Pa strehë dhe pa përkrahje, 19 familje egjiptiane të lëna në mëshirë të fatit në Korçë

Të fundit

Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara, është gazetar dhe aktivist i komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri.

Të hysh në shtëpitë tona të bie të fikët s’dimë ku të shtrihemi ku të flemë. Vjen darka vjen data për ne. Sepse jemi me ngjyre? Ku hyn kjo? Bota nuk ka dallime raciale në ngjyrë, vetëm Shqipëria i ka këto dallime. Ngrihet fëmija në mëngjes, ku të vete o babi, ku të punoj? Merr kazmën, sa solle? 50 lekë o baba. Jemi në lagështi. Jam veti i gjashtë në shtëpi, katër poshtë dy lart.

Kjo është panorama për familjen Laloti e cila jeton prej 15 vitesh në godinat e “Gjeologjikës” në qytetin e Korçës. Odisea, më i madhi i familjes jeton me bashkëshorten e sëmurë nga epilepsia dhe vajzën e tij në një ambient rreth 15 metra katrorë, një hapësirë e cila dikur përdorej për tualet. Dhoma është plot lagështi, me tavanin e amortizuar dhe një derë  e vjetër e cila mezi mbahet në këmbë. Vajza e tyre në klasën e dytë është nxënëse e mirë, por për të është shumë e vështirë të mësojë dhe të përgatitet për në shkollë.

Kjo histori është e ngjashme edhe me 18 familje të tjera që jetojnë në këto godina.

“Kam që në 2004 që jetoj këtu, pothuajse jam rritur në këtë vend e njoh mirë zonën dhe i shikoj gjërat që janë shume të vështira për jetesën. Nga bashkia nuk kemi patur asnjë mbështetje, gjithmonë kanë ardhur dhe na i kanë mbuluar me gjëra shumë të vogla, si ta them sa për të mbyllur sytë. Kanë premtuar shumë gjëra, vijnë gjithmonë dhe gjithçka mbetet në pauzë”- kështu shprehet Odise Laloti kur e pyetëm për ndryshimet që kanë ndodhur në zonë nga investimet e bashkisë Korçë.

Community Reporters Albania, intervistoi drejtorin i Shërbimeve Sociale në Korçë, Ilir Zguri  lidhur me situatën e strehimit për familjet e ish-Gjeologjikes, ai shprehet se bashkia Korçë është e limituar të bëjë ndërhyrje në këtë zonë për shkak të pronësisë private në truallin ku familjet janë vendosur.

Ndërhyrjet nga OJF të ndryshme thjesht kanë lehtësuar situatën, por nuk mund ta zgjidhin atë pasi ashtu si edhe përpjekjet e Bashkisë, janë të limituara për shkak të pronësisë private mbi atë objekt i cili pengon një ndërhyrje e cila do ta zgjidhte në afatgjatë problemin e këtyre familjeve.   Ajo që Bashkia ka mundësuar, është ngritja pranë ish-Gjeologjisë e një qendre ditore për fëmijët, ku ofrohet shërbim me mësues mbështetës, aktivitete sociale jashtëshkollore, dhe dreka me ushqim të shëndetshëm, të gatuar tek kuzhina e Qendrës”-shprehet ai.

Bashkëshortia e Odise Laloti është një banore tjetër e cila jeton në këtë zonë prej vitesh. Ajo ka dy fëmijë dhe bashkëshortin me probleme shëndetësore. Të ardhurat e vetme të familjes janë ato që sigurojnë nga mbledhja e mbetjeve të riciklueshme. Prej një viti, që nga fillimi i pandemisë i është shkëputur pagesa e kempit që merrte për gjendjen e saj shëndetësore. Megjithatë, nevoja për një strehë me kushte më të mira mbetet një nga kërkesat që na përsërit më shpesh, sidomos pas rreshjeve të shiut që ranë gjatë muajit Prill.

YouTube player

“Çfarë bie jashtë bie brenda. Ne na hyn shiu brenda, të shikosh korridorin, sipër këtu në korridor është tër lagështirë ngaqë pikon. Të vije në mëngjes kur ra ai shiu po pikonte çatia- tregon ajo.

E pyetur nga CRA nëse kanë provuar të aplikojnë për programet sociale të strehimit, ajo shprehet se disa herë i është drejtuar bashkisë Korçë, ka plotësuar dokumente si e pastrehë dhe ka shprehur interes për banesë sociale, por asnjëherë nuk ka qenë përfituese për shkak të mospëmbushjes së kritereve.

“Mamaja ka vajtur është ankuar për strehim, ka bërë kartat që është e pastrehë dhe nuk kemi përfituar. Kemi 18 vjet që jetojmë këtu. Kemi vajtuar të aplikojmë për të pastrehë e marrin ata që kanë, që janë me punëra. Ti s’ke më thotë mua të ardhura. Që thotë apliko që je e pastrehë edhe më thotë ty të duhët lekë që ta marrësh shtëpinë. Ku të gjej unë lekë kur unë jam pa punë, e pastrehë, jam jashtë”, shprehet ajo.

Drejtori i shërbimeve sociale në Korçë tha se banorët e “ish-Gjeologjikes” por edhe familjet rome e egjiptiane që jetojnë në konvikte nuk kanë shprehur interes për programin e subvencionimit të qirasë, i cili sipas tij është projekti më i lehtë për t’u financuar nga bashkia.

“Është për të ardhur keq që një pjesë e familjeve janë krejt pasive dhe çdo gjë e kërkojnë të zgjidhur nga “shteti”, pa bërë asnjë përpjekje për të dalë nga gjendja. Për të qënë prezent në mbështetjen e banorëve të Konviktit tek ish-Bujqësorja, është mundësuar nga Bashkia edhe ngritja e një qëndre me mencë dhe shërbime të tjera lavanderie dhe higjene”, shton ai.

Community Reporters Albania intervistoi specialisten e Komisionerit Për Mbrojtjen nga Diskrimini në Korçë se kush janë problematikat e referuara pranë KMD-së për banorët e ish-Gjeollogjikës, Znj.Etleva Tare tregoi se institucioni i KMD-së ka marrë ankesa për ujin e pijshëm,” Ne dolëm me vendimin që mos-pasja furnizim me ujë të pijshëm përbën “diskriminim” dhe rekomanduan vendosjen e “matësve” në çdo familje që banon aty”. Problematikat të tjera sipas KMD lidhen me punësimin, pastrimin e ambienteve si dhe ndihma ekonomike.

CRA e pyeti z.Zguri se çfarë plani konkret kanë për të garantuar strehim të përshtatshëm dhe të qëndrueshëm për këto familje, ai tregoi se bashkia ka vënë në dispozicion një truall në pronësi të saj dhe ka hartuar projektin për ndërtimin e banesave sociale, por kanë vështirësi në gjetjen e financimit.

Më të lexuarat