’i paguajmë dritat me çmimin që kanë. Ne mbledhim kanaçe sa për të jetuar, dhe marrim shumë pak ndihmë ekonomike. I lutemi bashkisë e qeverisë të na ndihmojnë se jemi në kushte shumë të këqija.”-shprehen ata.

Shërbimet e parashikuara në ligjet që vetë institucionet hartojnë, ende nuk gjejnë zbatim për të përmirësuar jetën e anëtarëve të komunitetit rom. Ndonëse ka patur përmirësime, ato kanë qenë krejtësisht të pamjaftueshme. Ofrimi i zgjidhjeve të përkohshme të problemeve nuk i zgjidh përfundimisht ato, duke i lënë në ciklin e vazhdueshëm të varfërisë pjesëtarët e këtij komuniteti.

Më të lexuarat