Nga Fjona Çela
Pajisje dhe dokumenta me vlerë janë shkatërruar pas shembjes së zyrave të Shoqatës së para/tetraplegjikëve që ndodhej në Laprakë. Sipas pjesëtarëve të shoqatës godina u shemb në mënyrë të paprecedentë, pa asnjë lajmërim, në orët e vona të natës dhe pa u lënë asnjë mundësi të zhvendosnin materialet me vlerë për shoqatën. Pas këtij akti, Shoqata e Para/tetraplegjikëve të Shqipërisë dhe Shoqata e Para/tetraplegjikëve dega Tiranë, mbetën pa zyra, duke mos patur asnjë ambient ku të zhvilloheshin takimet me anëtarët e këtyre Shoqatave.
Çfarë ndodhi me zyrat e Shoqatës së Para/tetraplegjikëve të Shqipërisë?
Pasi ambientet e mëparshme të shoqatës u shembën në mënyrë të paprecedentë duke shkaktuar dëme të parikuperueshme, Shoqatës së Invalidëve Para/Tetraplegjikë u vendos t’i jepej si ambient një ish-repart ushtarak në Surrel në gjendje të mjerueshme, që nuk plotëson as kushtet më minimale për këtë kategori.
Sipas nenit 14 të statusit të invalidit para/tetraplegjik, përcaktohet qartë se shteti duhet të vërë në dispozicion e të japë falas mjedise për zhvillimin e veprimtarisë së shoqatës të invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
Detyruar edhe nga VKM-ja, godina i kaloi shoqatës për 10 vjet si huapërdorje, por ndryshe nga c’përcaktonte VKM, shoqatës në fakt nuk iu dhanë godinat, por vetëm trualli.
Në të vërtetë i gjithë ky ambient është krejtësisht i papërshtatshëm për para dhe tetraplegjikët. Infastruktura nuk përshtatet aspak me kushtet e lëvizshmërisë që ka kjo kategori. Rrugët e pashtruara ua pamundësojnë atyre lëvizjen. Akoma më keq situata është në brendësi të godinave, të cilat duket se janë kthyer në vendstrehim për bagëtitë. Lagështirë, mbeturina, pa dyer e dritare, kjo është pamja që ofron godina aktualisht, e cila vetëm idenë e zyrave nuk të jep.
Të gjendur në këtë situatë, shoqata iu drejtua Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Pas rreth 1 viti, Shoqata Humanitare e Invalidëve Para/Tetraplegjikë të Shqipërisë fitoi gjyqin ndaj Bashkisë së Tiranës, lidhur me godinat e ish-repartit ushtarak në Surrel, që iu vunë në dispozicion invalidëve për t’i përdorur si zyra. Sipas vendimit të Gjykatës, Bashkia është e detyruar të krijojë menjëherë kushtet e përshtatshme, konkretisht të ndërtojë rrethimin e pronës, të lidhë rrjetet inxhinierike, të krijojë të gjitha kushtet për personat që përdorin karrige me rrota, t’i bëjë godinat funksionale dhe ta japë këtë pronë me huapërdorje.
Por pavarësisht se sipas Gjykatës vendimi duhet të jetë direkt i zbatueshëm duke i ardhur në ndihmë kështu 1600 personave që janë pjesë e komunitetit të paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve në Tiranë, nga Bashkia ende nuk është marrë asnjë masë konkrete.
Shoqata e Para/Tetraplegjikëve dega Tiranë, ende pa asnjë vendim për zyra
Ndryshe nga shoqata e përgjithshme e para/tetraplegjikëve të Shqipërisë, për këtë kategori që i përkasin Tiranës, ende nuk ekziston asnjë vendim për pajisjen me zyra. Kreu i Shoqatës së para/tetraplegjikëve dega Tiranë, Ali Plaka, teksa thotë se zyrat u shembën në mënyrë të paprecedentë në orët e vona të natës dhe pa asnjë lajmërim, hedh dyshime se kjo u bë për t’i hapur rrugë ndërtimit të pallateve.
