Sfidat në punësimin e mësuesve romë dhe egjiptianë, pse mungojnë në shkolla?

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Fjona Cela

Punësimi mbetet një ndër sfidat kryesore të anëtarëve të komunitetit rom/egjiptian. Veç punëve që kanë të bëjnë me mbledhjen e materialeve të riciklueshme, pastrimit apo tregtimit të produkteve të përdorura, rrallë herë ndodh të shohim anëtarë të këtyre pakicave të punësuar në sektorë të tjerë më fitimprurës, por për të cilët nevojitet arsimimi përkatës.

I tillë është profesioni i mësuesit, sa i vështirë aq edhe fisnik, pasi kontribuon në vlerat dhe edukimin e brezave të rinj. Por shumë pak pjesëtarë të këtij komuniteti, kanë pasur fatin të punojnë në këtë profesion, sidomos nga komuniteti rom, ku numrat janë të papërfillshëm.

Të dhënat mbi personat që i përkasin pakicës rome dhe egjiptiane të punësuar në institucione shkollore publike sipas Planit Kombëtar të Veprimit për Pakicat Rome dhe Egjiptiane në periudhën 2014-2023, tregojnë se shifrat e punësimit të këtyre komuniteteve janë të pakta.

Konkretisht sipas informacioneve në Nivel DRAP, rezulton se 48 persona romë/egjiptianë janë punësuar në institucione shkollore publike. Specifikisht 16 prej tyre në Durrës, 16 në Korçë, 12 në Fier dhe vetëm 4 në Lezhë.

Nëse do të ndalemi për ta parë më specifikisht, rezulton të ketë një mësues edukimi fizik në shkollën 9-Vjeçare “Myslim Shehu” në Dibër dhe një mësues ndihmës në shkollën “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë, ndërsa më së shumti janë të punësuar sanitarë e roje.

Megjithatë, “kleçka” që vihet re në këto shifra të raportuara është pikërisht fakti se numrat janë të përgjithshëm për të dy komunitetet rom dhe egjiptian, ndërkohë që duhet të jenë të mirëpërcaktuar për secilin, pasi me  ligjin e minoriteteve ata njihen si anëtarë dhe jo si një e përbashkët. Ky fakt është evidentuar edhe nga drejtori i Roma Versitas Albania, Emiliano Aliu.

Emiliano Aliu-Drejtues Ekzekutiv Roma Versitas Albania

“Ka vite që në Planin Kombëtar të Veprimit për Pakicat Rome dhe Egjiptiane, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përcakton të dhëna. Në të parën i bënë të segreguara, të ndara në romë dhe egjiptianë. Pasi e panë që numri është shumë i vogël, po të shohësh raportin e tyre, aty ku ka numra të konsiderueshme apo të dhëna të pranueshme, ata i bëjnë të segreguara, të ndara; aty ku nuk ka i fusin në një numër bashkë. Ne e kemi ngritur këtë si problem sepse realiteti duhet përcaktuar ashtu siç është. Romët dhe egjiptianët tani me ligjin e minoriteteve njihen si anëtarë, nuk njihen si një i përbashkët dhe të dhënat duhet të jenë të ndara”.

Nga ana tjetër, Aliu thekson se numri më i madh i të punësuarve në sektorin e arsimit është nga komuniteti egjiptian, ndërsa nga komuniteti rom numri është i papërfillshëm. E pikërisht për këtë arsye, edhe shifrat janë publikuar të përbashkëta e jo të ndara veçmas.

“99% e mësuesve janë vetëm egjiptianë, romë nuk ka mësues. Dhe ata që kanë mbaruar pedagogjikun shumica janë të gjithë të komunitetit egjiptian. Komuniteti rom është përqendruar më shumë tek Fakulteti i Shkencave Sociale. Vetëm 1 mësuese është e komunitetit rom, nga Berati. Meleqe Rrënja është mësuesja e parë nga ky komunitet dhe me më shumë eksperiencë. Në vendet e tjera janë të gjithë egjiptianë. Një që mbaroi shkollën ishte e komunitetit egjiptian por e martuar me rom. Ishte këtu në Tiranë, ka aplikuar, i ka marrë të gjitha provimet dhe pedagogjiken dhe ka punuar në Fushë Krujë si mësuese. Në fillim ka hasur goxha vështirësi, por sistemi është i qartë tashmë, çdo njeri mund të aplikojë në sistem, të marrë licencimin pedagogjik dhe mund të përfshihet në ZVA e t’i njihet puna.”-shprehet Aliu.

