Intervista me Shefin e Bashkëpunimit në Be/Ja si do ndahen fondet e pandemisë

Të fundit

Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara, është gazetar dhe aktivist i komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri.

Pakicat rome dhe egjiptiane në Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit kanë hasur probleme të mëdha në strehim, punësim, shëndetësi dhe arsim.

Qeveria shqiptare ka zbatuar shumë plane veprimi për integrimin e këtyre pakicave në jetën shoqërore, por edhe në shërbimet publike. Shumë studime të huaja tregojnë se niveli i punësimit dhe arsimit është shumë i ulët dhe kjo tregon se reformat e zbatuara në praktikë nuk kanë qenë të suksesshme.

Që kur Shqipëria u prek nga Covid-19, shumë familje të varfëra janë bërë edhe më të varfëra dhe si rezultat shumë familje rome dhe egjiptiane nuk kanë mundur të punojnë dhe të sigurojnë të ardhura për familjet e tyre. Duke qenë se ata kanë një përqindje shumë të lartë të punëve informale, si tregtimi i rrobave të përdorura dhe riciklimi i mbetjeve të riciklueshme, Bashkimi Evropian ka luajtur një rol kyç në integrimin e tyre, duke zbatuar projekte të ndryshme për integrimin ekonomik dhe social.

Gazetari i CRA, Brejdon Xhavara, intervistoi z.Mario Mariani i cili është Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së lidhur me fondet e shpërndara për Shqipërinë për të përballuar situatën e pandemisë në vendin tonë.

Intervista e plotë

Bashkimi Evropian ka dhënë grante për qeverinë për rimëkëmbjen ekonomike. Çfarë përqindjeje e këtyre fondeve që do t’i jepni Shqipërisë është për rimëkëmbjen ekonomike dhe do të përqendrohet te kategoritë e vulnerabel, të cilat përfshijnë romët dhe egjiptianët?

Mario Mariani: Po, faleminderit. Temat, sfidat që ju përmendët për komunitetet rome dhe egjiptiane janë sfida që ne i njohim mirë dhe për të cilat ne punojmë shumë intensivisht në rrethana normale. Siç e theksuat ju, këto nuk janë rrethana normale, ndaj ne kemi përgatitur një paketë të re mbështetjeje për ta ndihmuar Shqipërinë të përballet më mirë me pasojat dhe ndikimin e pandemisë.

Ne kemi krijuar një paketë prej mbi 50 milionë euro mbështetje, duke filluar me 4 milionë për pajisje shëndetësore për t’u përballur me urgjencën. Pastaj kemi një program për përfshirjen sociale, e cila prek dhe shtrihet te komunitetet në nevojë dhe siç e përmendët ju, një program për rimëkëmbjen ekonomike për të ndihmuar njerëzit që hasin sfida në tregun e punësimit, si dhe për të ndihmuar ekonominë dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Pastaj, kemi mobilizuar gjithashtu një ndihmë të madhe e cila është hua, 90% e asaj çka bëjmë janë grante, por kjo është një kredi prej 180 milionë eurosh dhe gjithashtu kemi punuar me të gjitha programet tona në vazhdim për t’u përpjekur t’i përshtatim ato, për t’i bërë ato më të shpejta në ofrimin e mbështetjes, sepse jemi në rrethana të ndryshme. Duke folur për rimëkëmbjen ekonomike, kemi një paketë prej 26 milionë eurosh për rimëkëmbjen ekonomike të lidhur me ndikimin e pandemisë dhe këtu kemi treguar kujdes të veçantë që një pjesë e kësaj mbështetjeje, një pjesë e konsiderueshme e kësaj mbështetje, të shkojë në dobi të komuniteteve më të cenueshme, duke filluar nga komunitetet rome dhe egjiptiane, të cilat gjithmonë kanë qenë në qendër të punës sonë.

Ne kemi llogaritur që nga këto 26 milionë, rreth 25% do të shkojë në komunitetet rome dhe egjiptiane të përcaktuara në mënyrë specifike me masa, të tilla si masat që nxisin pjesëmarrjen aktive në tregun e punës dhe gjithashtu uljen e informalitetit dhe futjen e punëtorëve informalë, që ne e dimë që janë mjaft të shumtë në komunitete, në tregun formal të punës.

Gazetari: A do të ketë një forcim të skemave aktuale të mbrojtjes sociale, të tilla si ndihma ekonomike, përfitimet e punësimit, apo do të ketë skema të reja të ndërtuara me qëllim të fuqizimit ekonomik të familjeve që kanë punuar në mënyrë informale për vite me radhë, si mbledhja e mbetjeve të riciklueshme dhe shitja e rrobave të përdorura?

Mario Mariani: Pjesa tjetër e mbështetjes sonë e lidhur me efektet e pandemisë, së bashku me rimëkëmbjen ekonomike, është përfshirja sociale. Ne kemi planifikuar të krijojmë një program për përfshirjen sociale dhe kemi shtuar fonde në këtë program, mbi 20 milion Euro, dhe kemi marrë masa të ngutshme, urgjente për të përballuar pandeminë. Dhe shumë prej tyre do të shkojnë drejtpërdrejt në dobi të komuniteteve rome dhe egjiptiane.

