Mungesa e standardeve apo drejtuesit e papërgjegjshëm, pse rrugët po marrin jetë?

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Mosrespektimi i disa rregullave të thjeshtë të qarkullimit rrugor, ndërgjegjësimi i ultë qytetar për qarkullimin urban dhe rrugët e amortiuzuara, po marrin jetë dhe shkaktojnë me dhjetra të plagosur çdo muaj. 67-vjeçari P.G doli nga shtëpia në zonën e Astirit dhe për të kaluar në pjesën tjetër të lagjës, por ky kalim i shkujdesur i Unazës së Tiranës rezultoi fatal për të. Pak metra larg vijave të bardha dhe semaforit, 67-vjeçari u përplas për vdekje nga një mjet.

MOSRESPEKTIMI DHE PROBLEMET ME E SINJALISTIKËN

Por ky është rasti më i fundit që ka bërë bujë, pasi aksidente fatale ku shkak janë rrugët e amortiuzuara apo mosrespektimi i vijave të bardha, janë të rëndomta. Vetëm një ditë pas aksidentit të rëndë në Astir, një tjetër të ri. Këtë herë ishte një kamion që në vijat e bardha la të vdekur 32-vjeçarin, O.D

Sinjalistika rrugore u bë shkak edhe për vdekjen e 10-vjeçares  në janarin e 2021-it. Në rastin e saj sërish u shkelën rregullat e qarkullimit rrugor, por një ndikim jo të vogël kishte edhe mungesa e sinjalistikës rrugore. Aksidenti tragjik i rreth dy viteve më parë duket se nuk ka ndikuar aspak që situata në rrugën “Njazi Meka”, e cila vijon të ketë problem amortizimi. Por situata në këtë rrugë është vetëm shembulltyra e shumë akseve në Tiranë që edhe pasi rikonstruktohen, sërish shfaqin probleme.

Të dhënat zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se gjatë vitit 2022, nga 1165 aksidente të ndodhura në total, për 64 prej tyre ekspertiza ka përcaktuar si shkak rrugët e amortizuara. Kjo e dhënë në pamje të parë duket e ultë, por në këtë numër nuk përfshihen ato shkaqe aksidentesh që zyrtarisht bëjnë fajtor manovrimet e shofërve, por që në realitet manovrimi i gabuar që çon në aksidente ka ndodhur për shkak kushteve jo të mira teknike të rrugëve.

Ndërsa sa i përket pasojave që sjell ky sistem i amortizuar rrugor eksperti Fatmir Hasho shprehet se a ka një strategji të gabuar dhe një mungesë vizioni në hartëzimin e rrjetit rrugor.

Në një intervistë për CRA, Hasho, shprehet se rrjeti rrugor shqiptar është pak a shumë ai që fillimisht është krijuar në shekullin e kaluar, ne kohen qe filloi edhemotorizimi nepermjet rritjes se numrit te automjeteve. “Në këto tridhjet vite ka një ndryshim total të rrjetit rrugor, një përmiresim i dukshëm dhe në menyre të veçantë ndërtimi i rrugëve me karakteristika të përmiresuara si autostradat dhe rrugët Interurbane dhe Urbane kryesore. Rrugët tani kapin çdo hapesirë ku jetojnë shqiptarët, edhe në skutat me të largëta, megjithese në këto rrugë mungojnë tërësisht kushtet për një udhëtim të qetë dhe pa rreziqe. Pra ne pergjithesi strategjia për rrugët ka ndjekur një vije logjike, por duhet te punohet më shumë në përmirësimin cilësor të akseve rrugore dhe në këtë moment duhet të jetë zgjerimi i rrugëve ekzistuese”, shprehet Hasho.

Hasho e shikon me pozitivitet zgjerimin dhe përmirësimin e sinjalistikës rrugore në vitet e fundit. Por në këtë pikë shikon si problem mungesën e njohjes së duhur nga drejtuesit e mjeteve të sinjalistikës horizontale dhe vertikale.