Për CRA, Emiliano Aliu rendit edhe arsyet që sipas tij kanë ndikuar tek pjesëtarët e komunitetit rom, që të mos zgjedhin si profesion mësuesinë.

“Ndër shkaqet kryesore është numri i ulët i studentëve romë. Edhe ata pak studentë që kanë qenë, të paktën ata që janë mbështetur me bursë, kanë shkuar në Fakultetin e Shkencave Sociale. Pjesa tjetër që ka pasur mundësi kanë zgjedhur edhe degë të tjera, por më pak. Për shembull sivjet u diplomuan dy vajza tek Fakukteti i Mjekësisë, por ama i ka shkuar universiteti 8 vjet. Në fakt ligji është i qartë, por nuk kemi studentë nga ky komunitet. Egjiptianët janë shumë në numër, por jo të gjithë duan të deklarohen. Dega e mësuesisë ka mbetur zero sepse nuk ka pasur një drejtim, një këshillim karriere apo një vend të sigurtë pune.”-tregon Emiliano Aliu.

Sfidat e mësuesve romë në profesion

Meleqe Rrënja është mësuesja e parë rome në Shqipëri. Pasioni për t’u bërë mësuese nisi nga dashuria që ka pasur për mësuesen e saj që në klasë të parë. Ajo tregon për CRA sesi i lindi dëshira për mësuesinë dhe luftën që bëri për të arritur këtë profesion, mes vështirësive për të çrrënjosur mentalitetin ‘burgosës’ asokohe.

Meleqe Rrënja, mësuesja e parë rome në Shqipëri

“Unë jam fejuar që 8 vjeçe në klasë të dytë dhe e kam prishur fejesën në vitin e tretë të shkollës pedagogjike. Familja më fejoi pa e njohur unë personin, pa e ditur dhe pa e parë ndonjëherë, por ai e kuptoi që unë e kisha mendjen në shkollë. Unë vazhdova shkollimin pa dëshirën e njerëzve të familjes, me shumë sakrifica, me shumë durim, me shumë diskriminim e me shumë probleme. Babait i thonin që e ka të fejuar vajzën e s’duhet të më nxirrnin nga shtëpia. Këto unë i dëgjoja, ndihesha shumë keq dhe nuk kuptoja çfarë thonin sepse isha e vogël. Megjithatë nuk u dorëzova”- thotë ajo.

Me mbi 53 vite eksperiencë pune, Meleqja nuk di të ndalet. Ajo thotë se nuk do të rreshtë kurrë së ardhuri në ndihmë grave dhe fëmijëve të komunitetit rom e egjiptian. Drejtoreshë e një kopshti, kryetare e organizatës së grave, përkthyese, eksperte në projekte me gratë e fëmijët, 75-vjeçarja me këtë energji të jashtëzakonshme kërkon ta përcjellë këtë pozitivitet edhe tek brezi i ri. Sikurse për të nuk ka qenë e lehtë, edhe brezi i sotëm do të duhet të përballet me vështirësi për t’u bërë mësues, por Meleqja i këshillon të mos stepen.