“Prej 20 vitesh kemi qendruar në ato zyra. Na i shembën se duan të bejnë pallate. Pse nuk erdhi firma ndërtuese apo bashkia të na jepnin një zyrë tjetër, po direkt e shembën pa na çuar diku tjetër? Ata nuk na kanë lajmëruar për të vetmen arsye. Sepse ata e dinin që ne menjëherë do të hynim në grevë urie dhe do i mbronim ato amjente. Prandaj nuk jemi lajmëruar as nga bashkia, as nga firma ndërtuese, nga askush. Ne si degë e Tiranës nuk na është ofruar asnjë marrëveshje, as me Bashkinë e Tiranës, as me firmën ndërtuese. Ku do na i japin zyrat? Kush do na i japë, firma ndërtuese që na i shembi apo bashkia Tiranë?
Plaka e rithekson se për para/tetraplegjikët e Tiranës nuk është caktuar asnjë ambient për zyrë, edhe pse sipas nenit 14 të statusit të invalidit para/tetraplegjik është detyrë e institucioneve t’ua sigurojnë. Por i pyetur nëse do të pranonte në rast se do u ofrohej një ambient në ish-repartin ushtarak në Surrel, ku janë zyrat e Shoqatës së Përgjithshme të Shqipërisë, ai shprehet:
“Edhe sikur të mi japin atje, unë se pari duhet të lidh një marrëveshje. Gjë që deri tani nuk na e kanë ofruar. Ne na duhet marrëveshje e posaçme si degë e Tiranës. Edhe ne duhet të na thërrasë bashkia e të na lidhë marrëveshje siç parashikon ligji. Edhe ne do e kishim pranuar po të bëhej siç duhet me rregulla, pavarësisht se atje nuk ka asnjë lloj kushti. Atje nuk futet asnjë lloj automjeti. Rruga gërrmohet nga shiu, është çdo gjë e dëmtuar. Në godina flenë bagëti. Nuk ka as rrugë, as ujë, as ndriçim, as dyer e as dritare. Pavarësisht se me vendim gjyqësor bashkia është e detyruar të krijojë të gjitha kushtet atje në mënyrë urgjente, nuk është marrë asnjë masë. Deri tani as vendimi i gjykatës nuk është respektuar.
Para/teraplegjikët e Tiranës kërkojnë zgjidhje konkrete për zyrën dhe magazinën që iu shembën, duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, të cilat ende nuk u janë dëmshpërblyer. Për këtë çështje, anëtarët e shoqatës kanë ndjekur rrugët ligjore duke bërë kallëzime, pasi kanë humbur pajisje e dokumenta me rëndësi.
“Përveç zyrave ne kemi pasur edhe magazinën aty me të gjitha materialet tona të nevojshme. Kam një gjyq për dëmin që më është bërë në zyrë e veçanërisht në magazinë. Dikush duhet të paguajë patjetër për dëmet në magazinë. Kanë qenë aty karriget me rrota, bebelina, kateter, qese urine, paterica etj. Të gjitha jën zënë brenda, dëme të pallogaritshme financiare. Po sikur të isha unë brenda në magazinë? Atëherë do më kishin vrarë aty brenda. Ky është diskriminim, këtu na cënohet e drejta jonë. Do vazhdojmë deri në fund me rrugë ligjore.”-thotë z. Plaka.
Që prej kohës kur ka ndodhur shembja para/tetraplegjikët kanë protestuar vazhdimisht para bashkisë, ndërsa thonë se kanë dërguar edhe shkresa të njëpasnjëshme, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga ky institucion. E vetmaj gjë që kërkojnë, janë zyrat. Ja si shprehet Ali Plaka:
“Se ku mi jep bashkia zyrat unë nuk e di. Unë di të them që dua dhe më takojnë zyrat. I kam pasur dhe mi ka shembur. Unë nuk po kërkoj diçka që nuk bëhet. Po kërkoj çfarë parashikon ligji. Kisha 20 vite në ato zyra, dhe pas shembjes patjetër që më takojnë të reja. Madje, duhet të na sistemonte në fillimisht në zyra të tjera dhe pastaj të kishte shembur ato ekzistuese, jo ashtu siç u veprua në mënyrë të jashtëligjshme. Të gjithë rrethet e Shqipërisë kjanë zyra falas sipas nenit 14, ndërsa Tirana nuk ka.”
Para/tetraplegjikët janë të vendosur të mos dorëzohen përballë kësaj situate. Z. Plaka është i bindur ta çojë deri në fund çështjen, duke e ndjekur edhe me instutuacione ndërkombëtare.
“Unë po e ndjek në Ambasada të huaja, në BE, OSBE etj. Të drejat e mija e të bashkëvuajtësve të mi, do i kërkoj deri në fund. Ne nuk do të tërhiqemi!”