“Ne po bëjmë 4 muaj që nuk po marrim lekët nga ana e bashkisë gjë që kjo na pengon, nuk i kemi paguar qiranë po rrezikojmë të dalim edhe jashtë. Pronarët nuk mund të llogaritin kur dalin lekët e bashkisë kjo mund të vonojë edhe 5 a 6 muaj, ai i do lekët”. Kjo është historia e Bujarit, banor i Selitës i cili trajtohet me Bonus Qiraje pas shembjes së banesës për shkak të ndërtimit të Unazës së Madhe. Përpos të gjithave, ai çdo muaj gjendet përballë situatës që rrezikon të dalë në mes të katër rrugëve bashkë me familjen e tij.
Por ai nuk është i vetëm, pasi ashtu si Bujari janë 60 familje rome të kësaj zone të cilat janë në pritje të kalimit të fondit të bonusit të qirasë që prej muajit Mars. Ndryshimet e bëra në listën e dokumentacionit që paraqitin cdo vit për përfitimin e bonusit, i ka vendosur ata në vështirësi duke rrezikuar të mbeten jashtë.
Me miratimin e ligjit nr 107\2021 “për Bashkëqeverisjen” ofrimi i shërbimeve nga të gjitha institucionet shërbimofruese , aplikimet e të cilave realizohen nëpërmjet platformës “e-Albania”, që prej muajit Maj po realizohen vetëm elektronikisht.
“Bonusi i qirasë normalisht duhet të ishte shpërndarë në muajin Mars. Procedurat fillonin që në Janar dhe në Mars hidhej buxheti nga Enti i Banesës dhe nga Bashkia dhe iu ndahej njerëzve. Tani na kanë kërkuar një sërë dokumentash që komuniteti me zor po i bën. Duhet vërtetim nga ASHK që nuk ke prona në pronësi dhe cdo person në moshë madhore të hapë një portal ealbanian që një banor, një kryefamiljar mbi 7 anëtarë nuk i disponon dhe 7 numra telefoni” vazhdon tregon Nertila, bashkëshortja e Bujarit.
Anëtarët e minoritetit Rom dhe Egjiptian kanë hasur vështirësi që në momentin e parë të zbatimit të ofrimittë shërbimeve online. Niveli I ulët arsimor dhe mungesa e aksesit në pajisje të smartphone dhe internetit, emailit dhe numrave të telefonit i përjashton ata të kenë shërbime si qytetarët e tjerë.
Ndryshe nga vitet e mëparshme kur mjaftonin Certifikata familjare dhe llogaria bankare, këtë vit familjeve rome të Selitës iu kanë kërkuar shtesë edhe dy dokumente të rëndësishme për përfitimin e bonusit të qirasë sic janë: Vërtetim nga Agjensia Shtetërore e Kadastrës dhe Aluizni për mosposedim të pronave të tjera apo në proces legalizimi. Sipas bashkisë këto dokumenta shmangin rastet dhe skemat e abuzimeve me përfitimin padrejtësisht të bonusittë qirasë, por këta banorë i kanë vendosur në rrezik për tu dëbuar nga pronarët e banesave që kanë marrë me qira.
Artjola Hasani, aktiviste e qendrës Treja e cila punon me komunitetin në këtë zonë tregon për CRA se familjet po hasin vështirësi në sigurimin e dokumentave të kërkuara nga Drejtoria e Strehimit Social. Ajo ka asistuar në krijimin e llogarive të reja të banorëve në portalin e-albania por përsëri dokumentat e reja nuk ka mundur ti aplikojë. Më i vështirë është bërë procesi për personat të cilët më parë kanë hapur një llogari në portal por nuk aknë ruajtur të dhënat e tyre për ta aksesuar.
Bashkia Tiranë është në dijeni që në fillim të Janarit për vështirësitë që has komuniteti me aksesin në portal. Sistemi i Aluiznit është i bllokuar, kështu që edhe nëse e bën aplikimin në e-albania nuk ke mundësi që më pas ta marrësh vërtetim sepse nuk punon vetë sistemi i Aluiznit.. ASHK ka thyer një përgjigje të prerë duke na thënë që mund ti drejtohen një noteri, ndërkohë që një noter kërkon 2500 deri ne 3000 lekë për një person. Për 8 persona vetëm për të marrë vërtetim e ASHK-së I takon që kostoja është shumë e lartë dhe e papërballueshme për familjet”, shprehet Hasani.
Qendra TREJA ka ndihmuar në krijimin e llogarive të reja në portal por jo të gjithë përmbushin kërkesat e sistemit, Nga ana tjetër banorët i janë drejtuar edhe kancelarive dhe qëndrave të internetit duke u përpjekur të veprojnë sa më shpejt.
“Me shumë mundim komuniteti ka arritur me anë të një kancelarie dhe me anë të organizatës TREJA të kenë disa dokumenta të nxjerra nga portali. Deri tani rreth 30 kanë arritur të kenë disa nga dokumentat se skanë numër telefoni dhe disa skanë informacionin”, rrëfen Nertila për situatën.
Banorët dhe Qendra TREJA kanë ndërmarrë një sërë hapash për të bërë të mundur negocimin me institucionet përgjegjëse, por në kushtet ku gjenden familjet banorët kanë drejtuar 12 ankesa individuale pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Pas hapave të ndërmmarrë si dhe fushatës mediatike për të ndikuar në zgjidhjen e kësaj situate, Drejtoria e Strehimit ka rënë dakrort me sugjerimin e qendrës TREJA që të paktën vetëm kryefamiljari të bëjë vetëdeklarim para noterit, duke shmangur kështu aplikimin e vertëtimeve për ASHK dhe Aluiznin.
Kjo është një dritë jeshile për të zgjidhur këtë ngërc institucional por megjithatë kjo do të zgjiedhet përfundimisht kur banorët të marrin kompesimin e bonusit të qirasë. Pavarësiht mbështetjes prej 8 vitesh me bonus qiraje, Bujari shprehet se zgjidhja e strehimit të tyre nuk është ofruar.
“Zgjidhja jonë duhet të ishte dhënë me kohë që kur u miratua ligji në 2019, që ne mos të vuanim kaq shumë. Po megjithatë unë them që me shpresë të jetë bashkia që të na gjejë zgjidhje sa më shpejt se po vazhdoi historia kështu kur njerëzit nuk nxjerrin dot dokumentat dhe s’kanë mundësi atëhere do vështirësohet më shumë situata. Zgjidhja është kjo që bashkia ka aq kapacitet që të gjindet një tokë dhe jo në Ndroq e në Fushë Krujë ku e ka më lehtë bashkia po brenda këtu, jo aty ku kemi jetuar se e di që nuk ka po më larg. Të gjejë një fond të caktuar dhe për ndërtimin mund të gjejë negociatat me banorët”, shprehet Bujari për CRA.