Nxënësit Romë dhe Egjiptianë në risk braktisje nuk përfitojnë bursë ashtu siç e parashikon vendimi i Këshillit të Ministrave. Fëmijë të cilët vijnë nga familje të varfëra braktisin shkollën për të kryer punë informale dhe të sigurojnë të ardhura për të përmbushur nevojat bazike të familjes. Vendimi nr. 666, datë 10.10.2019, i Këshillit të Ministrave “Për kuotat financiare të ushqimit në mensa e konvikte, përcaktimin e kritereve për përfitimin e bursave e të pagesave për nxënësit e arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike” parashikon trajtimin me bursë të nxënësve, fëmijë të familjeve të varfëra, të cilët janë të regjistruar në arsimin bazë por në pamundësi financiare nuk e ndjekin atë. Aktivistë dhe organizata në mbrojtje të të drejtave të këtyre dy minoriteteve e kanë adresuar këtë fenomen duke kërkuar zbatimin e ligjit për të ndikuar në uljen e braktisjes së arsimit.
“Në fakt ky vendim i Këshillit të Ministrave nuk ka gjetur zbatim siç duhet pasi kriteret dhe procedura që duhet ndjekur nuk adreson drejt këtë problematikë. Sipas një udhëzimi të dalë në funksion të kësaj VKM-je nxënësit duhet të kenë braktisur shkollën dhe të jenë deklaruar nga drejtoria e shkollës si të tillë. Mirëpo një praktike e tillë nuk është ndjekur”, shprehet për CRA drejtuesi i organizatës Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome në Elbasan, Ervis Çota.
Sipas tij, bazuar në procesin e advokimit të kësaj çështje, të dhënat zyrtare tregojnë nivel të ulët të braktisjes, por shkollat nuk bëjnë raportimin real të nxënësve braktisës për shkak se do të ndikojë negativisht në strukturën e tyre shkollore.
Edhe në shkollat e Tiranës ligji nuk gjen zbatim. Fation Kaca, drejtues i Qëndrës për Organizim Komunitar thekson se ky fenomeni i braktisjes së arsimit për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike është i përhapur në bashkinë Tiranë, ku aktualisht janë evidentuar të paktën 60 nxënës rom dhe egjiptian braktisës në disa shkolla.
“Duke marrë parasysh nevojën financiare që këto familje kanë, bursa është mekanizmi i duhur për rikthimin e pjesës më të madhe të këtyre nxënësve në shkollë, pasi minimalisht masa e bursës është e barazvlefshme me kontributin që mund të jap fëmija duke ndihmuar prindërit”, shprehet ai për CRA.
Mos zbatimi i këtij neni vjen si pasojë e mos qartësisë në mëyrën e zbatimit të këtij vendimi, duke i ngarkuar përgjegjësinë Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve. Sipas organizatave të angazhuara në këtë çështje, VKM do të gjejë zbatim nëse Ministria e Arsimit do të bëjë ndryshime duke përcaktuar përfitimin e bursës për të gjithë nxënësit rom dhe egjiptian që ndjekin arsimin 9-vjeçar dhe që janë në kushte të vështira ekonomike.
Nga ana tjetër mozbatimi i këtij vendimi i vendos në pozita diskrimunese këta nxënës, prandaj edhe Qëndra Treja ka adresuar këtë problem pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ky i fundit iu është bashkuar organizatave në kauzën e tyre për të nxitur përfitimin e bursës nga nxënësit në risk braktisje. Qëndra Treja ka evidentuar 100 nxënës të cilët janë braktisës në bashkinë e Korcës.
“Nga përfitimi i bursave për kategorinë ‘familje në nevojë’, kanë mbetur të përjashtuar rreth 100 fëmijë. Në bashkëpunim me Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi jemi duke ndjekur këtë rast me qëllim përfshirjen e fëmijëve në skemën e përfitimit të bursës. Mbështetja financiare konsiderohet shumë e rëndësishme për të lehtësuar disi prindërit me shpenzimet për edukimin e fëmijëve dhe nga ana tjetër për të ndikuar në uljen e riskut të braktisjes së shkollës”, shkruhet në postimin e facebook të qëndrës.
“Përgjatë procesit të advokimit për këtë problem, ka patur nje angazhim të institucioneve përgjegjëse dhe shkollave për zbatimin e VKM, por kriteret dhe procedura e parashikuar nuk ka qënë në përputhje me situatën reale nëpër shkolla. Gjithashtu për shkak të mungesës së praktikës së mëparshme ka munguar bashkëpunimi dhe koordinimi midis shkollave dhe institucioneve përgjegjëse të përfshira për të mundësuar ndjekjen e procesit”, vijon Ervis Çota.
Qëndra për Organizim dhe Fuqizim Komunitar dhe Qëndra T’reja në Tiranë, iu kanë ardhur në ndihmë rasteve individuale të nxënësve rom dhe egjiptian që kanë qënë në risk braktisjeje. Organizatat i kanë sugjeruar drejtorisë arsimore në bashki që të fillojë zbatimi sa më parë të paktën me ato raste të cilët qartazi janë braktisës dhe plotësojnë kriteret ekonomike. Zbatimi i këtij vendimi jo vetëm që është detyrim ligjor, por ndikon në rritjen e nivelit arsimor të nxënsve rom dhe egjiptian, si investimi më i mirë për integrimin e tyre.