Të mbingarkuar dhe të keqpaguar, gazetarët zgjedhin midis familjes dhe profesionit

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Për shkak të kushteve të vështira të punës, mungesës së kontratave apo mosrespektimi i tyre, mospagesa e sigurimeve dhe kërcënimet për dhunë fizike, një numër rekord gazetarësh në Shqipëri po i jep lamtumirën profesionit. 

Nga Bardha Nergjoni/Video:Denis Tahiri

Miranda Sadiku, me një karrierë 20 vjeçare si reportere në qytetin e Elbasanit, zgjodhi një profesion tjetër kur e gjeti veten të papunë pas reduktimit të stafit nga Agjencia Telegrafike Shqiptare disa vite më parë.

“Vendosa të ndërmarr një tjetër drejtim duke parë se media e shkruar, ku unë isha e profilizuar, nuk ofronte as pagën minimale për jetesë,” thotë ajo.

Tashmë nënë e dy vajzave, Sadiku thekson se vendimi për ta braktisur gazetarinë nuk ishte i lehtë, por asaj iu desh të zgjidhte midis profesionit dhe familjes.  

“Edhe pse nuk dëshiroja ta braktisja profesionin, oraret e befta të ndjekjes së lajmit, shkrimi që duhet bërë në kohën kur ndodh, si dhe presioni i madh i redaktorëve të qendrës, më bënë që unë të vihesha përballë zgjedhjes mes fëmijëve dhe medias,” shpjegoi ajo.

Sadiku nuk është gazetarja e vetme që e ka braktisur gazetarinë gjatë viteve të fundit dhe studime të ndryshme, tregojnë se punëtorët e medias po e humbasin besimin në të ardhmen e profesionit. Disa po humbasin besimin dhe tek vet vendi i tyre, duke aplikuar për azil në perëndim.

Sipas Aleksandër Çipës, kreu i Union Shqiptar të Medias, ky trend filloi në vitin 2018 – kur u regjistruan 45 kërkesa për azil nga gazetarë, por ka vazhduar edhe gjatë dy viteve të fundit.

“Mbetet një tendencë edhe në vitet 2020-2021, kur edhe gazetarët me reputacion janë duke e braktisur [vendin] dhe duke kërkuar një terren më të mirë financiar në shtetet e perëndimit,” tha ai.

Kushtet e vështira të punës, oraret e zgjatura, moszbatimi i kontratave dhe mospagesa e sigurimeve shoqërore nga punëdhënësit, citohen rutinë nga profesionistët e medias si disa nga faktorët që i shtyjnë ta braktisin punën.

“Mendoj se gazetarët në media në rolin e reporterit kanë një motiv të lartë për ta braktisur këtë profesion sepse janë pa limit dhe çdo kohë në kërkim të lajmit,” shprehet Erjon Muça ekspert i të drejtave në punë. “Ka një disbalancë mes kohës së shpenzuar në punë dhe asaj të shpenzuar në familje,” shtoi ai.

YouTube player

Sipas një studimi të Institutit për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi, IDRA, të realizuar në vitin 2019, gati 1 në 3 profesionistë të medias nuk do t’i këshillonin një të riu të ndiqte një karrierë në gazetari.

Niveli i pagës dhe kushtet e punës në përgjithësi – përfshirë edhe orët e gjata në terren dhe redaksi, citohen si aspektet më negative dhe arsyet pse profesionistët e medias nuk e rekomandojnë profesionin që ata bëjnë.

Braktisja e profesionist është dhe me e lartë për gratë dhe vajzat gazetare, të cilat përveç vështirësive të tjera, përballen edhe me hendekun gjinor në nivelin e pagave që marrin. Sipas një studim të realizuar nga Komiteti i Helsinkit, i publikuar në maj 2020, mbi 80% e gazetareve ndjehen se janë më keq ekonomikisht se kolegët e tyre burra.

“Mendoj se reporteret gra janë të destinuara të tërhiqen pasi nuk kam parë ndonjë korrespondente mbi 50 vjeç,” shprehet Dhorjela Çule, gazetare e Top Channel ne Korçë.

“Tregu i medias në Shqipëri është kryesisht i fokusuar tek imazhet e reja dhe nga ana tjetër i ndërtuar në mënyrë të tillë që edhe fizikisht të jetë e vështirë që sidomos femrat pas një moshe të caktuar të mund ta përballojnë,” shtoi ajo me keqardhje.

