Si po i penalizon portali e-albania fëmijët romë dhe egjiptianë për tu regjistruar në shkollë

Të fundit

Jeta Pera
Jeta Pera
Jeta Pera ka studiur për Gjeografi në Universitetin e Tiranës, prej disa vitesh është aktiviste për të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri.

Fillimi i kopshtit dhe klasës së parë për fëmijët është një ditë e veçantë, por për disa nga fëmijët e komunitetit rom dhe egjiptian nuk ka rezultuar e tillë. Prindërit e tyre kanë hasur probleme për t’u regjistruar në institucionet arsimore.

Duke bërë një krahasim me vitet e kaluara, regjistrimi përmes portalit e-albania është shndërruar në pengesën kryesore.

Në momentin e parë që hasën këto pengesa, prindërit në zonën e Yzberishtit dhe të Selitës u janë drejtuar aktivistëve dhe organizatave rome dhe egjiptiane, të cilët prej vitesh kanë kontribuar në rritjen e aksesit në edukimin parashkollor për fëmijët e këtyre minoriteteve. Ndonëse ka patur zhvillime pozitive në këtë drejtim ende prindërit hasin probleme gjatë periudhës së regjistrimit.  

Ndryshimet teknologjike, mungesa e aksesit në internet apo e pajisjeve, ka shtuar radhën dhe kërkesat e prindërve për ndihmë pranë Qëndrës “Treja” dhe Qëndrës për Advokim Social, të cilat kanë ofruar ndihmë në plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për regjistrimin në kopshte, çerdhe dhe klasën e parë.

Xhuliana Sakollari

“Regjistrimi në klasën e parë përmes përdorimit të portalit e-albania, bëri që prindërit romë dhe egjiptianë të tejkalojnë afatet e regjistrimit duke menduar se do të ishte e pamundur t’i regjistrojnë. Ata nuk kanë akses as pajisje për të përdorur portalin dhe për shkak të mungesës së informacionit lidhur me ndryshimin e regjistrimit janë drejtuar në zyrat tona për të kërkuar ndihmën tonë. Ne kemi bashkëpunuar me shkollat e zonës dhe i kemi regjistruar pa u përdorur portalin”, shprehet Xhuljana Sakollari, aktiviste e Qëndrës për Advokim Social.

Aktivistja tregon se ka një sëri faktorësh që ndikojnë në aksesimin e portalit e-albania.

Niveli i ulët arsimor, mungesa e internetit dhe pajisjeve teknologjike, mungesa e një adrese email-i dhe numërit të telefonit, ata nuk mund të kenë akses në portal dhe e vetmja mundësi mbetet të drejtohen pranë zyrave të njësive administrative përkatëse për të plotësuar dosjen me dokumentat e nevojshëme. Gjatë periudhës Qershor-Shtator, Qëndra për Advokim Social ka ndihmuar në 40 aplikime për kopshte dhe çerdhe dhe 13 regjistrime janë kryer për klasën e parë, ku këta të fundit janë fëmijë azilantësh të kthyer në vend.

Eksperienca gjatë izolimit në vitin e kaluar, mungesa e nxënësve romë dhe egjiptianë në mësimin online nxori në pah pamundësinë për të aksesuar mësimin online, kështu këtë vit shkolla 9 vjeçare “Yzberishti”, e lehtësoi procesin e regjistrimit për klasat e para. Nëndrejtoresha e kësaj shkolle, Juliana Muça, ndau me CRA se regjistrimet për klasën e parë i kanë kryer pa përdorimin e portalit dhe njësoj si vitet e kaluara.

Shkolla jonë i njeh problematikat që ka komuniteti rom dhe egjiptian në Yzberisht dhe prindërit i kanë dorëzuar dokumentacionin pranë shkollës. Në dijeninë time kështu kanë vepruar shkollat në këtë zonë, shkollat e qarkut, ndërsa shkollat në qytetin e Tiranës kanë aplikuar regjistrimin përmes portalit e-albania”, tregon ajo.

Ndryshe nga klasa e parë, frekuentimi në sistemin parashkollor ka tarifë regjistrimi, e cila duhet paguar nga prindërit. Aktualisht prindërit romë dhe egjiptianë kanë mundësi të regjistrojnë fëmijët e tyre në kopshte dhe çerdhe publike, duke i lehtësuar financiarisht nga tarifa e regjistrimit.

Heqja e tyre në fund të vitit 2019, ndryshoi situatën duke lehtësuar procesin e regjistrimit. Kjo erdhi si pasojë e advokimit  nga Qëndra Treja për ndryshimin e vendimit të këshillit bashkiak,  ku në kategoritë e tjera në nevojë të cilat përjashtohen nga tarifat u përfshinë edhe fëmijët Romë dhe Egjiptianë në bashkinë e Tiranës.

Ferdiola Tare-Drejtore Ekzekutive Qendra “TREJA”

“Ky vendim rriti mundësinë dhe aksesin e fëmijëvë romë dhe egjiptianë për tu edukuar dhe arsimuar në institucionet publike. Kjo gjithashtu është një lehtësi financiare për prindërit të cilët kanë mundësi për tu punësuar dhe për të gjetur një vend pune të qëndrueshëme” tregon  Ferdiola Tare, drejtuese e Qëndrës Treja .




Neni 66, shkeputur nga VKB nr 158 datë 26.12.2019 “Për miratimin e sistemit të taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës.

Gjatë këtyre dy viteve, qëndra Treja ka monitoruar ecurinë e regjistrimeve për fëmijët e dy minoriteteve. Tashmë me dorëzimin e një vërtetimi për përkatësinë etnike ata regjistrohen në kopësht dhe çerdhe publike dhe përjashtohen nga tarifa e regjistrimit. Megjithatë, për prindërit romë dhe egjiptianë mbetet sfidë dorëzimi i një dokumenti përmes të cilit të vërtetojnë se janë të punësuar me kohë të plotë dhe paguajnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Këtë fillimviti mësimor qëndra ka ndihmuar 30 prindër romë dhe egjiptianë për regjistrimet në kopshte dhe çerdhe.

Drejtuesja e qendrës Treja tregon se një pjesë e konsiderueshme të prindërve romë dhe egjiptianë punojnë informalisht dhe kjo bëhet pengesë dhe sfidë për pranimin e fëmijëve të tyre në këto institucione. Ndonëse udhëzimi i Qëndrës Ekonomike për Zhvillimin dhe Edukimin e Fëmijëve nuk e përcakton si kriter dorëzimin e një dokumenti të tillë, ai kërkohet nga kopshti dhe çerdhja. Shpesh ka raste kur mospranimi i fëmijëve për këtë arsye konsiderohet si diskriminim nga ana e prindërve bazuar në parkatësinë etnike dhe gjendjen ekonomike, por institucionet shprehen se  kanë kapacitet të kufizuar.  

Për shkak të punës në terren me familjet, prindërit kanë mundësi të informohen dhe ndihmohen nga këto organizata, por shërbimet që lidhen me portalin e-albania në pamundësi të aksesimit nga qytetarët mund të merren vetëm pranë zyrave të njësive administrative. Banorët romë të njësisë administrative numër 5, shprehen se mungesa e kryerjes së shërbimeve nga punonjësit e njësisë dhe pamundësia e aksesit në portal i ka penalizuar jo vetëm për regjistrimin e fëmijëve në institucionet arsimore, por edhe të shkëputen nga skema e ndihmës ekonomike. Për shkak të kësaj situate, disa nga banorët i janë drejtuar me ankesë institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.  

Më të lexuarat