Zbatimi i planit vendor për romët dhe egjiptianë në Korçë, cilat janë problemet që nuk kanë gjetur zgjidhje?

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Fjona Çela

Romët dhe egjiptianët në Shqipëri gëzojnë statusin e pakicave kombëtare. Rrjedhimisht ato kanë edhe të drejtat e tyre për të jetuar si pjesëtarët e tjerë të shoqërisë dhe për t’u integruar në shoqëri. Për t’u realizuar ky objektiv, një sërë çështjesh dhe aktivitetesh janë parashikuar për t’u zbatuar në Planet Vendore të hartuara për integrimin e pakicave Rome dhe Egjiptiane për periudhën 4-vjeçare, 2019-2022. Planet vendore për romët dhe egjiptianët shërbejnë si një instrument për përmirësimin e aspekteve të jetës së pjesëtarëve të këtij komuniteti.

Megjithatë për zbatimin e këtyre planeve ngrihen disa pikëpyetje. Probleme të shumta që shqetësojnë këto pakica në disa bashki të vendit, ende nuk kanë gjetur zgjidhje.

Në lidhje me zbatimin e planeve vendore për romët dhe egjiptianët në disa bashki të vendit, Community Reporters Albania dërgoi disa kërkesa për informacion. Nga përgjigjet evidentohet se nga bashkitë është bërë përzgjedhje e aktiviteteve të parashikuara në planet vendore, duke bërë të mundur kështu realizimin e disave prej pikave të planeve.

Community Reporters Albania ka kërkuar informacion në lidhje me arsimin, strehimin social, punësimin, kushtet e jetesës dhe problematikat që shoqërojnë personat e komunitetit rom dhe egjiptian në Bashkitë Elbasan, Fier, Vlorë, Korçë, Roskovec e Pogradec.

Në planin vendor të bashkisë Korçë për integrimin e pakicave rome dhe egjiptiane (2019-2022), vlerësohet se ndjekja e arsimit në nivele të dobëta dhe mungesa e kualifikimeve profesionale është një kufizim i madh në rrugën e integrimit të romëve dhe egjiptianëve. Disa norma kulturore si martesat e hershme, familjet e zgjeruara dhe mungesa e një kulture për planifikimin familjar, janë pengesat kryesore në rrugën e tyre për t’u arsimuar. Rreth 115 fëmijë romë dhe egjiptianë janë regjistruar në kopësht apo parashkollor për vitin shkollor 2018-2019, por vihet re se frekuentimi nuk është i rregullt, kryesisht për shkak të tarifave që nuk i përballojnë, kostot e teksteve të parashkollorit dhe mungesa e një ndërgjegjësimi më të madh për rëndësinë e këtij cikli.

Edhe në shkolla braktisja është në nivele shqetësuese. 25 nxënës ose 7% të fëmijëve të këtij komuniteti kanë braktisur shkollën. Përtej gjendjes së rënduar ekonomike, në fakt arsyet e braktisjes së shkollës i përkasin më shumë aspektit kulturor, referuar këtu martesave të hershme.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është edhe punësimi. Vetëm 7% e romëve dhe 13% e egjiptianëve në Bashkinë Korçë janë të punësuar. Pjesa dërmuese e tyre sigurojnë të ardhura përmes vetëpunësimit, me aktivitete si: tregtimi i produkteve artizanale, rrobave të përdorura, pastrimi i shtëpive, punët sezonale, mbledhje të materialeve të riciklueshme etj. Ndryshimet që kanë ndodhur me rindërtimin e “Pazarit të Vjetër” u kanë mohuar aksesin që ata kishin për të tregtuar. Aty mund të merren mjedise me qira, por kostot janë relativisht të larta.

Në familjet rome dhe egjiptiane në Korçë vihet re mungesa e formalizimit të lidhjeve në martesë si dhe e regjistrimit të fëmijëve. Në përgjithësi, gjendja e strehimit për këto komunitetete nuk është e mirë. Problematikat e strehimit shtrihen që nga mungesa totale e një banese, deri tek kushtet e vështira, apo të një banese të ngritur në mënyrë jo të ligjshme. Rreth 28 familje rome janë të vendosura në zonën që njihet si “ish-gjeologjikja”, në banesa të papërshtatshme e në tokë me pronar privat. Problematika emergjente në këtë vendbanim janë rrëshqitja e dheut nga kodrina pranë këtyre banesave dhe gjendja e keqe e kanalizimeve. Një pjesë tjetër e pakicave rome e egjiptiane janë strehuar në disa prej ish-konvikteve të shkollave profesionale të qytetit, në kushte të këqija, ku problematike janë sistemi i ujit të pijshëm, ai i kanalizimeve dhe grumbullimi dhe heqja e mbeturinave. Familjet e tjera të cilat jetojnë në kasolle, përballen jo vetëm me këto problematika të sipërlistuara, por edhe me pamundësinë për të pasur lidhje elektrike dhe furnizim me ujë të pijshëm. Familjet që i përkasin këtyre komuniteteve e kanë thuajse të pamundur të përfitojnë nga programet e strehimit, që ofrojnë mundësinë e kredive të buta pasi punësimi i tyre është i parregullt dhe jo-formal në shumicën e rasteve.

Vetëm në 3 vitet e fundit në Bashkinë Korçë raportohet se e kanë lënë vendin rreth 300 familje rome dhe egjiptiane duke u larguar drejt Turqisë, Francës, Gjermanisë etj. Arsyet kryesore që i kanë shtyrë drejt emigrimit janë ato ekonomike dhe sociale.

Sipas Etleva Tare, specialiste e zyrës rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ky plan ka gjetur zbatim në disa fusha, por ka ceduar në disa të tjera.

Etleva Tare-Specialiste KMD

“Zbatimi ka qenë në disa fusha, ku më primarja ka qenë në arsim. Kanë qenë afërsisht 300 fëmijë të komunitetit rom/egjiptian, të cilët frekuentojnë shkollën e mesme dhe atë të arsimit bazë, që kanë përfituar nga VKM 511 për bursat. Në punësim kanë qenë plotikat e nxitjes së punesimit të cilët janë trajtuar me programin e punës publike në komunitet 14 persona, nga të cilat 7 që punojnë në qendrat e fëmijëve dhe ato të moshes së tretë dhe 7 në ndërmarrjen e gjelbërimit”-thotë znj. Tare.

Por problematika më e madhe mbetet veçanërisht në çështjen e strehimit dhe punësimit në shtet apo institucione të tjera.

“Edhe pse ka politika dhe një pjesë janë përfshirë në këtë program, përsëri probleatika të shumta janë prezente. Shumë familje janë në kushte të vështira dhe jetojnë në konvikte. Mendohet që së shpejti në një zonë të bashkisë të ndërtohen banesa për këtë kategori, e cila do të zbusë dhe do u vijë në ndihmë një pjese të këtij komuniteti. Përsa i përket punësimit në bashki ose institucione, numri është shumë i pakët, madje i papërfillshëm krahasuar me numrin e banorëve. Në vendimarrje ka përfaqësues vetëm të komunitetit egjiptian”- shprehet për CRA, Etleva Tare, specialiste e zyrës rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

 

Më të lexuarat