A u shua “Open Ballkan”, cila është e ardhmja e rajonit?

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Në tetor 2019, kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë nënshkruan deklaratën e një nismë për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit ndërmjet tre vendeve. Nisma u paraqit nga tre liderët e tre vendeve si një mundësi për përshpejtimin e integrimit të rajonit në Bashkimin Europian,  gjithëpërfshirëse dhe e hapur për anëtarësimin e vendeve të tjera të rajonit. Për Ramën, Vuçiçin dhe Zaevin (Kovaçevskin më pas), nisma Open Balkan nuk ishte gjë tjetër veçse një njësi zbatuese e procesit të Berlinit.

Mes kundërshtimesh nga brenda dhe jashtë vendeve dhe një skepticizmi të madh edhe përtej rajonit të Ballkanit Perëndimor, Ballkani i Hapur nga tetori i 2019-ës deri në verën e 2023-it zhvilloi 9 samite në të treja vendet pjesëmarrëse.

SAMITET DHE MARRËVESHJET E FIRMOSURA

Në disa prej tyre, morën pjesë me statusin e të ftuarit, liderët e Malit të Zi dhe Bosnjes dhe vendi i vetëm që në mënyrë sistematike refuzoi për t’u bërë pjesë ishte Kosova. Afro 10 marrëveshje dhe 3 memorandume janë firmosur nga liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut gjatë 9 samiteve të mbajtura në të treja vendet gjatë pothuajse 4 viteve që nisma rajonale ishte aktive.

Për liderët e tre vendeve Open Balkan ishte një nismë rajonale që nuk zëvendësonte asnjë proces apo nismë tjetër të iniciuar nga Brukseli apo me mbështetjen e vendeve të tjera europiane, por një mënyrë që të përshpejtohej çdo gjë që më herët ishte dakordësuar në tryezat e organizuara në kryeqytetet europiane.

Në disa prej këtyre takimeve tripalëshe Tiranë-Beograd-Shkup pati edhe përfaqësi nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian që mbështetën bashkëpunimin rajonal, por duke vënë theksin që orientimi e të tre vendeve do duhet të jetë i palëkundur drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.

FILLIMI I FUNDIT TË NISMËS?

Por gjithë kjo panoramë gati 4 vjeçare, duke sikur u përmbys në fillim të korrikut të këtij viti. Përgjatë një turi ballkanik, ku vizitoi kryeqytetet e të 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dha mesazhe të qarta, se koha e “Open Balkan” kishte mbaruar.

“Për domosdoshmërinë që të gjithë së bashku të futemi nën ombrellën e Procesit të Berlinit si rezultat, ajo që unë dua të përsëris është që ne duhet të zhytemi me mendje dhe zemër në Procesin e Berlinit për ta kthyer atë në një proces funksional, ashtu siç tregoi Ballkani i Hapur se ne mund të jemi funksional kur jemi së bashku. Procesi i Berlinit nuk ngeci nga ata që ngritën Ballkanin e Hapur, por nga vetot e jo s’dua këtë, jo nuk vijë aty, jo nuk firmosi, jo shihemi nesër…Shpresojmë që tani t’i japim një shtysë të re duke pasur parasysh se tani nuk është një proces si deri më sot, por shpresoj ta kthejmë në një proces të tillë me planin e ri të financimeve të Bashkimit Evropian”, tha Rama gjatë konferencës që pati me homologun e tij Maqedonas, Dimitar Kovaçevski në Shkup.

Por këto fjali të Ramës që u duk se sinjalizuan fundin e Ballkanit të Hapur, nuk ishin në sinkron me idetë që kishin Kovaçevski dhe Vuçiç.

“Historia për Ballkanin e Hapur nuk ka përfunduar. Ballkani i Hapur ka dhënë shumë rezultate të cilat janë të dukshme, të prekshme. Ballkani i Hapur nuk ka përfunduar misionin pasi ai angazhohet për të njëjtat vlera që angazhohet Procesi i Berlinit, si një procesi i madh që përfshin të gjitha nismat pa përjashtim”, tha Kovaçevski.

Këtë mendim se kreu i ekezekutivit maqedonas kishte edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, që madje në konferencën e përbashkët me Ramën në Beograd, shkoi një hap më tej.

“Për Ballkanin e Hapur nuk do kemi diskutime të lehta, por të frytshme. Solli përfitime shumë të frytshme për qytetarët tanë. Folëm për pikëpamjet tona të ndryshme për Kosovën. Dallimet tona si do zgjidhen problemet do ta leme për ne dhe do e diskutojmë gjatë mbrëmjes. Pavarësisht pikëpamjeve te ndryshme Serbia do vijoje përpjekje për marrëdhënie te mira me Shqipërinë”, u shpreh presidenti serb, duke nënkuptuar qartazi se nuk bie dakord me idenë e kryeministrit shqiptar për ta parë këtë nismë si një kapitull të mbyllur.

Gjatë këtij turi që zhvillohej në një periudhë të tensionuar për rajonin për shkak të situatës në veri të Kosovës dhe protestave të vazhdueshme të komunitetit serb atje, u duk sikur nxori në pah një shkëndijë përplasje mes tre liderëve dhe që lajmëroi përmbylljen e kësaj nisme të përbashkët rajonale.

Është ende jo shumë e qartë se çfarë e shkaktoi këtë ndryshim kursi, sidomos të kryeministrit shqiptar Edi Rama, pasi përveçse Gjermania ka shprehu gatishmërinë për ta riaktivizuar Procesin e Berlinit, nuk ka pasur zhvillime të tjera të forta publike që ta diktonin një gjë të tillë.

Me përmbylljen e kësaj nisme, por edhe të një klime tënsioni që duket se është gjithmonë i pranishëm në Ballkan, është ende e paqartë se si do të vijon bashkëpunimi rajonal mes këtyre tre vendeve, por edhe i tre vendeve të tjera që nuk u bën pjesë të projektit. Gjithë vëmendja tashmë ka kaluar të “Procesi i Berlinit”që organizohet me bekmin e Gjermanisë. Por se sa do mundet që ky proces i dirigjiuar nga kancelari gjerman do të ketë sukses, vetëm koha dhe suksesi i zbatimit të reformave do e tregojë.

Më të lexuarat