Të pasiguruar dhe të pasigurt

Sipas të dhënave të grumbulluar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, në vitin 2019 në Shqipëri numëroheshin rreth 6200 punonjës mediash, nga të cilët 2736 ishin gazetarë me profesion. Megjithatë, ky numër mund të jetë dhe më i lartë nëse merret në konsideratë informaliteti i sektorit. 

Dhorjela Çule edhe pse ka 11 vite që punon si gazetare, vetëm 9 prej tyre i ka të siguruara, dhe për më shumë se 4 vjet ka bërë dy punë njëkohësisht. 

“Në fakt fillimisht ka qenë vonesa e pagës që më ka shtyrë të bëj dy punë por edhe shpenzimet e shumta që ne kemi si: karburanti, mirëmbajtja e automjetit, pajisjet e punës që kryesisht i sigurojmë vetë,” shpjegoi ajo.  

Dhorjela tashmë e ka pranuar se me profesionin e zgjedhur do të duhet të heqë dorë nga shumë gjëra, përfshirë ditët e pushimit.

“Duket pak absurde ndoshta të kërkosh normalitetin për një profesion të tillë por besoj më shumë siguri, vlerësim moral, financiar sa i takon pjesës që jemi në gatishmëri 24 orë e që punojmë edhe të shtunë e diel, ditët e festave,” tha Çule.

Edhe gazetarja Entela Duka, e cila ka një eksperiencë të ngjashme në media, konfirmon gjithashtu se vitet e siguruara janë shumë më pak se ato të punës.

“Unë kam 12 vite që jam pjesë e medias por vitet e siguruara nuk arrijnë as gjysmën,” tha ajo.

“Prej 4 vitesh bëj dy punë – për median në Tiranë dhe në një media lokale, dhe arsyeja është paga e ulët,” shtoi ajo.

Koloreto Cukali, drejtues i Këshillit Kombëtar të Medias shprehet se e drejta për pushime të paguara, ndonjëherë dhe e drejta për të pasur pushime mëmësie mbas lindjes, në mënyrë të rëndomtë shkelet nga mediat shqiptare.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për portalet, por edhe për TV, nganjëherë edhe të mëdha,” theksoi Cukali, ndërsa shtoi se nuk di gazetar të bëjë dy ditë pushime në javë, ndërsa shtoi se java me 6 ditë pune është kthyer në standard në median shqiptare.

Cukali u ankua se institucionet shqiptare nuk angazhohen për zbatimin e Kodit të Punës në sektorin e medias.

“Fakti që këto shkelje të të drejtave të gazetarit bëhen në mënyrë të vazhdueshme, do të thotë se ky inspektorat o është totalisht i korruptuar, ose është totalisht i paaftë, ndaj ai duhet shkrirë dhe duhet ndërtuar nga e para si institucion,” shtoi ai.  

Cukali thekson se punëmarrësit më të diskriminuar të tregut të medias janë gazetaret femra.

“Panorama e tregut shqiptar në përgjithësi tregon se vajzat dhe gratë janë të nënpaguara, krahasuar me kolegët djem dhe burra,” tha ai.

Sipas Cukalit, përveç rrogave të vogla reporteret femra shpesh përballen dhe me ngacmimi seksuale në punë. 

“Unë kam parë që ato robtohen në punë njësoj si reporterët djem ose burra,” tha ai. “Në vendin e punës nuk shoh që tu bëhet asnjë lloj avantazhi,” theksoi Cukali. 

Shkeljet nuk shoqërohen me sanksione

Institucionet publike pranojnë se ka problematika por në asnjë rast nuk ka një raport të thelluar mbi specifikat e punonjësve të medias.

Sipas Inspektoratit Shtetëror të Punës, në vitin 2019 janë kryer inspektime në rang vendi në 47 subjekte mediatike private e shtetërore me 472 punonjës të evidentuar. Nga këto inspektime, kanë rezultuar vetëm 2% e punonjësve pa kontratë dhe është marrë 1 masë ndëshkuese “pezullim” dhe 3 masa “paralajmërim”.

Por studimet flasin për një shifër disa herë më të lartë. Nga një studim i realizuar nga qendra ‘Citizen Channel’, rezulton se 4% e gazetarëve profesionistë nuk kanë kontratë pune. Norma e informaliteti është në mënyrë të veçantë e theksuar mes gazetarëve të rinj. Sipas të njëjtit studim rreth 61 % e studentëve të gazetarisë që punojnë ose bëjnë stazh në media, nuk kanë një kontratë pune të shkruar me punëdhënësin.

