Ku çaloi Censi dhe problematikat që dolën për minoritetet

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Fjona Çela

Më 18 shtator nisi Censi i Popullsisë dhe Banesave në Shqipëri, me qëllim mbledhjen e të dhënave për popullsinë rezidente, karakteristikat sociale e demografike, për shëndetësinë, punësimin, strehimin, arsimin si dhe për fenë, gjuhën dhe etninë. Për kryerjen e këtij procesi në terren operuan rreth 8 mijë anketues, kontrollorë si dhe staf i terrenit për hartografinë.

Regjistrimi sipas risive tekonolgjike

Ky cens u shoqërua edhe me risi teknologjike, sa i përket mënyrës së regjistrimit të popullsisë dhe banesave. Tableti ishte mjeti elektronik përmes së cilit anketuesit regjistruan të dhënat e popullsisë, mënyrë e cila është aplikuar për herë të parë në vendin tonë për realizimin e censit. Sikurse në votimin elektronik që u zhvillua për zgjedhjet e fundit në disa bashki dhe procesi u shoqërua jo pa vështirësi e problematika, ngjashëm ndodhi edhe me censin.

Numërimi i minoriteteve për herë të parë në Censin 2023

Në censin e vitit 2023 u përfshi për herë të parë edhe numërimi i minoriteteve, një hap i rëndësishëm dhe pozitiv për pjesëtarët e pakivace kombëtare në vendin tonë. Por teksa u paralajmërua se do të ketë gjoba 50 mijë deri në 100 mijë lekë të reja për qytetarët që nuk pranojnë t’u përgjigjen pyetjeve; nga 100 pyetje në total, për 3 prej tyre u la liri zgjedhjeje. Pikërisht pyetjet për të cilat nuk ishte me detyrim përgjigjja, lidheshin me etninë, fenë dhe gjuhën.

Në përgjigjet e tyre minoritetet kishin të drejtë të zgjidhnin identitetin etnik duke përzgjedhur një nga alternativat e renditura në tabletin e anketuesit që ishin: Shqiptar/e, Grek/e, Malazez/e, Arumun/e, Rom/e, Egjiptian/e, Maqedonas/e, Serb/e, Bullgar/e, Boshnjak/e. Po ashtu midis opsioneve ishin edhe: Tjetër grup etno-kulturor, Grup etno-kulturor i përzier, Asnjë, Preferoj të mos përgjigjem.

“Community Reporters Albania” u interesua pranë zonave ku ka përqendrim më të lartë të pjesëtarëve të komuniteteve rome dhe egjiptiane, ku në fakt u adresuan disa problematika nga persona që morën pjesë në proces si anketues, por edhe qytetarë që i përkasin këtyre pakicave, të cilët preferuan të mbeten anonimë. Ata treguan për CRA se në zonat ku kishte numër të konsiderueshëm të pjesëtarvëve të këtyre komuniteve, anketuesit kanë shkuar në ditët e fundit kur procesi ishte drejt mbylljes, ndërsa pyetjet ishin shumë të shkurtra dhe jo të plota, për shembull në shumë familje pjesëtarëve nuk u është bërë pyetja se kujt etnie i përkasin.

Ankesa ka pasur edhe nga anketues, pjesë e komunitetit rom. Një anketuese pjesëtare e këtij komuniteti, tregoi se ka pasur raste që pyetësori nuk është arritur të përmbyllet deri në fund me të gjitha pyetjet, për shkak të problemeve teknike. Një rast i tillë ndodhi kur tableti e nxirrte në një zonë tjetër nga ajo ku ndodhej dhe nuk e kishin aksesueshmërinë të intervistonin siç duhej pjesëtarët e komuniteteve. Anketuesja e terrenit nuk ka arritur ta përfundojë deri në fund pyetësorin për shkak të problemeve të hasura gjatë përdorimit të tabletit dhe duhej ndërhyrja nga nga kontrollori, roli i të cilit në fakt është të jetë në çdo moment vështirësie me to në terren.

Këto anomali dhe problematika që në shumë raste çojnë në të dhëna të rreme apo edhe mungesë të dhënash, rrezikojnë të shtrembërojnë statistikat e censit të popullsisë dhe banesave.

Në fakt edhe në vitin 2011 kur u zhvillua censi i fundit në vendin tonë, shumë anëtarë të minoriteteve kundërshtuan rezultatet. Në atë vit, të dhënat për pakicat kombëtare rezultuan në një numër më të vogël veçanërisht për komunitetet rome dhe egjiptiane. Sipas shifrave ishin vetëm 8301 romë dhe 3368 egjiptianë, thënë ndryshe më pak se 0,5% e 2,8 milionë banorëve që ishin në total në vendin tonë. Asokohe një pjesë e mirë e këtyre pakicave thanë se nuk u intervistuan dhe se numri i pjesëtarëve të komunitetit ishte më i lartë se shifrat e publikuara.

 Shtyrjet e censit dhe kostoja

Censi kryhet një herë në 10 vjet dhe synon të sigurojë informacion të besueshëm statistikor, të nevojshëm për planifikimin dhe zbatimin e politikave të përgjithshme të zhvillimit, për kërkime shkencore, si dhe pasqyrimin e realitetit demografik, ekonomik dhe shoqëror të vendit. Censi i parë në vendin tonë është zhvilluar në vitin 1923 dhe i fundit në vitin 2011. Regjistrimi një herë në 10 vjet i popullsisë është një praktikë që respektohet nga shumica e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria. Që pas Luftës së Dytë Botërore, nga viti 1945 deri në vitin 2011 në vendin tonë regjistrimi i popullsisë është bërë në mënyrë periodike çdo 10 vite. Sipas këtij ritmi censi i radhës në Shqipëri ishte planifikuar të kryhej në 2020-ën, por për shkak të pandemisë Covid-19 u shty. Një tjetër shtyrje ndodhi edhe një vit më pas, në 2021-shin, pasi nuk lejohet numërimi i popullsisë në vite zgjedhore, referuar standardeve ndërkombëtare. Për shkak të mungesës së infrastrukturës teknologjike, edhe në tetor të vitit 2022 regjistrimi që pritej të kryhej u shty sërish nga INSTAT, për t’u kryer më 18 shtator 2023 dhe zgjati deri më 15 nëntor.

Që nga viti 1923, censi që sapo përfundoi është i 12-i që zhvillohet në vendin tonë, që prej kohës kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912. Sipas të dhënave, kostoja për realizimin e Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023 kushtoi midis 16.5-16.9 milion euro me një kosto prej rreth 6 euro personi. Buxheti i vënë në dispozicion sigurohet 55% nga buxheti i shtetit, 28% nga delegacioni europian dhe pjesa tjetër nga donatorë të ndryshëm.

Nga censi i fundit i zhvilluar në vitin 2011, rezultoi se popullsia banuese ishte 2,821,977 me rënie 8% nga Censi i vitit 2001. Ndërsa përsa i përket censit të vitit 2023, të dhënat e para pritet të publikohen në qershor 2024, ndërsa të dhënat më të detajuara në dhjetor 2024.

 

Më të lexuarat