Fatmir Hasho-Specialist i sigurisë rrugore

“Një inisiativë shumë domethenëse në këtë kohë është dhënia me koncesion e mirëmbajtjes rutinë e akseve kryesore, por e veçanta qëndron se kërkesat nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar jo vetëm që janë rritur në cilesinë dhe aftesinë teknike në drejtim të kompanive që i kanë marrë me koncesion, por edhe në kërkesat direkte të llogarisë për punimet e kryera dhe në vijim. Pra mirëmbajtja është një aktivitet jetësor i domosdoshëm, por ndërkohë është edhe një siguri e lartë rrugore e rritur. Në këtë aspekt duhet kritikuar puna e bashkive, si ente pronare të një numri jo të vogël aksesh rrugore, ku mirëmbajtja dhe vendosja e saktë e sinjalistikës vertikale dhe horizontale le për të dëshiruar. Pra lekët që hidhen për mirëmbajtjen e akseve rrugore në këtë kohë janë një domosdoshmeri, pasi rrisin sigurinë rrugore”, theksoi Fatmir Hasho.

SHKAQET KRYESORE TË AKSIDENTEVE

Kur vjen fjala për të gjetur shkaqet e aksidenteve, bëhet fjalë për një larmi motivesh që në konkluzion shkaktojnë humbjen e jetës së përdoruesve të makinave, por edhe në shumë raste të këmbësorëve për ato aksidente që ndodhin në zonat urbane.

Nëse në tre rastet e para ne sollëm si shkaqe të aksidenteve fatale, mungesën e sinjalistikës rrugore, apo mosrespektimin e saj si nga këmbësorët edhe nga drejtuesit e mjeteve, në aksidentin e rëndë të 9 marsit, shkaku ishte qartazi papërgjegjshmëria e drejtuesit të makinës. Mjeti luksoz audi i drejtuar nga 20-vjeçari, Klevis Ruçaj po udhëtonte me shpejtësi 270 KM/H  dhe shpejtësia e lartë përveçse shkaktoi vdekjen e tij dhe të dy vajzave që ishin me të, rrezikoi edhe jetën e disa personave të tjera që ishin në një tjetër makinë.

Te roli që duhet të kenë drejtuesit e mjetëve në qarkullimin rrugor dhe parandalimin e aksidenteve mëshon edhe eksperti Fatmir Hasho.

“Jam ndoshta nga të vetmit specialist që merrem me këtë fushë të jetes që kam arritur në një konkluzion se drejtuesit e mjeteve janë tanimë problem ynë kryesor në ndodhjen e aksidenteve rrugore. Ka kaluar tashmë ajo fazë ku rrugët ishin pa standardet minimale dhe mjetet që lëviznin në to ishin shumë të vjetra. Shkaqet të cilat janë kryesore në ndodhjen e aksidenteve dhe që përgjegjes nëe mase mbi 95% janë drejtuesit e automjeteve janë:

– Parakalimi gabuar

– Tejkalim i shpejtësisë mbi normat e lejuara

– Përdorimi i alkolit dhe narkotikeve

– Përdorimi i celularit

– Sjellja jo korrekte me sinjalizimin rrugor dhe në mënyrë të veçantë shkelja e semaforit

– Përdorimi i keq i motomjeteve në qytet

– Përdorimi i mjeteve me motor elektrik në kundershtim me normat e Kodit Rrugor

Kjo kërkon një edukim të vazhdueshem të drejtuesve të mjeteve dhe të ashpersohet provimi i lejes së drejtimit, sidomos në pjesen e praktikës, që për mendimin tim eshte magnësia më e madhe. Shumë nga drejtuesit e mjeteve pasi kanë përfunduar autoshkolleën ndihen shumë të pasigurt, gjë kjo që lidhet me kohën e shkurtër të praktikës dhe në mënyrë të veçantë me praktikën që duhet të mbulojë shumë aspekte të mënyrës së udhëtimit, si ditën, natën, me shi dhe shtrëngata shiu, në qytet dhe zona rurale etj”, deklaroi eksperti Fatmir Hasho për CRA.

Më të lexuarat