Më shumë fëmijë romë dhe egjiptianë po shkojnë në çerdhe, por varfëria pengon integrimin e plotë  

Të fundit

Jeta Pera
Jeta Pera
Jeta Pera ka studiur për Gjeografi në Universitetin e Tiranës, prej disa vitesh është aktiviste për të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri.

Përjashtimi nga tarifat financiare të regjistrimit për kopshtet e çerdhet me drekë ka rritur numrin e fëmijëve romë dhe egjiptianë të cilët frekuentojnë institucionet parashkollore në territorin e bashkisë Tiranë. Përjashtimi i bërë në vendimin nr Nr. 158, datë 26.12.2019 “Për miratimin e sistemit të taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës’  ka lehtësuar prindërit romë dhe egjiptianë duke hequr kështu pengesën kryesore për procedurën e regjistrimit të fëmijëve.

Të dhënat zyrtare të Bashkisë Tiranë tregojnë  rritje të numrit të fëmijëve romë dhe egjiptianë të cilët frekuentojnë kopshtet e çerdhet pa pagesë.

Tirana, është një ndër bashkitë e cila ka miratuar përjashtimin nga tarifat financiare fëmijët e dy pakicave rom dhe egjiptian. Ndryshimi ndodhi në vitin 2019 nxituar nga aktivistët romë e egjiptianë dhe qendra T’reja. Efekti i këtij vendimi vërehet jo vetëm në trendin rritës të regjistrimeve por edhe nevojës për rritje të kapaciteteve të kopshteve dhe çerdheve në territorin e bashkisë Tiranë.

Para vitit 2019, numri i fëmijëve romë dhe egjiptianë të cilët frekuentonin kopshtet dhe çerdhet ishte i ulët dhe pamundësia ekonomike e prindërve për të paguar tarifën e regjistrimit qëndronte si pengesë mbi vullnetin e dëshirën e tyre për të arsimuar fëmijët. Përjashtime bëheshin në raste specifike të familjeve sidomos për fëmijët në situatë rruge.

Të dhëna të marra nga Plani Lokal për Romët dhe Egjiptianët 2022-2024 Bashkia Tiranë

Ferdiola Tare, ka qenë një ndër aktivistët e cila ka iniciuar nismën për përjashtimin nga tarifa të fëmijëve. Përpjekja për të bërë ndryshimin ka vijuar për disa vite, ndërsa sot situata duket e përmirësuar bazuar tek kërkesat e shumta që vijnë për ndihmë nga ana e prindërve romë e egjiptianë. Ndonëse hartimi i kësaj VKB ka sjellë rritje të numrit të fëmijëve të cilët frekuentojnë institucionet parashkollore dhe i largohen situatës së rrugës, jo të gjithë fëmijët mund të qëndrojnë në orarin e plotë të frekuentimit.

Ferdiola Tare-Qendra T’REJA

“Ajo çfarë vihet re si problem aktual është mungesa e kapaciteteve të kopshteve dhe çerdheve për të përballuar fluksin e kërkesave dhe pavarësisht se VKB nuk e kërkon, prindërve iu duhet të dorëzojnë vërtetimin që janë të punësuar, pra sigurimet shoqërore që t’ja u mbajnë fëmijët në kopësht me drekë, përndryshe qëndrojnë në kopësht apo çerdhe rreth orës 1. Duke qënë se romët dhe egjiptianët punojnë në informalitet nuk mund të sigurojnë këtë dokument, kështu fëmijët qëndrojnë gjysmën e ditës”, tregon drejtuesja e qendrës T’Reja, Ola Tare.

Niveli i ulët arsimor por edhe mungesa e informacionit e prindërve romë dhe egjiptianë ndikon drejpërdrejt në mospërfitimin e shërbimeve. I tillë është rasti i vitit të kaluar në zonën e Alliasit në Tiranë, ku disa nga prindërit nuk dërguan në kohë dokumentat e nevojshëm për t’u përjashtuar nga tarifat financiare duke krijuar një borxh ndaj kopshtit për frekuentimin e fëmijëve së tyre. Një pjesë e tyre nuk paguan për shkak se e adresuan problemin në  institucionet përkatëse me ndihmën e organizatave. Pëllumb Furtuna drejtues i qëndrës ‘Romani Baxt Albania’ i fokusuar në edukimin parashkollor të fëmijëvë romë në këtë zonë, tregon se ka një përmirësim të situatës lidhur me frekuentimin në kopësht e çerdhe të fëmijëve romë dhe egjiptianë.

Pëllumb Furtuna- Rromani Baxt

“Tashmë  prej vitesh është pjesë e traditës e rutinës së tyre që t’i çojnë fëmijët në kopësht e çerdhe. Ne kemi ndihmuar në regjistrimin e tyre si dhe kemi pajisur me vërtetim për përkatësinë etnike për t’u përjashtuar nga taksa e regjistrimit dhe tarifat. Një pjesë e madhe e fëmijëve nuk qëndrojnë deri në orën 4 apo 5, por është e rëndësishme që ata shkojnë. Sigurisht që ka nëna që për shkak të mungesës së kushteve higjeno-sanitare dhe kushteve të vështira sociale-ekonomike nuk i dërgojnë në kopësht fëmijët sepse nuk ka mundësi t’a veshin apo t’a pastrojnë. Ka edhe prindër të cilët nuk i dërgojnë për shkak se fëmija flet vetëm romisht dhe nuk ambjentohet dot me gjuhën shqipe”, shprehet për CRA, z.Furtuna.

Aktivisti Fatmir Zyberi shprehet gjithashtu se numri dhe frekuentimi në kopësht e çerdhe është më i lartë çdo vit për shkak të heqjes së tarifës. Megjithatë, në zonën e Yzberishtit, ku ai punon ka familje të varfëra të cilat i kanë regjistruar fëmijët por nuk e frekuentojnë më pas verejtjeve lidhur me pastërtinë dhe paraqitjen e fëmijëve.

Fatmir Zyberi-Aktivist i Qendra Për Advokim Social

“Përmes vërtetimit që japin organiztatat rome e egjiptiane ata përfitojnë regjistrimin falas. Problem ngelen ato familje që jetojnë në baraka të cilat nuk kanë kushte për t’u kujdesur për higjienën e fëmijëve. Ata janë ndjerë keq dhe nuk kanë shkuar më. Gjatë punës për t’i ndihmuar me regjistrimet kemi hasur në ato raste që kanë problem vendbanimin nga një qytet në tjetrin apo njësia në njësi, por me ndërhyrjen tonë kemi bërë të mundur pranimin”, tregon aktivisti Fatmir Zyberi.

 

Më të lexuarat