Nga Fjona Çela
“Derisa vdekja të na ndajë”! Ky është betimi që dy partenrët ia thonë njëri tjetrit kur kurorëzojnë marrëdhënien e tyre me martesë. Por ky premtim nuk përmbushet gjithmonë. Nga viti në vit, në Shqipëri numri i padive për zgjidhje të martesës ka ardhur në rritje.
Shtimi i divorceve është një tregues që shoqëria shqiptare, por edhe martesa si institucion, po përjeton një krizë të thellë. Shpesh ndodh që ndarjet të vijnë që në vitet e para të martesës, por nuk mungojnë divorcet pas një lidhje disa vjeçare, kur marrëdhënia në çift shpesh konsiderohet më e konsoliduar.
Në Europë shqiptarët renditen ndër të parët për numrin e martesave në raport me popullsisë, por fakti që një pjesë e mirë e tyre përfundojnë në divorc, na rendit sërish ndër vendet e para me numrin e zgjidhjes së martesave.Të dhënat tregojnë se në të paktën pesë vitet e fundit numri i padive në gjykata për t’i dhënë fund martesës është rritur me mbi 35%, ndërsa referuar të dhënave të “Instat”, Tirana mban numrin më të lartë të divorceve.
Në vitin 2020 në gjithë vendin rezulton se janë bërë 9,328 kërkesa në gjykata për t’i dhënë fund martesës. Viti 2021 shënoi rritje në numrit të çështjeve për zgjidhje martese, me 10,798 çifte që kanë kërkuar divorcohen e rreth 11,000 çifte kanë bërë kërkesë në gjykatat e vendit për t’i dhënë fund martesës në vitin që lamë pas. Dy vitet e fundit kanë shënuar kështu shifrën më të lartë të kërkesave për divorc në Shqipëri.
Tirana rezulton të jetë qyteti me numrin me të madh të kërkesave për ndarje, duke marrë parasysh se edhe numri i popullsisë në kryeqytet është më i madh. Nga të dhënat që Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i vuri në dispozicion “Community Reporters Albania”, bëhet me dije se në vitin 2020 në këtë Gjykatë kanë qenë gjithsej 2306 çështje me objekt “Zgjidhje martese”, në bazë të nenit 125 e vijues të Kodit të Familjes, nga të cilat Gjykata është shprehur me vendim për 1079 prej tyre. Në vitin 2021 kanë qenë 2851 çështje me objekt “Zgjidhje martese”, nga të cilat Gjykata është shprehur me vendim për 1559 prej tyre, ndërsa në vitin 2022 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë qenë gjithsej 2676 çështje me objekt “Zgjidhje martese”, nga të cilat Gjykata është shprehur me vendim për 1117 prej tyre.
Statistikat tregojnë se numri i divorceve vijon të mbetet tepër shqetësues përgjatë viteve.
Nëse i referohemi të dhënave nga KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë përsa i përket numrit të padive të përfunduara për zgjidhje martese për vitet 2018, 2019 dhe 2020, vihet re se në vitin 2019 shifrat kanë qenë më të larta, siç tregohen në grafikun e mëposhtëm.
Këto shifra jo të vogla të divorceve, kanë njohur gati dyfishim që prej fundit të viteve ’90. Krahasuar me këto vite, numrat e martesave aktualisht kanë rënë ndjeshëm, në rreth 9300 martesa më pak, e ndërsa divorcet janë shtuar.
SHKAQET DHE PASOJAT E DIVORCEVE
Këto shifra nxisin ekspertët të mendojnë se familja shqiptare është në krizë. Alarm për shoqërinë e cilësojnë sociologët, rritjen e numrit të divorceve, në një kohë kur numri i martesave është ulur. Shkaktarët e divorceve janë të shumtë dhe nga më të ndryshmet.
Sociologia Entela Binjaku vlerëson se në këto 30 vitet e fundit edhe koncepti i shoqërisë sonë për martesën nuk është më ai që ka qenë më parë. Hapja e shoqërisë, urbanizimi, emigrimi, lëvizjet migratore brenda vendit, liria individuale, rritja e pavarësisë ekonomike të gruas, dukuritë e panjohura më parë si përdorimi i substancave, i lojrave të fatit, përdorimi i alkoolit etj. kanë bërë që martesa të gjendet nën të gjitha këto faktorë. Ndër të tjera ajo sqaron arsyet kryesore që po çojnë çiftet drejt ndarjes.
“Për shumë njerëz martesa nuk është ajo lidhje partneriteti po aq e domosdoshme sa më parë. Në rast se njerëzit kanë pakënaqësi nga martesa dhe kanë mundësi ekonomike të mira, ata mendojnë se e kanë nuk e kanë të vështirë jetën. Sot nuk më është aq turp sa ka qenë, që të jesh i apo e divorcuar. Shpesh herë divorcet ndodhin sepse tek partneret zhgënjehen pritshmëritë ndaj këtij institucioni, pra kur në martesë ndodh më pak sesa kanë pritur. Në këto 30 vite integrimi në shoqërinë tonë ka ardhur në rënie. Shoqëria në dallim sa ka pas qenë, është e paqëndrueshme, ka ndryshuar dhe ndryshon, urbanizimi dhe lëvizjet e qytetarëve po zvogëlojnë lidhjet shoqërore dhe kjo ka bërë që edhe normat shoqërore të sjelljes të ndryshojnë. Studiuesit kur trajtojnë divorcin përqëndrohen në shumë drejtime si: mosha e lidhurve në martesë, dallimet në të ardhura, dallimet në arsimim, niveli i të ardhurave familjare, mënyra e jetesës para dhe gjatë martesës, shkalla e pranueshmërisë së divorcit nga prindërit dhe nga të afërmit e partnerëve të lidhur në martesë, integrimi, frekuentimi apo shkalla e besimit fetar etj. Duke parë statistikat e gjyqësorit ndër shkaqet që na çojnë ne shqiptarëve në divorc mund të përmendim: dhunën, dallimet në karakter, tradhtia bashkëshortore, vështirësitë ekonomike, kur njëri nuk lind, pëdorimi i substancave të ndaluara etj.”- thotë ajo.
