Egjiptianët në Shqipëri, kulturat e traditat e tyre dhe pasojat Censusit të manipuluar  

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Fjona Cela

Të vendosur prej vitesh në Shqipëri, pjesëtarë të komunitetit egjiptian, bashkë me traditat dhe kulturën e tyre, përbëjnë një prej pakicave kombëtare të vendit tonë.  Që prej tetorit të vitit 2017, egjiptianët në Shqipëri njihen si një pakicë kombëtare sipas ligjit Nr. 96/2017 mbi “Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë”. Ndërsa 24 qershori njihet si Dita Ndërkombëtare e Egjiptianëve të Ballkanit, në kujtesë të mbledhjes së parë të Asamblesë të mbajtur në Ohër, në Maqedoninë e Veriut më 24 qershor 1990.

Por si e ka gjetur ky vit komunitetin Egjiptian në Shqipëri? Me çfarë sfidash hasen ata dhe çfarë duhet bërë nga pikëpamja sociale e ligjore për këtë pakicë?

I ftuar në Podcastin “Community Voice”, Arjan Lile, anëtar i pakicës egjiptiane në Shqipëri, njëherazi anëtar i Komitetit të Pakicave Kombëtare, i dha përgjigje pyetjeve kryesore që lidhen me pjesëtarët e këtij komuniteti, duke u ndalur edhe në çfarë duhet bërë më shumë në aspektin e përmirësimit të jetesës për pjesëtarët e këtij komuniteti.

Sipas tij, data 24 qershor është fryti i përpjekjeve për identitet të egjiptianëve të Shqipërisë dhe Ballkanit, dhe çdo vit tashmë përkujtohet si datë e kësaj pakice edhe për brezat e ardhshëm. Këtë pakicë, Lile e cilëson “revolucionare”, pasi ka sjellë ndryshim në disa fusha të jetës. Të ardhur nga Egjipti i Lashtë nëpërmjet Nilit, për shkak të luftërave të asaj kohe, rreth shekullit të 18 para erës snë, ata siguronin jetësën duke u marrë kryesisht me blegtori e zejtari.

Tashmë pakica egjiptiane i ka të asimiluara kulturat, traditat e zakonet e tyre. Z. Lile tregon disa nga veçoritë e kulturës së tyre.

Arjan Lile-Anëtar i Pakicës Shtetërore Kombëtare

“Çka ka mbetur historikisht traditë është punimi i hekurit, pra hekurpunuesit, që merreshin që në kohët e lashta me plugjet, po ashtu kur kanë ardhur kanë kontribuar shumë në bujqësi. Pjesë e kulturës së egjiptianëve të Shqipërisë është gjithashtu edhe martesa brenda llojit. Janë një komunitet që i kanë ruajtur vlerat dhe traditat e tyre. Janë përpunues të mirë të enëve të baltës, kryesisht në Korçë e Pogradec, dhe më pak në Tiranë, por kryesisht janë të përqendruar tek përpunimi i hekurit”.

Sa i përket numrit të pjesëtarëve të pakisës egjiptiane në Shqipëri, Lile thotë se nga censusi i vitit 2011, shifrat nuk kanë treguar numrin e saktë të tyre duke u manipuluar, pasi numri i egjiptianëve ka qenë më i madh.

“Censusi i 2011 është disi qesharak me shifrat, sepse 3368 egjiptianë që ka nxjerrë censusi, është e papranueshme jo vetëm për ne si pakicë, por edhe pakica të tjera që kanë ankesat e tyre ndaj censusit. Mund të themi se ky është një manipulim me shifrat, sepse nëse numri i pakicave në Shqipëri do të ishte më i lartë, kjo do të thotë detyrime për shtetin. Ulja e numrit të tyre dhe rezultatet e censusit bënë që pakica egjiptianë të mbetej në nivele të vogla dhe të padukshme të përfaqësimit. Nëse ne mbetemi në këto shifra, nuk do të kemi ende përfaqësime.