Si do të bëhet kjo? Para së gjithash, programi ynë trajton në një mënyrë globale, në një mënyrë të përgjithshme, çështjet e qasjes, të mbulimit, të gjithëpërfshirjes dhe efektivitetit. Pra, ne po përpiqemi të mbështesim strategjitë e mbrojtjes sociale, si dhe mjetet dhe instrumentet e mbrojtjes sociale që ka krijuar administrata, për t’i bërë ato më gjithëpërfshirëse, më efektive dhe me shtrirje më të mirë. Në të njëjtën kohë ne kemi identifikuar tregues të caktuar që do të na japin veçanërisht sinjalin se komunitetet më të cenueshme, siç janë romët dhe egjiptianët, të kenë masa specifike për t’u siguruar që ata marrin pjesë në këtë gjë. Dhe në të njëjtën kohë, po përdorim një qasje të përzier.

Pra, ne duam t’i kushtojmë vëmendje të veçantë komuniteteve rome dhe egjiptiane, si dhe komuniteteve të tjera të cenueshme, për shembull, njerëzit me aftësi të kufizuara, dhe duam të sigurohemi që politikat i trajtojnë në mënyrë specifike ata dhe të bëjmë përpjekje shtesë për t’i përfshirë. Por gjithashtu, në të njëjtën kohë, ne po mbajmë një mbështetje të synuar, si në këtë program që përmenda, që arrin globalisht 70 milionë euro. Ne kemi një komponent specifik që do të trajtojë ekskluzivisht komunitetet rome dhe egjiptiane dhe sfidat me të cilat ata përballen në drejtim të pjesëmarrjes, angazhimit në komunitet dhe qasjes në shërbimet themelore. Qasja siç e përmendët ju, është shumë e rëndësishme në tregun e punësimit.

Gazetari: Kjo është shumë e rëndësishme. Fondet që keni siguruar gjatë pandemisë, a keni ndonjë mekanizëm për matjen e tyre dhe a përfshijnë këto fonde ndonjë politikë për të ndihmuar integrimin e pakicave? Ju e përmendët këtë, por unë dua një përgjigje më konkrete në lidhje me mekanizmin.

Mario Mariani: Ne e ndjekim nga afër ndihmën tonë, qoftë në sferën e përfshirjes sociale apo nëse shkon veçanërisht në dobi të komuniteteve rome dhe egjiptiane apo në fusha të tjera. Ky është me të vërtetë fokusi i punës sonë. Ne e nisim duke u siguruar që partnerët zbatues që kryejnë disa nga veprimet në të gjithë vendin, e kanë vërtet këtë përgjegjësi dhe duhet të na raportojnë rregullisht se si po ecin punët. Ne kemi ekipin tonë të veçantë në Delegacion dhe ata shikojnë se si shkon përparimi, por edhe kolegët e tjerë merren posaçërisht me çështjet financiare dhe kontraktuale.

Dhe pastaj na duhet të dalim. Fatkeqësisht, të gjithë ne po përballemi me vështirësi tani në kohën e pandemisë, por nuk mund t’i menaxhosh këto projekte në një vend kaq të larmishëm sa Shqipëria thjesht duke ndenjur ulur në tryezë. Ndaj ne dalim në terren dhe shkojmë dhe monitorojmë vetë, por në të njëjtën kohë kemi mbështetje të jashtme, monitorues dhe auditorë, që kontrollojnë se si po kryhet zbatimi.

Gazetari: A do ta monitorojë Bashkimi Evropian zbatimin e ligjit për mbrojtjen e pakicave, pasi ligji u diskutua kohët e fundit, dhe Be ka kerkuar qe te jete pike e  negociatave që do të sigurojnë përfshirjen e pakicave në shoqëri?

Mario Mariani: Ju e përmendët vetë që konkluzionet e Këshillit Evropian nënvizojnë fuqimisht rëndësinë e ligjit në favor të pakicave kombëtare si dhe çështjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore, të cilat janë thelbësore për marrëdhëniet tona dhe për rrugën e pranimit të Shqipërisë drejt BE-ja Ju gjithashtu keni parë në Raportin tonë të rregullt vjetor se si ne nënvizojmë fushat ku kemi parë përparim dhe fusha të tjera që flasin posaçërisht për pakicat dhe të drejtat e tyre ku do të dëshironim të shihnim më shumë përparim dhe përparim më të përshpejtuar. Dhe ndërsa ecim përpara në rrugën e pranimit, intensiteti i monitorimit tonë dhe dialogu me administratën shqiptare do të rritet, do të bëhet më i fortë dhe veçanërisht në një fushë që është kaq thelbësore për marrëdhëniet, siç janë të drejtat e njeriut dhe të drejtat themelore.

Gazetari:Kam një pyetje të fundit, unë dua të di nëse konkluzionet operacionale 2019 për romët dhe egjiptianët është miratuar nga Këshilli Evropian?

Mario Mariani: Ajo çka është miratuar kohët e fundit është Strategjia e re për romët që Komisioni Evropian e ka paraqitur dhe është miratuar vetëm disa javë më parë, muajin e kaluar, dhe kjo do të na japë një udhëzues të ri, një vijë të re mbi atë se ku duam të shkojmë dhe si duam të përparojmë si brenda Bashkimit Evropian ashtu edhe me partnerët tanë, duke filluar me partnerët tanë më të ngushtë, siç është Shqipëria, për integrimin e komuniteteve rome. Integrim në të gjitha dimensionet, në të gjitha aspektet e jetës, në të gjithë sektorët. Dhe kjo është edhe mënyra se si ne i qasemi mbështetjes sonë dhe dialogut tonë me komunitetin, duke parë kënde të ndryshme, kënde të pjesëmarrjes, të cilësisë së të drejtave të barabarta, por edhe të pjesëmarrjes sociale dhe ekonomike, qasjes në shërbime, qasjes në tregun e punësimit dhe qasjes në mundësitë e biznesit.

Më të lexuarat