Rritja e çmimeve, reagon autoriteti i Konkurrencës: Mund të ndërhyjmë kur spekulohet me çmimet

Të fundit

Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara, është gazetar dhe aktivist i komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri.

Rritja e çmimit të karburantit ditët e fundit në Shqipëri, nxorri qindra qytetarë për të protestuar përpara Kryeministrisë ditën e djeshme.

Javën e shkuar një litër naftë shitej me 175-185 lekë, ndërsa ditët e fundit shitej me 245-275 lekë duke rritur ndjeshëm çmimin për konsumatorin. Shoqëria civile, qytetarë u mblodhën dje në një mesazh të vetëm për të ulur çmimin e karburantit dhe ushqimeve.

YouTube player

Kryeministri Rama bëri me dije se nuk është qeveria ajo që i rrit çmimet por privati nga shkaku i krizës së hidrokarbureve në të gjithë botën, ai shtoi se “Dukuria e rritjes marramendëse të çmimit të gazit e të karbonit në të gjitha tregjet ndërkombëtare, si edhe trendi i fortë i rritjes së çmimit të naftës, shoqëruar me një rritje të përgjithshme çmimesh të prodhimeve të konsumit të përditshëm, qëndrojnë sot para të gjitha vendeve, si siluetat e një ushtrie armike në horizontin e dimrit të vështirë që bota ka përpara.”

Community Reporters Albania dërgoi një shkrësë për Informacion, Autoritetit të Konkurrencës ku kërkoi informacion në lidhje me ngritjen e çmimit dhe masat që kanë marrë për të parandaluar këtë situatë.

Autoriteti përmes e-mail tha se:” Ne jemi të vetëdijshëm dhe e kuptojmë, se në këto periudha krizash të njëpasnjëshme, pa marrë parasysh arsye objektive, kryesisht qytetarët, por edhe politikanët, pretendojnë nga autoritetet që të ndërhyjnë dhe të ulin çmimet, por në lidhje me Autoritetin e Konkurrencës këto pretendime janë të arsyeshme vetëm nëse ndërmarrje të caktuara spekulojnë me çmimet duke shtrembëruar konkurrencën”.

Protestat dhe reagimi qytetar

Pas protestës së zhvilluar ditën e djeshme nga qindra qytetarë, sot çmimi karburantit është ulur me 20-25 lekë, duke treguar që qytetarët fituan dhe nxitja e protestës do të vashdojë ende deri kur institucionet të reagojnë.

C.R.A pyeti Autoritetin e Konkurrëncës për ndikimn që ata kanë në lidhje me rregullimin e çmimit nga kompanitë e hidrokarburve në Shqipëri, AK deklaroi se:”  Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës, nuk është projektuar ligjërisht për të luftuar çmimet abuzive në vetvete, kur këto çmime nuk janë pasojë e: 1) shfrytëzimit të pozitës dominuese në treg të një a më shumë ndërmarrjeve (p.sh. sepse kanë licenca ekskluzive); apo 2) marrëveshjeve të ndaluara. Pra, duhet me patjetër që të provohet abuzimi me pozitën dominuese dhe jo thjesht abuzimi, që Autoriteti i Konkurrencës të ketë mundësi ligjore të ndërhyjë; duhet me patjetër të provohet se mes ndërmarrjeve në një treg të caktuar ka një marrëveshje të ndaluar apo sjellje të bashkërenduar për të ngritur (apo edhe ulur) çmimet në mënyrë abuzive (të padrejtë), që Autoriteti i Konkurrencës të ketë mundësi ligjore të ndërhyjë. Në çdo rast, për të risjellë konkurrencën (jo çmimet si qëllim në vetvete) në parametra efektive”.

Ligji nr.8450, datë 24.2.1999 për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftes, të gazit dhe nenprodukteve të tyre, thotë në nenin 7 se “Këshilli i Ministrave ka kompetence liberalizimin e çmimeve të shitjes me pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit. Në situata të veçanta tregu, Këshilli i Ministrave mund të vendosë kufizime të përkohshme (çmime tavan apo dysheme) për çmimet e shitjes me pakicë të nënprodukteve të naftës e të gazit” por që deri më sot Këshilli i Ministrave nuk ka marrë asnjë masë mbrojtjeje për konsumatorin.

Masat e Rajonit për rritjen e çmimit të karburantit

Ndërsa qeveria shqiptare duhet ende të marrë një vendim të tillë, duke mbetur e fundit në Ballkan që shpall një paketë ndihme për atë që vetë kryeministri e konsideron një situatë të re lufte.

Maqedonia e Veriut ka vendosur të heqë TVSH-në për produktet bazë ushqimore, ndërsa familjet më të varfra do të trajtohen me kuponë ushqimorë. Tek nafta zbatohet një çmim tavan, ndërsa sërish është vendosur për uljen e akcizës dhe TVSH-së, për një paketë që pritet të kushtojë 400 milionë euro.

Kosova ka nisur të aplikojë gjithashtu një marzh fitimi prej jo më shumë se 4% për tregtarët me shumicë të hidrokarbureve.

Serbia ka vendosur të heqë akcizën e naftës dhe po mbush depozitat e saj për të krijuar rezerva, duke ndaluar njëkohësisht eksportet e lëndëve të para.

Në Greqi, qeveria ka akorduar një fond prej 400 milionë eurosh për familjet e varfra, ndërsa Kroacia po ashtu ka hequr akcizën e karburanteve.

Vlerësimi i këtyre qeverive është se nga çmimi i lartë i karburanteve, ekonomia humbet shumë dhe rrezikon kriza. Ndërsa në Shqipëri pritet që me këto çmime, qeveria të arkëtojë 100 milionë dollarë më shumë vetëm nga TVSH-ja e naftës.

Më të lexuarat