Dashuri në katror/ Meksikania le Londrën për Shqipërinë

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Denada Lura

Ajo quhet Anahí Martínez dhe është me origjinë nga Meksika. Kur erdhi në Shqipëri për të kaluar një verë, nuk e kishte menduar, që pikërisht djaloshi shqiptar që e ftoi të vizitonte vendlindjen e tij, do t`i rrëmbente zemrën e Shqipëria gjithashtu…

“Kam ardhur për herë të parë në verën e vitit 2013 dhe më ka pëlqyer shumë. Më pas kam vendosur të jetoj këtu në Tetor 2013. Në Tetor do bëj 10 vite që jetoj në Shqipëri. Pse zgjodha Shqipërinë? Kur isha në Londër kisha një shok shqiptar, që më ftoi në Shqipëri 2 javë gjatë verës 2013. Rash në dashuri me vendin, por edhe me djalin. Ai është aktualisht bashkëshorti im dhe bashkë kemi vendosur të jetojmë këtu.”

Ata sot janë të martuar dhe kanë një djalë 6-vjeç. Prej 10 vitesh Anahi jeton në Shqipëri dhe e flet gjuhën shqipe rrjedhshëm. Ndërkohë, babai dhe motra më e vogël e Anahi-t jetojnë në Meksikë. Mamaja e saj për fat të keq ka ndërruar jetë në nëntor të vitit 2022.

Deri në moshën 6-vjeçare, Anahí Martínez ka jetuar në Mexico City. Nga darkat e mëdha tek pushimet në Acapulco, kujtimet e fëmijërisë, Anahi i ruan shtrenjtë: “Mami ka qenë edukatore dhe unë kam qenë në të njëtin kopsht. Pas kopshtit zakonisht shkonim te shtëpia e gjyshërve. Motra ime atëherë ka qenë beb dhe rrinte me gjyshen. Kam kujtime shumë të bukura në këtë shtëpi, bashkë me gjyshërit, tezet dhe me dajën. Ka pasur një oborr të vogël ku gjyshja mbante zogjt, që këndonin gjatë gjithë kohës. Mbaj mend, që kam pasur me qejf mësimet e notit në pishinë dhe ndonjëherë kam fituar garën e notit. Familja ime nga ana e mamit ka qenë gjithmonë shumë sociale dhe kanë pasur të zakonshme, që gjatë fundjavës të bëjnë dreka ose darka dhe festa në shtëpi të ndryshme me shumë njerëz. Jam rritur e mësuar me muzikë të lartë dhe kërcime deri vonë.

Për pushimet zakonisht shkonim në Acapulco me gjithë familjen dhe shokët tanë dhe rrinim në plazh në grupe të mëdha.”

Ëndrra e saj ishte të udhëtonte botën, të vizitonte vende të ndryshme dhe kontinente të largëta. “Kam dashur të studioja jashtë Meksikës, në Amerikë ose në Evropë. Kam ëndërruar dasmën time dhe me fëmijët. Mendoj që ëndrrat e mia janë realizuar, por shpresoj që akoma kam ende për të udhëtuar më shumë.”

Sa i përket studimeve, ajo ka përfunduar Bachelor në Ekonomi në Meksikë në një institucion publik për hulumtimin dhe mësimin e shkencave sociale. Më pas ka kryer Masterin tek “London School of Economics”. Për këtë ka fituar një bursë të financuar nga Qeverja Japoneze nëpërmjet Bankës Botërore.

Profesioni i saj është ekonomiste e specializuar në monitorimin dhe vlerësimin e projekteve zhvillimore, ka fituar disa vite përvojë pune në sektorin publik, shoqërinë civile dhe akademinë në vende të ndryshme. Aktualisht punon në Shqipëri.

“Jeta ime në Shqipëri është e mire. Kam fatin që kam familjen, shëndetin, shtëpinë, dhe punën. Kam njohur njerëz të ndryshëm dhe kam pasur mundësinë për të parë një pjesë të madhe të vendit. Kam mësuar gjuhen shqipe dhe kjo gjithashtu më ka hapur dyert. 

Jeta ime në Meksikë, besoj që do të ishte e mirë gjithashtu, por shumë ndryshe nga jeta që kam në Shqipëri.”

Ajo bën edhe në paralelizëm mes dy vendeve, ngjashmëritë dhe ndryshimet: Ka disa gjëra që janë ndryshe. Shqipëria është një vend i vogël krahasuar me Meksikën, atje ka shumë njerëz. Këtu në Tiranë vuajmë me trafikun, por trafiku në Mexico City është 10 herë më keq. Në Shqipëri jeta është më e ngadaltë. Ushqimi është ndryshe, po ashtu klima. Meksika ka një ofertë më të madhe për turizmin, për argëtimin, për aktivitetet kulturore.

Anahí Martínez është zyrtarisht një nënshtetase shqiptare dhe madje ka votuar 2 herë deri tani. Ajo madje thotë: “Jam mëse e përshtatur me jetën në Shqipëri. Avash, avash, mësoj shprehje të ndryshme si “mos e vrit mendjen”, “vari leshtë” ose “flet si kodra pas bregut”.  Unë ndihem edhe shqiptare edhe meksikane.”

Anahi i vlerëson shqiptarët si populli më mikpritës në botë, kurreshtarë, por edhe me vlera të larta veçanërisht për familjen. Ajo gjithashtu shton se: “shqiptarët janë gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar dhe më kanë ndihmuar kur kam pasur nevojë për ndihmë.”

Po çfarë do t`i thoshte Anahi një të huaji nëse do ta pyeste për Shqipërinë? “Duhet të vizitosh Shqipërinë, do hash si mbret dhe do të vizitosh vende natyrore dhe kulturore me shumë vlerë. Është një përvojë e paharrueshme sepse Shqipëria zakonisht surprizon vizitorët që e vizitojnë për herë të parë.”

E në ditët kur fatkeqësisht shumë shqiptarë zgjedhin të largohen, ajo ka zgjedhur Shqipërinë për të jetuar! “Unë kam pasur fat dhe ndihem e privilegjuar. Por nuk mund të themi që mundësitë janë gjithmonë të aksesueshme për të gjithë në këtë vend.  Mua më vjen inat kur degjoj për njerëzit e mirë, që punojnë fort, por që nuk arrijnë të ndërtojnë jetën që duan këtu. Por kjo nuk domethenë që jashtë do të jetë më mirë.  Në disa raste po, dhe në disa raste kjo nuk ndodh. Ndërkohë, Shqipëria po humb rininë e saj dhe po përjeton ikjen e trurit ose ‘brain drain’. Kjo situatë më duket alarmante dhe ndihem e trishtuar për këtë.

Ëndrra e shqiptarëve duhe të jetë Shqipëria! Në kohët kur popullsia shqiptare po zvogëlohet, emigrimi po rritet e popullsia plaket, është shumë i bukur mesazhi i një gruaje meksikane që ka ndërtuar jetën e saj lumturisht në Shqipëri.

“Mesazhi im është që Shqipëria patjetër ka nevojë për shqiptarët. Çdo palë ka diçka për të bërë: ka nevojë për politikat, që synojnë të zgjerojnë mundësitë e shqiptarëve për të qëndruar në Shqipëri. Ka nevojë për të incentivuar një lloj emigrim që potencon dhe që nuk dëmton zhvillimin e vendit. Por, besoj që gjithashtu ka nevojë për një ndryshim të mentalitetit, për një sensibilizim të të rinjve dhe për më shumë dashuri për atdheun e tyre.”

Më të lexuarat