Mes pasionit dhe sakrificave, si po mbijetojnë artizanët në Shqipëri

Të fundit

Jeta Pera
Jeta Pera
Jeta Pera ka studiur për Gjeografi në Universitetin e Tiranës, prej disa vitesh është aktiviste për të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri.

“Nuk ka si punimet e dorës” këtë fjalë e kemi dëgjuar shpesh nga prindërit apo gjyshërit tanë. Me këtë fjali përshkruhej puna e shumë artizanëve që dikur kanë qenë me shumicë e sot janë duke u rralluar. Community Reporters Albania, e takoi një artizane. Ajo është Valbona dhe shumë nga ata që kanë bërë porosi tek ajo, thonë se i ka duart e arta! Ndër ato pak gra të cilat mbajnë gjallë traditën e punës së dorës, Valbona është një artizane prej 30 vitesh. Fillesat e punëve të saj ishin papuçet për të voglën e saj, vajzën e madhe e cila tani e ka bërë gjyshe. Që nga ai moment e deri më tani ajo vazhdon qëndis me shumë pasion çdo model që merr përsipër të bëjë.

Valbona Xhafa-Artizane

“Të them të drejtën në fillim kam mësuar të bëj papuce për vajzën time dhe e shikoja që e kisha dëshirë të mësoja punën e dorës me shtiza, më pas fillova të mësoj si të bëj  kostumet me shtiza për fëmijë dhe kështu kam filluar ato punimet e para. Më pas vazhdova duke bërë punime edhe personave që njihja dhe fillova të marr porositë e para. Më vonë fillova të mësoj edhe grepin, punimet me rruaza dhe fillova të marr porosi të ndryshme”, na rrëfen Valbona.

Valbona i përket minoritetit rom dhe punimet e saj më të veçanta janë ato që kanë simbolin dhe ngjyrat e flamurit rom. Kjo gjë e ka ndihmuar atë që të marr porosi nga anëtarë të këtij minoriteti si dhe persona të cilët punojnë për të drejtat e kësaj pakice. Mes byzylykëve, varëseve me rruaza, punimet me grep kryesisht çanta, mbajtëse celulari me flamurin rom kanë qënë më të kërkuarat.

“Para disa kohësh në Shqipëri kishte ardhur një grup të rinjsh të një organizate të huaj tek një mikesha ime të cilës i kisha punuar një çantë me flamurin rom. Ajo ua kishte  treguar  çantën edhe këtij grupit të cilët më kërkuan të bëj 6 copë për ta. Kisha vetëm 1 javë kohë për të përfunduar këtë porosi  dhe më është  dashur të punoja deri në orët e para të mëngjesit për ta mbyllur porosinë dhe ia dola me sukses. Ata mbeten shumë të kënaqur nga porosia”, tregon Valbona kur e pyetëm për porosinë më të veçantë që ka bërë.

Ndonëse në ditët e sotme produkte të gatshme dekoruese mbizotërojnë tregun, punimet e dorës janë unike për Valbonën. Edhe pse shumica e konsumatorëve nuk kanë tërheqje nga punimet handmade, Valbona thotë se në treg gjen larmi të materialeve dhe teknologjia e ka ndihmuar të mësojë dhe të frymëzohet për të punuar modele nga më të ndryshmet.

Përveç pasionit, Valbona është përpjekur që nga këto produkte të fitojë edhe disa të ardhura për të ndihmuar në shpenzimet për familjen. Fitimet janë të pakta dhe varen nga porositë që merr. Për të reklamuar punën e saj dhe të krijojë një klientelë online, vajzat e kanë ndihmuar në reklamimin e punimeve në Instagram dhe Facebook. Valbona i siguron materialet nga të ardhurat që bën nga puna në një organizatë ku ajo angazhohet për të drejtat e grave rome, por nuk ka patur mbështetje financiare nga skema mbështetëse për artizanet.

Si nënë e tre vajzave dhe e një djali, nga pasioni i madh që ka për punën e dorës ajo do të dëshironte ta trashëgonte këtë profesion tek fëmijët e saj, por nuk sheh se ata kanë interes.

“Po unë kam dëshirë por nga vajzat e mia nuk e kanë pasion këtë gjë dhe në qofte se nuk e dëshiron punën asnjeherë nuk e mëson dot dhe mua sinqerisht më vjen keq që nuk munda dot tiu mësoj punën e dorës”, tregon ajo.

Punimet e saj mund ti gjejmë një faqen e instagramit punedore_valbona xhafa.

Aty reklamohen punimet e shumta dhe unike të punuara nga duart e saj dhe shikimi i mprehtë i syve. Pavarësisht modernizimit dhe dekoreve të ndryshme që dominojnë nëpër vitrina dyqanesh dhe admiruesit e paktë të punimeve handmade, Valbonës nuk i është zbehur aspak dëshira dhe pasioni për të krijuar vazhdimisht punime të reja.

“Patjetër që është sfidë të jesh ndryshe në një botë moderne me produkte të gatshme, por puna e dorës mbetet shumë e bukur”, shprehet Valbona.

Ashtu si punimi i dorës është unik dhe veçantë, i tillë është dhe kontributi që gra si Valbona japin për të ruajtuar kulturën, traditën e zakonin të qëndismave. Në brezat e mëparshme punimet e dorës çmoheshin dhe vlerësoheshin më tepër se në ditët e sotme. Sunduqet e vajzave mbushur me pajën e dasmës nuk mund të mos kishin qëndisje. Megjithëse kohët kanë ndryshuar, fanatikët e punimeve handmade kanë ende mundësi për të patur punime të tilla.

 

 

 

Më të lexuarat