Kthimi i azilkërkuesve shqiptarë. Çfarë jep shteti për të rikthyerit nga azili?

Të fundit

Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara, është gazetar dhe aktivist i komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri.

Nga Fjona Cela

Në vitet 2015-2017 Shqipëria ishte vendi që kryesonte listën për numrin e të kthyerve nga shtetet e BE-së. Rikthimi i shqiptarëve në atdhe natyrshëm shoqërohet edhe me riintegrimin e tyre sa i përket punësimit, shëndetësisë, strehimit, arsimit dhe shërbimeve sociale.

Sfidat e Riintegrimit
Një sondazh i vitit 2020 për emigracionin në Shqipëri tregon se për shumë familje dhe individë, riintegrimi në vend nuk ka qenë i qëndrueshëm, veçanërisht në aspektin social dhe ekonomik dhe se gjendja e tyre nuk ka ndryshuar (madje në disa raste është përkeqësuar) krahasuar me periudhën para emigrimit.

Përballë kësaj situate, me mungesë të ndihmës së qendrueshme për riintegrim, shumë të kthyer e shohin riemigrimin ose emigracionin e dytë në vendet e BE-së, (kryesisht Gjermani) si alternativë të vetme për një jetesë më të mirë. Studimi tregon se shumica e të kthyerve kërkojnë emigrim të rregullt përmes një kontrate pune dhe vize, ndërsa vetëm një pjesë e vogël pohojnë se do të riaplikojnë për azil.

Në këtë rast, autoritetet vendore dhe organizatat jo-qeveritare që ofrojnë shërbime, përveç rritjes së mbështetjes ndaj tyre për riintegrim, duhet të punojnë në drejtim të rritjes së ndërgjegjësimit se riaplikimi për azil nuk është zgjidhja e vetme ndaj problemeve të tyre. Sa i përket kthimit të azilkërkuesve shqiptarë, një pjesë e tyre janë kthyer në mënyrë të pavarur dhe pa udhëzime nga autoritetet e vendit pritës.

Arsyet në këtë rast kanë qenë zakonisht të lidhura me çështjet familjare, si sëmundje e rëndë e një të afërmi apo probleme të tjera personale. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e azilkërkuesve të rikthyer përbëhet nga familjet dhe individët që u kthyen pas një përvoje negative për azilin, nga këta një pjesë u kthyen vullnetarisht dhe një pjesë u hoqën me forcë.

Samet Shaqiri, një shtetas shqiptar që është kthter nga azili, rrëfen për “Community Reporters Albania” arsyet që e shtynë të emigronte drejt Gjermanisë.
“Unë kam emigruar në Gjermani. Arsyeja që shkova atje ishte për një jetë më të mirë, se këtu në Shqipëri më duket jeta malore, njerëzit vdesin për bukë. Shtysa kryesore ishin vështirësitë ekonomike. Qëndrova atje bashkë me familjen time për 18 muaj.”
Më tej ai tregon mënyrën sesi u kthye në Shqipëri së bashku me familjen, aspak me dëshirë.

“Jemi kthyer që në mars. U detyruam të kthehemi sepse nga shteti gjerman na thanë që ose do na dëbonin me forcë drejt Shqipërisë, ose ta bënin në mënyrë që iknim vullnetarisht. Dhe ne ishim të detyruar ta bënim sikur ikëm vullnetarisht, sepse përndryshe do të na përcillnin me forcë. Unë isha atje me familjen me fëmijë të mitur, 6 vetë. Por kur u kthyem një djalë ma mbajti shteti gjerman. Sepse menduan se kemi dhunuar fëmijët. Por tani jam më i qetë se është tek motra ime.”
Rikthimi në Shqipëri nuk u prit aspak mirë nga familja Shaqiri, veçanërisht nga kryefamiljari i cili është i vetmi që punon për të siguruar sadopak të ardhura për familjen.
“Tani në Shqipëri s’kemi asnjë të ardhme. Unë duke mbledhur kanaçe nëpër kazana plehrash. Të ardhurat që marr aty nuk na dalin për familjen. Marr 7-8 mijë lekë në ditë, por jemi 6 vetë. Nga nuk punojmë gjithë ditën, nëpër fshatra e kudo duke grumbulluar gjëra të riciklueshme.” -shprehet ai.

Ai thotë se nuk ka tentuar sërish emigrimin në Gjermani, por kjo për shkak të frikës sesi mund të trajtohen dhe jo për shkak të mosdëshirës për të shkuar sërish atje. Megjithatë pasi u kthye në Shqipëri, asnjë ndimesë nuk u ofrua nga shteti shqiptar për këtë familje të kthyer nga azili, ndërsa nga shteti gjerman iu ofruan disa gjëra materiale.
“Për momentin nuk kam tentuar të kthehem në Gjermani vetëm nga frika se mos më marrin fëmijët, por do kishim ikur prapë”- tregon Sameti, teksa shton: “Shteti shqiptar pasi jemi kthyer nga azili nuk na ka dhënë asnjë ndihmë.

Gjermania na dha dy dollape, tre krevate; një dopio dhe dy teke dhe thanë që do më sjellin një lavatriçe, një frigorifer dhe ca batanije, por deri tani vetem këto na kanë sjellë. Nga Shqipëria asnjë mbështetje.”

Planet për të emigruar sërish

Struktura socio-demografike e azilkërkuesve dominohet kryesisht nga familjet e reja që e shohin si një mundësi për të siguruar një të ardhme më të mirë se ajo që u ofrohet në Shqipëri. Megjithatë një pjesë e mirë e tyre nuk mundën të qëndronin afatgjatë, duke qenë të detyruar të ktheheshin në Shqipëri, ku u përballën më një proces riintegrimi të vështirë.
Planet për të emigruar përsëri pas rikthimit në Shqipëri janë një tregues i qartë se riintegrimi për këta shtetas ka dështuar. Faktorë të tillë si mungesa e mbështetjes efektive, situata e vështirë ekonomike në Shqipëri, veçanërisht niveli shumë i ulët i pagave, kanë bërë që të rikthyerit ta shohin sërish si mundësi emigrimin.
Përmirësimi i shërbimeve në arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale, strehim, siguri etj. padyshim që janë investime afatgjatë në kohë dhe mbartin një peshë jo të vogël financiare, por nëse arrihet një objektiv i tillë do të pakësonte largimet masive të shqiptarëve drejt vendeve të tjera.

Më të lexuarat