Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe domosdoshmëria e veprimit për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Në vitin 2006, ndodhi ndryshimi më i rëndësishëm për personat me aftësi të kufizuar në fushën e të drejtave dhe adaptimit të legjislacionit për këtë target grup. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, miratoi në parim Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe më tej, duke i hapur rrugë nënshkrimit dhe ratifikimit të kësaj Konvente.

Shqipëria e nënshkroi në vitin 2012 Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe e ratifikoi me vendim të Parlamentit në vitin 2013. Me hyrjen në fuqi të këtij Dokumenti, Shqipëria si shtet palë duhej të adaptonte legjislacionin e saj për tu harmonizuar me Konventën dhe për të krijuar një standard të ri dhe bashkohor për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar.

Konventa për të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, në hierarkinë e legjislacionit Shqiptar, qëndron e dyta pas Kushtetutës, dhe është mbi ligjet dhe aktet nën-ligjore kombëtare. Në këtë kontekst legjislacioni shqiptar duhet të pasqyrojë, ato parime universale për të drejtat e njeriut, të cilat, janë në interes të target grupit dhe janë parime elementare për të garantuar një zbatim të drejtë dhe gjithpërfshirës të kuadrit ligjor e të drejtave.

Një nga risitë që Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar sjell, është fuqizimi i rolit të organizatave të vetë personave me aftësi të kufizuar. Ky është minoriteti më i madh i përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetsisë, me një relevance prej 15% të njerëzve në nivel global apo afërsisht 1.3 miliard persona në të gjithë botën. Duke përfshirë drejtpërdrejt personat me aftësi të kufizuar, në aspekte që ndikojnë dhe prekin jetën e tyre, derivon dhe motoja e përcaktuar nga Organizatat e Personave me Aftësi të Kufizuar “Asgjë për ne pa ne”.

Konventa është një zhvillim shumë i rëndësishëm për personat me aftësi të kufizuar për mirëqenien e tyre personale, të drejtat civile e politike dhe në mënyrë të padiskutueshme për jetesën e pavarur e me dinjitet si qytetarë. Për faktin e rëndësisë që zë ky dokument dhe për të gjykuar mbi arritjet e domosdoshme që shtetet palë duhet të kryejnë në përmbushjen e detyrimeve kundrejt target grupit, Kombet e Bashkuara përmes Zyrës së Komisionerit për të Drejtat e Njeriut kanë ngritur, Komitetin për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, një komision monitorues prej 18 ekspertësh të pavarur me qëllim monitorimin e zbatimit të Konventës. Raportimi në këtë komitet është periodik nga shtetet palë dhe kryhet një herë në katër vjet.

Aktualisht në bazë të parimeve të Konventës edhe Shqipëria po angazhohet në konceptimin bashkohor të modelit të aftësisë së kufizuar, duke ju qasur vlerësimit bio-psiko-social. Nga raportimi i vitit 2019, theksohet me nota pozitive, që po, ka një përspektive të re, e cila, ka çuar në miratimin e ligjit “Për Përfshirjen dhe Aksesueshmërinë e Personave me Aftësi të Kufizuar”, Urdhërin për profilet e mësuesit ndihmës dhe Planin Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kuifizuar. Megjithatë theksohet nga Komiteti se këto përpjekje janë të pamjaftueshme, nuk ka ende një adaptim të plotë të legjislacionit dhe iniciativat mbeten ende lokale dhe nuk ka një shtrirje kombëtare.

Shqipëria do të mbajë raportimin e saj si shtet palë në vitin 2024, përmes një mekanizmi të dyfishtë, raportimi institucional që kryhet nga delegacioni qeveritar dhe raportimi në hije ‘shadow report’, që do të kryhet nga një rrjet organizatash të shoqërisë civile, si organizata të personave me aftësi të kufizuar.

Përmes evidencave konkrete dhe eksperiencës nga puna e tyre për çështjet e aftësisë së kufizuar, organizatat sjellin pikëpamjet mbi ecurinë e Konventës dhe rekomandime për të bërë rregullime dhe përmirësim të legjislacionit të përkthyera këto në shërbime dhe përmbushje e të drejtave të komunitetit.

Konventa përmban 50 nene, të gjitha si nevojë për t’i garantuar personave me aftësi të kufizuar një jetesë të barabartë në mundësi dhe të jenë të përfshirë në komunitet për të ushtruar të gjithë potencialin e tyre maksimal si qënie njerëzore. Duke përmendur përmbledhtazi disa prej neneve për të cilat Shqipëria ka raportuar në vitin 2019 dhe do të raportojë sërish në vitin 2024, në raport përfshihen analizat e arritura deri më tani në aksesueshmëri, akses në drejtësi, jetesën e pavarur dhe të qenët i përfshirë në komunitet, edukimin, shëndetin, puna dhe punësimi, pjesëmarrja në jetën politike e publike, e të tjera nene, të gjitha së bashku duke përbërë një dëshmi se sa është përmirësuar jetesa si në aspektin cilësor ashtu edhe atë sasior të personave me aftësi të kufizuar.

Raporti nxjerr në pah kërkesat për ndryshim në Shqipëri, duke adresuar jo vetëm nevojën për aksesueshmërinë, barrierat e qëndrimit dhe reformat e politikave për të siguruar pjesëmarrjen e plotë dhe kuptimplotë të personave me aftësi të kufizuara në jetën politike dhe kulturore por edhe situatën aktuale të implementimit të konventës. Thyerja e këtyre barrierave nuk është vetëm një imperativ ligjor, por një hap vendimtar drejt ndërtimit të një shoqërie vërtet gjithëpërfshirëse.

Nevoja për të patur një panoramë të zhvillimit dhe problemet e hasura për zbatueshmërine e konventës, duke ditur faktin se personat me aftësi të kufizuar kanë qëne deri vonë të padukshëm në sistemin ndërkombëtar të drejtave të njeriut, të drejtat e barabarta të mbetura vetëm në nocionin teorik e shumë larg praktikës, mekanizmi i monitorimit dhe raportimi tashmë është një mjet përfaqësues për të shfaqur dhe matur ndërhyrje lokale e kombëtare.

Në këtë raportim të ri të Shqipërisë në Komitetin për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, pritet të shikohet jo vetëm progresi dhe arritjet për të sjellë në të ardhmen ndryshime impaktuese në jetën e personave me aftësi të kufizuar, por edhe informimi i gjërë dhe i përmbledhur nga aktorët e shoqërisë civile mbi zhvillimet që priten nga dhe për personat me aftësi të kufizuar.

A janë sot personat me aftësi të kufizuar, më të pavarur në çdo element që përmban konventa, më të mirëqënë, më të përfshirë në shoqëri? Kjo ende mbetet për tu parë pas disa muajsh kur të publikohen raportet. Por ajo që është më evidente, është fakti se organizatat e personave me aftësi të kufizuar dhe aktivistët, sot janë më pranë komunitetit për të përcjellë zërin e tyre dhe për të avokuar në përmbushjen e standardeve që rrjedhin nga Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar. Së bashku të gjithë aktorët duhet të bashkëpunojnë për të siguruar që të drejtat e personave me aftësi të kufizuara jo vetëm të përfshihen në ligj, por të realizohen në mënyrë aktive në jetën e përditshme të çdo individi.

 

Më të lexuarat