“Rezulton se vetëm unë jam mësuese e komunitetit rom në Shqipëri. Kjo ka ardhur si pasojë se nuk janë shkolluar. Për më tepër, mësuesia për komunitetin rom është e jashtëzakonisht e vështirë. Kjo sepse ne ndihemi të diskriminuar brenda vetes dhe kur të shan fëmija ‘kjo gabelja më foli’, është një injorim që nuk të bëhet më as të punosh e shkosh në shkollë. Mirëpo unë e kam gjetur zgjidhjen duke punuar, duke u sjellë mirë me fëmijët, me prindërit me kolegët dhe kam gjetur rrugën e duhur. Unë personalisht jam diskriminuar pozitivisht. Te shkolla ‘Bajram Curri’ të gjithë prindërit donin të ishin në klasë me mua fëmijët e tyre dhe unë u largova nga shkolla për të mos u ndjerë keq edhe kolegët. Pastaj fillova punë tek fëmijët e rrugës. Unë jam një shembull pozitiv, por është e vështirë të jesh mësuese sepse ky brezi i sotëm nuk di dhe nuk do të punojë. Duket të ndihen të lumtur që t’u japin dritë fëmijëve. Të jesh mësues rom me brezin e sotëm që i shajnë është e vështirë. Kjo i step dhe nuk gjejnë dot forcën që ta përballojnë. Në dallim nga unë që tashmë kam vite dhe kam krijuar një imazh dhe kam dashurinë e njerëzve për punën që bëj, atyre do u duhet ta nisin gjithçka nga fillimi. Ndaj duhet të kenë vullnet dhe kurajo”-shprehet Meleqja.

Zyrtarisht mësuesi i parë në Shqipëri i gjuhës rome i diplomuar në sistem universitar dhe mësues i licensuar është Raxhi Rakipi. Ai filloi studimet “Bachelor në gjuhë shqipe dhe rome” në vitin 2015 e po atë vit filloi të japë mësim në shkollën 9-vjeçare “Hamit Mullisi” për fëmijët romë, si mësues me kohë të pjesshme. Pasi u diplomua pas 3 vitesh nisi studimet “Master profesional për Mësuesi për gjuhë shqipe dhe letërsi” dhe u diplomua në 2020. Ky vit shënoi edhe nisjen e punës së tij si mësues i gjuhës rome në dy shkolla 9-vjeçare në  Elbasan, “Hamit Mullisi” dhe “Abdyl Paralloi”.

Raxhi Rakipi, mësuesi i parë i gjuhës rome në Shqipëri

“Në 2015 u paraqita para zyrave të IRCA, Intituti i Kulturës Rome në Shqipëri. Bëra të gjitha aplikimet që duheshin. Më njoftuan që Elbasani kishte degën ‘Gjuhë Shqipe dhe Rome’, është vetëm në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’. Të them të drejtën në fillim nuk u ndjeva shumë entuziast sepse nuk e dija nëse do të funksiononte, nëse do të kishte të regjistruar apo jo. Por në fund vendosa të shkoj drejt studimit të kësaj dege. Ish ai pari që u regjistrova në universitet fizikisht. Nga sekretaria më thanë që nuk dihej nëse do të hapej dega pasi duheshin minimalisht 10 individë. Fatmirësisht në vitin 2015 qëlloi të registroheshin 10 studentë në total, nga të cilët vetëm unë isha rom. Gjatë kohës që vazhdoja studimet, jepja vullnetarihst mësim në gjuhën rome në shollën 9-vjeçare “Hamit Mullisi” pranë komunitetit rom, ku sot kthehem i punësuar si mësues. Risia është që gjuha rome u fut edhe tek “Abdyl Paralloi”, një shkollë tjetër 9-vjeçare me prani të romëve nga zona e stadiumit sepse janë në dy zona në Elbasan. Do të thoja që studimet i kam kryer me pasion dhe nuk kam pasur vështirësi, nga ana tjetër jam folës dhe njohës shumë i mirë pasi kam gjuhën e nënës gjuhën rome. Për më tepër më pëlqen shumë si profesion. Për të gjetur vend punë ka qenë e vështirë, por momentalisht ka hapësira. Po të jesh këmbëngulës dhe po të kesh support nga organizatat arrin të punësoshesh në këtë profesion. Unë ndihem i kompletuar dhe jam krenar që ia arrita”-shprehet Raxhi.

Këto dy raste frymëzuese mund të shërbejnë si një shtysë pozitive për të rinjtë e kominitetit rom dhe egjiptianë, që të arsimohen dhe ushtrojnë profesionin e mësuesit për të edukuar dhe mësuar brezat e rinj.

 

Më të lexuarat