Avokati i Popullit/ 11 Rekomandime për Policinë e Shtetit

Të fundit

Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara, është gazetar dhe aktivist i komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri.

Raporti i Avokatit të Popullit nxjerr fajtor Policinë e Shtetit për sjelljen e tyre gjatë aksionit për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar me 17 Maj.

Avokati i Popullit i ka parashtruar 11 rekomandime institucioneve për të marrë masa, ndaj atyre që sipas këtij institucioni kanë kryer një seri shkeljesh individuale apo të organizuara.

Ja rekomandimet:

1.Marrjen e masave të nevojshme nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, për analizimin e thelluar, me objektivitet dhe profesionalizëm, të veprimeve/mosveprimeve të kundërligjshme, të trajtuar hollësisht në pjesën arsyetuese të këtij rekomandimi, të kryera nga punonjës të Policisë së Shtetit, si ndaj disa shtetasve që në datën 17.05.2020 kanë qenë në godinën e Teatrit Kombetar për të kundërshtuar prishjen e tij, ashtu edhe të protestuesve në ditën në vijim.

2.Identifikimin dhe fillimin e ecurisë disiplinore, për ata drejtues apo punonjës të Policisë së Shtetit, që me veprimet/mosveprimet e tyre, nuk kanë garantuar jetën dhe shëndetin e popullatës (përfshi edhe punonjësit shtetërorë), duke mbështetur veprimtari/operacione, të cilat kanë përbërë në vetvete, apo kanë çuar në grumbullime masive, në kohën kur ishte shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore.

3.Identifikimin dhe fillimin e ecurisë disiplinore, për ata punonjës të Policisë së Shtetit që kanë kryer veprime me të shoqëruarit në organet e policisë, për arsye se nuk kanë zbatuar detyrimin ligjor për mbajtjen e procesverbalit mbi veprimet e kryera me të shoqëruarit dhe dhënien e një kopjeje të tij, personave të shoqëruar, si dhe nuk kanë dokumentuar hyrjen e personave të shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

4.Identifikimin dhe fillimin e ecurisë disiplinore, për ata punonjës të Policisë së Shtetit që me veprimet e tyre kanë cenuar informimin e qytetarëve, duke penguar punonjësit e organeve të medias për të dokumentuar pjesë të ndryshme nga këto ngjarje.

5.Identifikimin dhe fillimin e ecurisë disiplinore, për ata drejtues të Policisë së Shtetit, që nuk lejuan vënien në dispozicion të pamjeve filmike të kërkuara nga institucioni i Avokatit të Popullit, duke penguar kështu hetimin administrativ të nisur nga institucioni ynë.

6.Marrjen e masave të nevojshme organizative dhe financiare nga strukturat qendrore të Policisë së Shtetit, për pajisjen e të gjithë punonjësve të policisë së shtetit, me mjetet mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19, në zbatim të akteve normative të miratuara me qëllim për të garantuar veprimtarinë ligjore të Policisë së Shtetit, gjatë periudhës së pandemisë dhe që ata të mos bëhen burim rreziku për përhapjen e tij. Të njëjtat masa të merren dhe respektohen edhe për shtetasit e shoqëruar/ndaluar/arrestuar në ambientet e policisë së shtetit, apo edhe gjatë transportit të tyre për në ambientet e mësipërme.

7.Identifikimin dhe fillimin e ecurisë disiplinore, ndaj atyre drejtuesve të strukturave të Policisë së Shtetit, që nuk kanë marrë masat e nevojshme për pajisjen e disa punonjësve të policisë, të caktuar me shërbim tek ish godina e Teatrit Kombëtar dhe e atyre që ishin me shërbim në komisariate, si dhe të personave të shoqëruar, me maska mbrojtëse, doreza e dezinfektantë, në zbatim të akteve normative të nxjerra nga organet kompetente, me qëllim parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19.

8.Marrjen e masave të nevojshme organizative dhe financiara nga strukturat qendrore të Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur pajisjen sa më parë të të gjithë punonjësëve të Policisë së Shtetit, me numrat personal të identifikimit të tyre, duke respektuar kështu detyrimet ligjore për uniformën e punonjësëve të Policisë së Shtetit, por edhe për të identifikuar më me lehtësi shkeljet ligjore që mund të kryejnë gjatë kryerjes së detyrave.Identifikimin dhe fillimin e ecurisë disiplinore, për ata drejtues të Policisë së Shtetit, që kanë lejuar ushtrimin e detyrës nga punonjës të Policisë së Shteit, pa numrin përkatës të identifikimit.

9.Marrjen e masave të nevojshme organizative, nga strukturat qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, për të vërë të mundur trajnimin e vazhdueshëm të punonjësëve të policisë, për njohjen dhe respektimin e të drejtave kushtetuese e ligjore të shtetasve, për mënyrën dhe masën e përdorimit të forcës, si dhe për sjelljen me etikë dhe korrektesë me shtetasit.

10.Shpejtimin e hetimit të procedurës penal të regjistruar nga organi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ndaj strukturave të Policisë së Shtetit për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, lidhur me dërgimin e forcave RENEA tek ish godina e Teatrit Kombëtar, para shëmbjes së saj.

11.Shpejtimin e hetimit të procedurës penal të regjistruar nga organi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për kallzimet e bëra nga shtetasit Maltin Grabova, Menduh Zavalani, Alfred Lela dhe Silva Caka, duke mbajtur  në konsideratë rekomandimet e bëra nga Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës, Trajtimit ose Dënimit cnjerëzor ose poshtërues, të cilët i kemi pasqyruar më sipër.

Për raportin e plotë klikoni këtu

Më të lexuarat