Sipas sociologes Binjaku, duke i parë të gjitha këto kuptojmë se edhe pse në dukje është një veprim individual, sërish divorci është dukuri shoqërore. Pra nuk është vetëm vullneti individual që i çon në divorc çiftet, por janë edhe faktorët shoqërorë që ndryshojnë sipas periudhave, sipas kulturave. Binjaku vlerëson se numri në rritje i divorceve ka vite që ndodh, dhe në shoqërinë tonë është një dukuri në rritje. Mjaft të shohësh statistikat e gjykatave tona që e pasqyrojnë këtë rritje dhe thuajse të gjithë kalojnë nëpër këto faza: parandarja, ndarja, përshtatja pas ndarjes, normalizimi në jetën vetëm. Ajo që ndryshon është sa zgjat secila fazë nga një rast tek tjetri. Një dukuri që vihet re vitet e fundit, është se gratë po ndërmarrin më shumë hapin e parë për të zgjidhur një martesë të palumtur. Kjo lidhet disi edhe me fuqizimin apo pavarësinë e tyre ekonomike, suksesin profesional dhe zbehjen e opinionit që dikur rëndonte më shumë mbi gratë nëse divorcoheshin.
“Në Shqipëri divorci është zbatuar sipas të drejtës zakonore që ja njihte këtë të drejtë vetëm burrit. Madje kjo e drejtë edhe pse e njëanshme haste në kundërshtinë e klerit katolik psh. që vlerësonte kurorën si gjënë më të shenjtë të njeriut. Në gjysmën e dytë të shekullit XX u njoh e drejta edhe e gruas, si për martesën ashtu edhe për divorcing, por brenda kufijve që i njihte regjimi që lamë pas. Pas viteve ´90 shohim që divorcin e kërkojnë si burrat po ashtu edhe gratë. Statistikat thonë që më së shumti kërkesën e bëjnë gratë, gati 80 përqind të kërkesave janë nga gratë. Burrat janë më të shumtë kur bëhet fjalë për shkelje të besnikërisë bashkëshortore nga gruaja” -thotë ajo.
Ekspertët japin edhe sygjerime mbi ndihmën që mund t’u ofrohet grave të divorcuara, në rastet kur dhuna është shkaku që i ka çuar drejt ndarjes.
“Statistikat tregojnë që ndër këto 80 përqind të kërkesë-padive që regjistrohen në gjykatë nga gratë, shumica si shkak të divorcit paraqesin dhunën. Shumë nga këto gra kanë edhe urdhëra mbrojtjeje, që do të thotë se kanë nevojë për mbështetje, kryesisht për strehim. Por edhe për programe mbështetëse për shembull për punësim, për ndjekje të shërbimeve shëndëtesore për fëmijët, për shërbime mbeshtëse për edukimin e fëmijëve. Bashkitë duhet të mbështesin gratë e divorcuara, kryefamiljare apo që kanë urdhëra mbrojtjeje me programe të strehimit social, apo edhe kur nuk arrijnë t’jua sigurojnë, së paku me bonuse qirash”-shprehet sociologia Binjaku.
Kjo pasi përgjithësisht, kur gruaja është kryefamiljare apo me urdhër mbrojtjeje, ajo ka prirjen të bjerë në varfëri nëse nuk ka edhe mbështetje me programe sociale nga pushteti vendor.
Procesi i zgjidhjes së martesës përtej problematikave të shumta që mbart, përbën një kosto emocionale edhe për fëmijët, të cilët janë ata që vuajnë më së shumti pasojat e të gjitha konflikteve mes prindërve. Fakt shqetësues në këtë situatë është se nënat përgjithësisht ndeshen me mospagesën e pensionit ushqimor nga baballarët, ndërsa këta të fundit jo rrallë herë kanë pengesa në takimet me fëmijët e tyre. Nuk përjashtohen edhe rastet kur prindi ka të deklaruar vetëm pagën minimale dhe jo aq sa paguhet realisht, rastet kur është i papunë apo emigrant që nuk ka asnjë të ardhur të deklaruar. Pikërisht në bazë kë kësaj page, gjykata vendos dhe detyrimin ushqimor, ku në rastet e përmendura më sipër, babai nuk dërgon pagesë për fëmijët, detyrimin ushqimor, dhe rrjedhimisht janë nënat ato që u bie barra të përballojnë të gjitha shpenzimet e fëmijës.
Kushtet ekonomike janë shkak kryesor që i shtyjnë gratë të mos e zgjidhin martesën, por edhe ato që arrijnë divorcin hasin shumë vështirësi e probleme, ku përveçse paragjykohen nga shoqëria apo familja, jo në pak raste mbeten pa punë, pa shtëpi e pa të ardhura të mjaftueshme. Ndaj në thelb, divorci mbetet një proces i vështirë.