Kryeinspektori i Inspektoriati të Punës në Korçë, Eris Papa deklaroi në një përgjigje me shkrim se në këtë rajon janë kryer inspektime në subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e medias dhe janë konstatuar një numër shkeljesh të Kodit të Punës.

“Vihet re se janë konstatuar një sërë shkeljesh të legjislacionit të punës si puna në ditët e pushimit javor, puna e kryer në ditët e festave zyrtare, moskompensimi i orëve shtesë të kryera nga punëmarrësit, si dhe shkelje që kanë të bëjnë me sigurinë dhe shëndetin në punë të punëmarrësve,” tha Papa.

Me gjithë shkeljet e konstatuara inspektorati nuk ka ndërmarrë masa administrative ndëshkuese ndaj mediave.

 “Në këto subjekte janë lënë detyrat konkrete ligjore me afatet respektive kohore për tu realizuar dhe masat administrative përkatëse,” theksoi në përgjigjen e tij kryeinspektori Papa.

Kontratat mungojnë ose nuk zbatohen

E. T është e dypunësuar por sigurimet shoqërore i paguhen vetëm në një media në nivelin e pagës minimale. Për këtë shkak i është dashur të dalë në punë edhe gjatë lejes së lindjes, duke theksuar se moszbatimi i kontratës së punës  është gati një marrëveshje e heshtur mes palëve.  

“Nuk mbaj mend të kem festuar festat me familjen time, pushime nuk bëj gjithmonë por me raste,” tha ajo. “Shpesh më është dashur të dal në punë edhe të dielave për shkak të natyrës së lajmit edhe pse e di që më takojnë,” shtoi gazetarja, e cila preferoi të mbetej anonime.

Jo të gjithë gazetarët bëjnë pakte të tilla të heshtura me administratorët e medias. Ka shumë raste që edhe pse ata mendonin se kishin një kontratë dhe sigurime të paguara, kanë zbuluar se mediat i kanë lënë pa kontribute për vite me radhë.

Jerola Ziaj, sot reportere e televizion A2 CNN,  tregon se ngjashëm me shumë kolegë të tjerë edhe ajo ka humbur shumë vite pa kontribute të derdhura.

“Për 5 vite kam punuar në një media kombëtare ku në fund të punës sime kam konstatuar se nuk kisha asnjë ditë sigurime,” thekson Ziaj.

“Kam vendosur të ndryshoj vendin e punës dhe një nga arsyet ka qenë çështja e sigurimit,” shtoi ajo.

Sipas ekspertëve tregu i medias në Shqipëri është një treg jo i rregulluar sa i përket marrëdhënies ligjore mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Erjon Muça thotë se  statistikat tregojnë se gazetarët paguhen me paga minimale dhe vetëm një fraksion i pagës reale deklarohet nga punëdhënësi në Institutin e Sigurime Shoqërore, por ka dhe raste kur një kontratë pune që rregullon dhe duhet të rregullojë marrëdhëniet ligjore, të drejtat dhe detyrimet e palëve në punë, mungon.

“Statistikat e viteve të fundit tregojnë se 3.1% e gazetarëve në treg nuk kanë kontrata pune,” tha Muça.

 “Kjo në raport me mesataren dhe treguesve të kontratave të punës të sektorëve të tjerë është një vlerë shumë e lartë,” theksoi ai, ndërsa shtoi se mesatarja në sektorët e tjerë të tregut të punës është 0.9%. 

Muça thekson se shumë nga të drejtat e gazetarëve si punëmarrës, të cilat janë të specifikuara në Kodin e Punës ose në kontratën mes palëve nuk respektohen.

“Kushtet e kontratës për pushime nuk zbatohen rigorozisht apo në detaje,” tha ai, ndërsa theksoi se media duhet të ishte sektori model për respektimin e të drejtave në raportin punëdhënës-punëmarrës, duke marrë në konsideratë që gazetarët duhet të mbrojnë njëkohësisht të drejtët e punëtorëve në sektorë të tjerë. “Ky është ‘non sens’ që e ka shoqëruar gazetarin ndër vite,” shtoi ai.

Kërcënime dhe vetcensurë

Vështirësitë e gazetarëve dhe sidomos të atyre që raportojnë terreni nuk kufizohen vetëm tek kontratat dhe sigurimet shoqërore, por janë disaplanëshe. Ata rëndom përballen me presione dhe kërcënime për dhunë fizike.

