Fe dhe fushatë, si po i përdor politika shqiptare festat fetare

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Shtruan iftarë thuajse çdo natë gjatë Ramazanit, urojnë të parët për Pashkë e Bajram, por ndonjëherë marrin pjesë edhe në ligjërata fetare, sjellje të tilla janë të zakonta për politikanët shqiptarë gjatë fushatave. Këtë pranëverë gjatë “rrugës” për në zgjedhjet lokale të 14 majit përkuan të festohen 30 ditët e Ramazanit, Fiter Bajrami, Pashkët Katolike e ato Ortodokse. Kjo ishte një mundësi e mirë për politikanët shqiptarë që të tregonin edhe një herë devotshmërinë e tyre si fetarë të përkushtuar dhe një shans për të provuar të thithin sa më shumë vota nga ata që e kanë frikë zotin.

Duke marrë shkas në një shtim eksponencial i përdorimit të festave fetare nga politika, Community Reporters Albania ka bërë një analizë të sjelljes së politikanëve shqiptarë gjatë javëve të fundit të fushatës për zgjedhjet lokale të 14 majit.

PSE PËRZIHEN FESTAT FETARE ME FUSHATËN?

Analisti dhe politologu, Shpend Gashi shprehet se shtrimi i iftarëve gjatë muajit të Ramazanit nga politikanë apo kandidatë për kryetarë bashkie është një praktikë që u dallua për herë të parë si fenomen në zgjedhjet e 25 prillit 2021

Shpend Gashi-Analist dhe politolog

“Mendoj se kjo është bërë për të tërhequr më shumë vëmendje në prag të fushatës. Unë kam ndjekur edhe fushatën e Ramës në zgjedhjet e 2021-shit. Edhe atëherë përkoi me muajin e Ramazanit. Teksa këndohej ezani, Rama e përdorte me kast faktin që duhet të pushojmë se po flet Hoxha. Kur regjistrohej me kamera e ndalonte fjalimin, me qëllim që të dëgjohej ezani. Pastaj bën gjithmonë batuta për tolerancën fetare, a thua se ka ndonjë meritë të madhe shqiptari për tolerancë fetare”, shprehet politologu, Shpend Gashi.

Edhe ekspertja e komunikimit, Irena Myzeqari evidenton një shtim të përzjerjes së politikanëve dhe kandidatëve për zgjedhjet në aktivitetet dhe festat fetare. Sipas saj përzjerja e mesazheve politike me ato fetare gjatë këtyre momenteve  të rëndësishme për besimtarët lë një shije të keqe dhe në shumë raste mund të konsiderohet edhe si jo etike.

Irena Myzeqari-Eksperte Komunikimi

“Nga zgjedhjet në zgjedhje po vihet re një vëmendje e shtuar ndaj teknikave të komunikimit publik, si një tendencë për të treguar ose për t’i bërë audiencat të besojnë se politika është afër njerëzve, jeton me gëzimet dhe ndan shqetësimet e tyre. Në këto zgjedhje lokale rastisën disa festa religjioze, siç ishte Muaji i Ramazanit, apo edhe Pashkët Katolike dhe ato Ortodokse, dhe vumë re në kohë reale se si një praktikë sociale e një komuniteti të caktuar, mund të instrumentalizohet për të përçuar mesazhe të caktuara politike. Në aspektin teologjik  iftari është një simbolikë e bukur e besimit islam, ndaj bëhet shumë e shëmtuar kur sheh që kjo praktikë dhe ky moment kaq sublim për komunitetin, të kthehet në një mjet dhe instrument propagande për të marrë disa vota plus dhe për të krijuar një ide se ky komunitet, me gjithë shumësinë e zërave që mund të ketë brenda tij, është unanim me zërin e Partisë në pushtet në këtë rast, e cila ishte edhe ajo që ka shtruar më shumë iftare”, shprehet Myzeqari.

Sipas Gashit, imazhi që tentojnë të shesin politikanët me shtrimin e iftarëve dhe afrimin tek besimtarët gjatë këtij muaji është në kuadër të PR politik dhe me qëllim të pastër elektoral.

“Nuk ka politikanë të mirë apo të këqinj. Ka politikanë të zotë apo të pazotë. Duke parë edhe PR-in e fuqishëm që ka Partia Socialiste/Rilindja, dhe duke parë edhe konsumin e madh që ka, absolutisht që te Partia Socialiste kam parë më shumë strategjinë e shtrimit të iftareve, sepse ata e marketojnë më shumë. Kjo nuk do të thotë që nuk e kanë përdorur edhe nga e djathta. Nuk ka rregulla në politikë sesi të arrish deri tek fitorja e elektoratit, “We deal on votes, just like the businessman deals on oil”, siç thotë Peter Schumpeter. Kështu që nuk mund t’i bësh një kërkesë morale politikës së pamoralshme, për të na shitur moral në diçka të pamoralshme. Nuk ka arsye të shfrytëzohen raste të tilla për të bërë deklarata politike. Mua më duket e shëmtuar që të shkosh në një Xhami apo në një Kishë dhe të bësh deklarata politike. Edhe pse unë jam i bindur se klerët, ata që mbajnë ufiqet më të larta kanë lidhje të forta politike dhe me instanca më të larta”, thekson Gashi.

REAGIMI QYTETAR DHE EFEKTI TE VOTA

Për Shpend Gashin, qëllimi i politikës dihet dhe nuk mund të kërkohet respektim i moralit nga politikanë që më të shenjtë kanë pushtetin se sa përuljen ndaj zotit. Ai e kërkon reagimin nga qytetarët, por pse jo edhe nga institucionet fetare.

“Krahas shtrimit të iftareve psh ka pasur edhe inagurime të institucioneve fetare, se këtë muaj ka qëlluar që brenda Muajit të Ramazanit të ishin edhe dy pashkët. Unë mendoj se çdo gjë këtu përdoret për fushatë, në kohën e fushatës. Por tashmë nuk është më problemi tek përdorimi për fushatë i Erjon Veliajt apo Belind Këlliçit, apo politikanëve të tjerë. Problemi është tek neve”, cilëson Shpend Gashi.

Kjo përzjerje e politikës me fenë gjatë këtyre festave mund të ketë ndonjë rezultat pozitiv për rezultatet e kandidatëve, pasi ata prekin anën ndjeshmërore të votuesve, por në terma afatgjatë kjo gjë ka pasoja jo të vogla. Myzeqari ngre dyshime të forta se sa iftare apo dreka pashkësh do të shtronin politikanët shqiptarë nëse këto festa nuk do të përkonin me fushatën elektorale.

“Në terma të strategjisë afatshkurtër kjo mund të rezultojë pozitive, por në terma afatgjatë, siç edhe Shqipëria ka treguar përherë e më shumë, politikanët kanë humbur besimin dhe vlerësimin ndër audiencat makro. Audiencat, megjithë proklamimet se populli është gati të pranojë çfarëdo që i serviret, nuk janë kaq të pamençura, përkundrazi kanë një sens për të kuptuar kur diçka është tepër, po instrumentalizohet. Nëse ky Ramazan apo këto Pashkë nuk do të binin në fushatë zgjedhore, dyshoj se do të kishte kaq shumë jehonë iftaresh, e njëkohësisht besoj se këto iftare nuk do të merrnin kaq shumë vëmendje mediatike”, thekson ekspertja e komunikimit Irena Myzeqari për CRA.

Më të lexuarat