Nga Denada Lura
Ilaria Paoli ka 8 vite që jeton në Shqipëri. Ajo ka ardhur këtu pasi ra në dashuri me Olsin, djalin shqiptar nga Bërxulla e Tiranës që asokohe jetonte në Itali.
Fati e deshi që historia e tyre të vazhdonte, madje edhe të kurorëzohej në martesë. Ilaria ka dashur shumë të bëjë një dasmë shqiptare këtu, dhe e ka bërë, tipike tradicionale, të cilën ajo e përshkruan kështu: “Ashtu si e e donin gratë e Bërxullës”.
Ilaria është përshtatur lehtë në Shqipëri, madje edhe me jetën e fshatit. Ajo jeton në Bërxullë së bashku me vjehrrin dhe vjehrrën, me të cilët thotë se ka një marrëdhënie të shkëlqyer.
Gatuan shumë mirë, madje edhe ushqime tradicionale shqiptare dhe në Bërxullë ka mësuar edhe shumë mirë të flasë shqip.
Ilaria Paoli ka lindur më, 25.11.1998 në La Spezia të Italisë, në një familje të vogël me katër pjesëtarë, prindërit, Ilaria dhe vëllai i saj. Ndryshe nga ç’bëri Ilara që zemra e solli në Shqipëri, vëllai i saj jetën e ka ndërtuar në vendlindje atje ku ka krijuar familjen e vetë dhe është pranë prindërve.
“Fëmijëria ime ishte shumë e plotë, u rrita në një familje që më mësoi vlerat e rëndësishme të jetës pa më llastuar kurrë shumë, por duke më dhënë dashurinë që ata e konsideronin të përshtatshme. Unë erdha të jetoj në Shqipëri në vitin 2015, por hera e parë kur kam ardhur për festat e vitit të ri në 2014. Në shtator bëj tetë vite që jetoj këtu”.
Ilaria ka studiuar ekonomi turizmi në La Spezia. Profesioni i saj është fotografia dhe aktualisht punon në studion e saj të fotografisë: “Pasioni im ishte fotografia dhe arrita pas shumë vitesh punë të palodhur të hap studion time personale në Tiranë. Jeta ime në Shqipëri ka qenë plot me eksperienca dhe rritje personale, ky vend më ka pritur krahëhapur në çdo kuptim, një vend dhe njerëz të mrekullueshëm, mikpritës dhe plot bukuri. Në vendin tim të lindjes kam kaluar fëmijërinë dhe një pjesë të adoleshencës sime dhe e dua pa masë vendin tim, më prezantoi me popullin shqiptar që në moshë të vogël dhe jam shumë i lumtur për këtë,” thotë Ilaria.
Populli shqiptar është i shkëlqyer, sipas saj, njerëz mikpritës, që kanë kaluar kaq shumë dhimbje, e kanë bërë forcën e tyre dhe kanë dalë fitimtarë dhe kanë arritur të krijojnë një vend të shkëlqyer. “Ju keni shumë për t’i ofruar kësaj bote”, shprehet ajo.
“Mendoj se i vetmi ndryshim midis vendit tim dhe Shqipërisë është mirëpritja e mrekullueshme që ju u ofroni njerëzve, qofshin ata pjesë e familjes tuaj apo jo, dhe një ndryshim tjetër është fakti që arrini t’i bëni njerëzit të ndihen të pranuar dhe pjesë e popullit tuaj, dhe kjo nuk ka rendesi nga cili vend jemi apo si jemi krijuar, e rëndësishme është që jemi njerëz dhe të gjithë jemi një familje e madhe. Jam përshtatur në mënyrë perfekte me jetën në Shqiperi. Më duket sikur kam qenë gjithmonë këtu dhe e dua jetën këtu!”
Kur një i huaj ose miqtë dhe familja e saj në Itali e pyesin për Shqipërinë, ajo ka vetëm gjëra të bukura për t’u thënë. Nëse ata ende nuk e kanë vizituar, duhet ta bëjnë absolutisht sa më shpejt që të jetë e mundur sepse Shqipëria për Ilarian është një vend i thjeshtë, por plot bukuri!
“Një vend që doli shumë vonë nga një diktaturë e tmerrshme dhe megjithatë, ata u rikthyen më shpejt nga sa besojnë në të vërtetë, një vend në zhvillim dhe që së shpejti e gjithë bota do ta dijë për të siç është tashmë për shumë njerëz!”, shton Ilaria.
Historia e Ilarias është shumë frymëzuese edhe romantike njëkohësisht! Ajo është e lumtur që ndoqi zemrën dhe në Bërxullë u ndje e rrethuar gjithashtu edhe nga dashuria e banorëve të këtij fshati të vogël. Ajo në fund, ka një mesazh për të gjithë:
“Mendoj se e gjithë bota është një vend dhe çdo njeri është gjithmonë në kërkim të më të mirës së asaj që ka, kur në realitet ne e kemi pasur gjithmonë më të mirën para syve, por nuk jemi në gjendje ta vlerësojmë atë për atë që meriton! Erdha në Shqipëri sepse ndoqa zemrën dhe dashurinë time, dhe vetëm këtë e mora mbrapsht, ndaj kjo është përvoja ime personale. Secili jeton jetën e tij dhe është përgjegjës për të, nëse janë më të lumtur diku tjetër, unë mund t’i uroj atyre më të mirat kudo që vendosin të shkojnë!”