Kushte mesjetare, romët e Beratit të lënë në harresë nga institucionet

Të fundit

Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara, është gazetar dhe aktivist i komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri.

Dëgjo artikullin

 

Nga:Brejdon Xhavara dhe Loreta Koleci

Romët në lagjen ish-pjeshkore në Berat prej vitesh nuk kanë rrugë, ndriçim publik dhe shërbime publike. Community Reporters Albania udhëtoi në qytetin e Berat, ku vizitoi nga afër familjet Rome. Kur e shikon për herë të parë këtë lagje, të krijohet përshtypja sikur kthehesh shekuj pas në kohë, pasi kushtet dhe gjendja në të cilën jetojnë banorët e saj janë thuajse mesjetare.

Rrugët e lagjes janë  me baltë dhe pa ndriçim, banesat e tyre janë drejt shëmbjes pa asnjë investim konkret përgjatë viteve të fundit.

“Unë bëj 20 vjet që jam këtu, që jam martuar, nuk kemi as ujë, as drita tamam, edhe rruga është terë baltë, na vijnë fëmijët me baltë, nuk kemi derman që t’i lajmë rrobat, natën nuk dalim dot se është errësirë nëpër rrugë, terë baltë, nuk del dot se nuk kemi drita në rrugë.”

Rreth 150 familje Rome në këtë lagje punojnë duke mbledhur materiale të riciklueshme, tregti dhe lypje, ata tregojnë se 2 kurora jetojnë në banesë me vetëm 1 dhomë.

“Kam 15 vjet që jetoj ketu, ja shikoje, me të vuajtur, shkoj bredh për një kothere bukë që hajnë fëmijët, shkoj lyp atje, kush bën sevap më jep 1 qind lek, 2 qind lek, ça do bëj me këtë, hë fol, as sob asnjë gjë, kjo dhoma është nuk ka dhomë tjetër”

Përpos vafërisë, ata jetojnë në kushte të vështira jetesë duke mos pasur mundësi që të ken edhe kushtet më minimale të një jete dinjitoze. Infrastruktura rrugore, te kanalizimet e ujrave të zeza dhe të bardha, apo edhe ndriçimi janë tre shërbime publike bazike që në këtë lagje të Beratit që banohet nga komuniteti rom, ose mungojnë tërësisht ose janë në gjendje të degraduar.

“Problem është rruga, drita, vejnë fëmijët në shkollë, pellgje me ujë, kemi një barake, një shtëpi, ajo po bjen, do na zerë fëmijët poshtë, ne nuk duam as vila as pallate, të paktën një mbulesë ajo lart.”

Njëri pas tjetrit të gjithë banorët rom të kësaj lagje që folën për mikrofonin e Community Reporters Albania theksojnë se bashkia e Beratit nuk iu ka ardhur në ndihmë për asnjë lloj problemi apo çështje që ata kanë pasur.

“As ndihma nuk kemi nga bashkia, asnjë gjë prej gjejë, unë me bidona ushqej fëmijët. Kam dy fëmijet e djalit që po i rris vet se e kam djalin të vogël në moshë, vetë mbledh bidonat që i shes dhe blej ushqime, bebelina për fëmijët, pale fukarëlleku që kemi shumë probleme. Jemi fukarenj, se bashkia nuk na ndihmon, shtëpi nuk kemi, me një kasolle flejmë vetin i gjashtë ku do vemi, ku do mbytemi. As rrugë nuk kanë bërë, as drita nuk ka, asgjë fare.”

Për mikrofonin e Community Reporters Albania romët e ish-pjeshkores në Berat apelojnë për ndihmë edhe për strehimin, pasi ambientet ku ata jetojnë vështirë se mund të kenë ndonjë element për t’u konsideruar banesë.

“Të na ndihmojnë, të na bëjë shtëpi që jemi pa gjë fare, të na vejë drita, të na rregullojë rrugët, që janë copë copë rrugët, të na vejnë ndriçim që të shikojmë natën, të çojmë fëmijët në spital jemi fukarenj shumë. Nuk na ndihmon asnjëri. Një mbulesë dua, t’i bëj asajt kasolles atje, se kasolle është, ta mbuloj ta bëj se ça bie jasht bie brenda.”

Kjo braktisje totale e kësaj lagje të Beratit dhe banorëve të saj anëtarë të komunitetit rom, pamundëson mirërritjen e fëmijëve, shkollimin dhe edukimin e tyre sipas standardeve. Romët e kësaj lagje nuk kërkojnë lëmoshë, por kërkojnë infrastrukturë dhe kushte minimale që ata të kenë mundësi të jetojnë si bashkëqytetarët e tyre në pjesët e tjera të qytetit.

YouTube player

 

“30-40 vjet ja rruga është e njëjta është turp për ne, ne kemi bërë gjithmonë intervista dhe si përfundim nuk ka ardhur këtu asnjër, plehrat këtu na mbytën, po na sëmurën kalamajt, unë kam 6 fëmijë, në këto kohë është turpi i dynjasë, të tëra janë më poç me të gjitha dhe ndriçim nuk ka, 100 herë ka vajtur një komshija jonë në bashkia, as nuk e ka vën ujin në zjarr fare, i shikon plehrat këtu, rruga është e vështirë nuk kalon dot, ne kemi kalamajt venë në shkollë, venë ujë kthehen ujë në shtëpi, është turp, gjynah nga zoti, ne kërkojmë e para punës të shtrohet rruga, nuk duam ne as për të ngrënë as për të pirë.”

Në planin lokal të veprimit për Romët dhe Egjiptian, Bashkia Berat do të rikonstruktojë 20 banesa në lagjen “Ish-Pjeshkore”, me një fond prej 180.000.00 lekë dhe rregullimi i rrugëve të brëndshme në lagjen e tyre por deri më sot në muajin Janar 2024 në lagje nuk ka asnjë ndryshim

Por përballë kësaj situate, reagimi dhe përgjigja nga Bashkia e Beratit lë shumë për të dëshiruar.

CRA kontaktoi zyrtarisht me Bashkinë Berat duke i dërguar një shkresë për informacion në lidhje me investimet infrastrukturore në lagjen e romëve (Ish-Pjeshkoren). Në përgjigjen e saj, bashkia tha se është duke investuar dhe në proces ndërtimi të një argjinature mbrojtesë në lumin Osum për të shmangur nga përmbytjet që vërshojnë në periudhën e dimrit.

Ndërsa për rrjetin e kanalizimeve tha se e ka investuar organizata e kombeve të bashkuara në Shqipëri UNDP. Sakaq, çështjes së infrastrukturës rrugore dhe ndriçimit poblik bashkia Berat u përgjigj duke theksuar se nuk as fonde dhe as projekte për ta realizuar së afërmi.

 

Më të lexuarat