Jerola Ziaj kujton një ngjarje kronike në Himarë, kur pas një ditë të lodhshme raportimi ajo dhe familja e saj u përball me kërcënime.

“Mesazhi që morëm nga policia ishte të mos afroheshim sepse ishin të rrezikshëm dhe pas një dite të tmerrshme raportimi gjej një person që kërkon tim atë duke më kërkuar llogari për titullin e raportimit,” kujton Ziaj.

Ajo tregoi se kanosësi deklaronte se e kishte zgjidhur çështjen me policinë dhe se gazetarët po ngatërroheshim në këtë çështje.

“Autorët e asaj ngjarje u arrestuan, për fat të mirë, dhe nuk e di më se ç’është bërë me ta,” tha ajo. “Është një nga ato ditë kur kupton se vrasësit janë nga ana tjetër, policia nga fronti tjetër dhe ti je në mes,” tha gazetarja e A2 CNN.

Përballje të tilla me kërcënime i shtyjnë gazetarët shqiptarë drejt vetcensurës. Sipas studimit të IDRA’s të vitit 2019, vetëcensura mbetet e gjithëpërhapur në media shqiptare. Më shumë se ¾ e gazetarëve të anketuar mendonin se “pothuajse të gjithë mediat censurojnë vetveten”  ose “disa media vetë-censurohen”.

Sindikalizmi i munguar

Ekspertët dhe drejtuesit e shoqatave të gazetarëve shpesh kanë mendime të ndryshme për situatën e medias në Shqipëri, por bien dakord në një pikë: mungesa e sindikatave të mirëfillta, të cilat të mund të negociojnë kontratat dhe rrogat e gazetarëve e ka çuar median në një pikë kritike.

“Në shumicën e rasteve kontratat janë përpiluar sipas interesave të pronarit,” thotë Koloreto Cukali, kryetari i Këshillit Shqiptar të Medias, i cili theksoi se shpesh në këto kontrata nuk figuron rroga e saktë e gazetarit, çfarë kufizon mundësinë e tij për t’i adresuar mosmarrëveshjet nëpërmjet gjykatës.

“Këto kontrata e intimidojnë gazetarin,” theksoi Cukali. “Ne kemi nevojë për kontrata të realizuara jo individualisht, por përmes sindikatave,” shtoi ai.

Duke u ndalur në situatën e përgjithshme të gazetarëve, edhe Aleksandër Çipa bie dakord se problemi më i madh i tregut mediatik të punës është se nuk ka struktura sindikale që të garantojnë zbatimin e legjislacionit në fuqi për të drejtat e punës.

“Fatkeqësisht ne nuk e kemi një histori të tillë dhe fatkeqësia është edhe më e madhe kur vëren se më shumë se për tre dekada kjo gjë mungon dhe në median publike, që legjislacioni shqiptar dhe standardi i kërkuar në kuadër të standardit të medias evropiane është i panegociueshëm,” tha Çipa, ndërsa shtoi se në Shqipëri sindakata nuk ka as në televizionin publik dhe as në kompanitë e mëdha mediatike private me qindra të punësuar.

Sipas drejtuesit të Unionit të Gazetarëve Shqiptar roli i administratorit të medias vazhdon të jetë dominues në marrëdhënien punëdhënës-punëmarrës, duke e zhvlerësuar profesionalizmin e punonjësve dhe vendimmarrjen e redaktorëve për karrierën e tyre.  

“Ky realitet informal ka bërë që disa nga kriteret më të rëndësishme të parimeve të rekrutimit të gazetarëve në media ose të operatorëve të bëhet, jo për shkak të kritereve profesionale dhe testimeve profesionale, por për shkak të sedrës dhe vullnetit vendimmarrës të administratorëve dhe pronarëve,” tha Çipa, ndërsa shtoi se “në standardet ndërkombëtare dhe kryesisht ato evropiane, autoriteti për të rekrutuar në këto nivele redaksionale i përket editorit.”

*Ky artikull/video është realizuar në kuadër të projektit “Media dixhitale në një fushë të re: Rruga drejt vetërregullimit, etikës dhe pavarësisë”, i zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe mbështetur financiarisht nga qeveria holandeze. Artikulli është pronësi e autorit dhe nuk reflekton qëndrimin e KSHH-së dhe qeverisë holandeze

Më të lexuarat