Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve ka njoftuar që prej muajit Maj për datat e regjistrimeve të fëmijëve në cerdhet e bashkisë Tiranë. Aplikimet zyrtare kanë nisur në datën 5 Qershor dhe do të vijojnë deri në datën 9 Qershor, e cila është dita e fundit e aplikimeve. Prindërit kanë kohë deri në këtë datë të paraqiten për dorëzimin e dokumentacionit gjatë orarit zyrtar 09:00 deri në 14:00 në çdo çerdhe pranë njësisë administrative në të cilën banojnë.
Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve, ka bërë me dije se fëmijët që kanë frekuentuar çerdhen në sezonin 2022-2023 dhe që mbushin moshën 3 vjeç, deri më datë 15 Shtator 2023, do të regjistrohen automatikisht në kopsht.
Dokumentacioni i duhur për secilën nga kategoritë:
Për të kryer procedurën e regjistrimit në çerdhe si dhe për të përfituar nga reduktimi i pagesës, prindërit duhet të dorëzojnë dokumentet sipas kategorisë që i përkasin.
Kriteret dhe dokumentacioni i duhur, për aplikuesit që vijnë nga shtresat social-ekonomike në nevojë, të cilat i janë referuar kategorive vulnerabël sipas VKB-së Nr.158, datë 26.12.2019 ″Për miratimin sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”.
Fëmijë të familjeve të pakicës rome dhe egjiptiane, sipas vërtetimit përkatës të lëshuar nga organizatat që mbrojnë të drejtat e tyre ose vetdeklarimi ku përcaktohet se familja është pjesë e këtyre pakicave
- Certifikata personale dhe familjare e fëmijës
- Vërtetim të lëshuar nga organizatat që mbrojnë të drejtat e tyre ose vetdeklarimi
Fëmijë të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike
- Certifikata personale dhe familjare e fëmijës
- Vërtetim nga Njësia Administrative për trajtimin me ndihmë ekonomike të kujdestarit ligjor
Fëmijë me statusin e jetimit
- Libreza e statusit të jetimit të fëmijës
- Certifikata personale e fëmijës dhe familjare
- Fëmijë të familjeve ku kujdestari ligjor ka statusin e jetimit
- Libreza e statusit të kujdestarit ligjor të fëmijës
- Certifikata personale e fëmijës dhe familjare
Fëmijë me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike dhe me sëmundje të rënda, sipas raportit të komisionit mjeko-ligjor
- Raporti mjeko-ligjor i fëmijës
- Certifikata personale dhe familjare e fëmijës
Fëmijë ku kujdestari ligjor është me aftësi të kufizuar mendore dhe fizike dhe me sëmundje të rënda, sipas raportit të komisionit mjeko-ligjor
- Raporti mjeko-ligjor i kujdestarit ligjor të fëmijës
- Certifikata personale dhe familjare e fëmijës
Fëmijët e familjeve mono prindërore, ku kujdestari ligjor e ka pagën në/nën nivelin e pagës minimale të miratuar me aktin nënligjor përkatës
- Certifikata personale dhe familjare e fëmijës
- Vërtetim page i kujdestarit ligjor i cili duhet të jetë në/nën minimale të pagës në Republikën e Shqipërisë (30 000 lek)
- Vërtetim për Kontributet e Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësorë për Individin nga portali zyrtar e-albania
Fëmijët e familjeve, ku kujdestari ligjor i fëmijës, është i divorcuar ose i ve, (sipas certifikatës së gjendjes familjare), por që është në/nën pagën minimale në shkallë, vërtetuar me dokumentacionin përkatës
- Certifikata personale dhe familjare e fëmijës
- Vërtetim page i kujdestarit ligjor i cili duhet të jetë në/nën minimale të pagës në Republikën e Shqipërisë (30 000 lek)
- Vërtetim për Kontributet e Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësorë për Individin nga portali zyrtar e-albania
Fëmijët e vendosur në kujdestari nga familjet kujdestare, sipas legjislacionit në fuqi, vërtetuar me dokumentacionin përkatës
- Certifikata personale dhe familjare e fëmijës
- Vendimi i gjykatës për dhënien e kujdestarisë
Kriteret dhe dokumentacioni për kategoritë e tjera
- Certifikatë personale dhe familjare e fëmijës
- Vërtetim pune me pagë mujore të pasqyruar, të kujdestarit ligjor (të prindërve)
- Vërtetim për Kontributet e Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësorë për Individin nga portali zyrtar e-albania.
Reduktimi i Pagesës
Për fëmijët të cilët vijnë nga kategoritë në nevojë bashkia e Tiranës redukton pagesën e tyre gjatë frekuentimit në kopësht dhe çerdhe.
Përfitojnë reduktim të plotë pagese, për ditëngrëniet në Çerdhet dhe Kopshtet publike të Tiranës, kategoritë e përcaktuara në VKB-në Nr.40, dt.29.03.2018, “Për disa shtesa dhe ndyshime në VKB Nr. 59, dt. 30.12.2015, “Për sistemimin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, i ndryshuar.
Dokumentacionin e duhur që kërkohet për të përfituar reduktim të plotë pagese, sipas VKB-së Nr. 40 dt. 29.03.2018, e gjeni tek udhëzimi bashkëlidhur.