Ricikluesit Rom dhe Egjiptian/ Qendra EPER informoi 270 grumbullues të 3 bashkive të Shqipërisë për riciklimin e mbetjeve urbane

Të fundit

Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara, është gazetar dhe aktivist i komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri.

Mbetjet bashkiake të gjeneruara në Shqipëri nuk ndahen në origjinë formalisht në përbërës të riciklueshëm. Hallka bazë dhe më e rëndësishmja e riciklimit të mbetjeve janë grumbulluesit individual rom dhe egjiptian. Riciklimi i mbetjeve realizohet pa ndonjë organizim institucional, pa rregulla dhe mekanizma kontrolli nga bashkitë, me përfshirjen e drejtpërdrejt të romëve dhe egjiptianëve, pa dallim burra, gra dhe fëmijë dhe pa asnjë masë parandaluese ndaj ndonjë dëmtimi të shëndetit që vjenë nga puna me to.

Nisur nga kjo situatë gjatë muajve Mars-Prill 2021, Qendra Mjedisore për Mbrojtje, Edukim dhe Rehabilitim (EPER Center) në partneritet me 3 organizata lokale të komunitetit rom dhe egjiptian realizoi sesione informuese për riciklimin e mbetjeve më 270 grumbullues individual rom dhe egjiptian në Bashkinë Tiranë, Bashkinë Elbasan dhe Bashkinë Korçë.

Sesionet informuese kishin për qëllim rritjen e informimit të grumbulluesve individual rom dhe egjiptian për punën në riciklimin e mbetjeve në kontekstin e sektorit të menaxhimit të integruar të mbetjeve të bashkive të përfshira në këtë aktivtiet. Gjatë këtyre sesioneve grumbulluesit rom dhe egjiptian u informuan mbi rregullat e sigurimit teknik në punën me mbetjet, mënyrës së operimit në sektorin e menaxhimit të mbetjeve, përfshirë tregun e mbetjeve të riciklueshme apo ndalimit të mbështetjes së ekonomive të tyre familjare nga puna informale dhe puna e fëmijëve. Në fund të çdo sesioni u shpërnda një set me materiale mbrojtëse të shëndetit në punë për grumbulluesit individual në riciklimin e mbetjeve pjesëmarrës në këto aktivitete. 

Aktivitetet informuese u realizuan në vendbanimet rome dhe egjiptiane, pikat e riciklimit të mbetjeve dhe zonat e populluara brenda 3 bashkive, vende në të cilat grumbulluesit individual rom dhe egjiptian ushtronin aktivitetin e punës me mbetjet e riciklueshme. Ishin zona e Selitës, Yzberisht, Shkozë dhe Bregut të lumit në Bashkinë Tiranë; zona e Rrapishtës, Beqir Dardhës dhe Emin Matraxhiut në Bashkinë Elbasan; dhe zona e Gjeologjikes, Kulla e Hirit dhe Ura e Fajancës në Bashkinë Korçë; zonat në të cilat u realiuan këto sesone informuese.

Pritet që brenda muajit Qershor 2021, EPER Center të prodhojë raportet e studimit “Vlerësimi i punës së grumbulluesve individual në riciklimin e mbetjeve” për 3 bashkitë Tiranë, Elbasan dhe Korcë dhe gjithashtu të lehtësojë fillimin e procesit të rregjistrimit të grumbulluesve individual rom dhe egjiptian të riciklimit të mbetjeve nga ana e 3 bashkive të përfshira në këtë nismë.

Informimi mbi riciklimin e mbetjeve urbane të 270 grumbulluesve individual rom dhe egjiptian në tre bashkitë e Shqipërisë u realizua në kuadër të projektit “Fuqizimi i të drejtave të punës së Romëve dhe Egjiptianëve në Riciklimin e Mbetjeve” zbatuar nga Qendra Mjedisore për Mbrojtje, Edukim dhe Rehabilitim (EPER Center) në partneritet me Shoqatën “Romani Baxt Albania” Tiranë, Shoqatën “Romano Sezi” Elbasan dhe Shoqatën “Disutni Albania” Korçë me mbështetjen financiare të LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

Më të lexuarat