Ndërsa së shpejti pritet edhe kryerja e censusit të ardhshëm, z. Lile teksa tregon përgatitjet e pakisës egjiptiane dhe pritshmëritë për censusin, përcjell edhe një mesazh.

“Në censusin e ardhshëm në dijeninë time ka shumë individë të pakicës egjiptiane dhe organizata që kanë marrë pjesë nëpër trajnime për mënyrën sesi do të zhvillohet censusi. Ne si komitet jemi në koherencë më zhvillimet dhe kemi kërkuar informacion se çfarë po bëhet me censusin, deri ku janë përpjekjet e sondazhet, kush dhe sa janë përfshirë etj. Duke kontribuar me individë të kualifikuar, tek mënyra sesi do të ndërtohet pyetësori për t’ia bërë më të qartë pjesëtarit të një pakice, kujt i përket e çfarë duhet të deklarojë.

E ndërsa përfaqësimi politik aktualisht është thuajse i padukshëm për këtë kategori, do të këtë kërkesa që pjesëtarë të komunitetit egjiptian të kenë përfaqësues të tyre në përlament, këshilla bashkiakë, nëse rezultatet pas kryerjes së censusit tregojnë se kjo pakicë përbën 10-15% të popullsisë.

“Sigurisht që shteti do të shohë më kriticizëm mënyrën sesi ka operuar deri tani dhe do të jetë i vetëdijshëm që ndoshta nuk do të këtë fare nevojë për kuota, por do të marrë përgjegjësitë e tij sociale dhe ligjore që kjo pakicë dhe të tjerat të përfaqësohen pse jo dhe me kuota, siç është modeli Kosovar, kroat, maqedonas, malazez e shumë të tjerë. Duke qenë të përfaqësuar në këto lloj nivelesh, që të gjitha ministritë të kenë nga një përfaqësues të çdo pakice, do të jetë një kontribut shumë i madh i pakicave për këtë vend.”- shprehet Arjan Lile, anëtar i pakicës egjiptiane në Shqipëri.

Trajtimi në mënyrë të pabarabartë, shkelja e të drejtave dhe rastet e diskriminimit ndaj këtij komuniteti janë të pashmangshme. Përpara viteve ’90, sipas Arjan Lile, diskiminimi ndaj tyre ishte në mënyrë më të drejtpërdrejtë. Por si është sot situata në këtë aspekt?

“Deri në vitet ’90 diskriminimi tek egjiptianët ka qenë shumë i ashpër, por politika kishte të veçantë, se pavarësisht se mund t’i përkisje një komuniteti të caktuar, me shumë vështirësi edhe në atë kohë, mund të integroheshe e mund të ishe një person me merita. Ndërsa në ditët e sotme diskriminimi është edhe më i vështirë sepse është bërë më klasik dhe më i kamufluar.

Komiteti për pakicat kombëtare së fundmi po merret edhe më një strategji zhvillimore për mënyrat sesi anëtarët e pakicave të kënë më shumë probabilitet për të kërkuar e për të ngritur zërin për pakicat respektiva. Në fokus të punës mbetet evidentimi i problematikave në terren, bashkëpunimi me organizatat, orientimi i individëve që kanë një problematikë të caktuar dhe kalimi i çështjeve në organet kompetente për të gjetur zgjidhje. Por në një situatë ku ka ende shumë punë për t’u bërë dhe ngërçet janë prezente, Komiteti i Pakicave Kombëtare ka disa kërkesa për shtetin shqiptar, të cilat u parashtruan nga z. Arjan Lile:

“Kërkesat e Komitetit janë që së pari, ligjet e pamiratuara, tre aktet nënligjore të miratohen sa më shpejt. Së dyti, në Census të mos ketë konflikt interesi, të lihen qytetarët të vetëdeklarojnë apo të vetëshpallin identitetin e tyre etnik. Kërkesë tjetër është që të hapet më shumë mundësia duke përdorur strategji të veçanta, jo domosdoshmërisht me një pakicë tjetër të ngjashme, duke i hapur rrugë zgjidhjes së problematikave njëherë e mirë dhe përfaqësimit.

 

 

 

 

 

 

Më të lexuarat