Nga vendbanim informal në një strehë të përkoshme, Bashkia Shkodër strehon Romët

Të fundit

Jeta Pera
Jeta Pera
Jeta Pera ka studiur për Gjeografi në Universitetin e Tiranës, prej disa vitesh është aktiviste për të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri.

Strehimi është një ndër problemet kryesore me të cilin përballen familjet e varfëra në vendin tonë.  Sipas të dhënave zyrtare rreth 35.000 familje janë të pastreha, shifër kjo që reflekton një nevojë të lartë për strehim social.

Ligji Nr.22/2018 “Për Strehim Social” i cili përcakton rregullat dhe procedurat administrative për mënyrat e planifikimit, sigurimit, administrimit dhe të shpërndarjes së programeve sociale për strehimin social, garanton krijimin e mundësive për strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm të familjeve që kanë nevojë.

Familjet e minoriteteve rome dhe egjiptiane, pjesë e grupeve të pafavorizuara të cilat ligji i ka në fokus, kanë nevojë për stehim. Ligji për strehimin social, përveç programeve sociale të strehimit, përcakton gjithashtu dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji. Bashkia Shkodër, është një ndër bashkitë e cila përtej respektimit të përgjegjësive që rrjedhin nga ky ligj pati vullnetin pozitiv për të zbatuar një nga programet sociale të strehimit për familjet rome rezidente në territorin e saj.

Projekti i paraqitur nga Bashkia Shkodër në Ministrinë e Financave është pjesë e programit të strehimit “Banesë Sociale, ndërtim i ri”. Ndërtimi i këtyre banesave është konceptuar me konterierë, banesë 1- katëshe, si përgjigje e përkohshme e strehimit të familjeve rome në  Shkodër. Bazuar në ligjin e ri të strehimit social, këto banesa përputhen me një nga politikat e reja të strehimit siç është “Streha e përkoshme” e cila përdoret për një periudhë tranzitore për familjet në nevojë për strehim, të cilat pas fuqizimit ekonomik-social të jenë në gjendje të përballojnë një program tjetër të strehimit social.

Projekti është realizuar pranë Unazës së qytetit në lagjen nr.3 të Bashkisë Shkodër. Territori publik, ku janë vendosur, ka një sipërfaqe trualli prej 3000m katrorë dhe është i rrethuar. Banesat e reja janë konterienë të ndërtuar me materiale  të çmontueshme duke iu qasur qëllimit të programit, të shërbejnë si streha të përkoshme për familjet rome të cilat pas fuqizimit të tyre të behën pjesë e programeve të tjera sociale të strehimit. Sipërfaqja totale e gjurmës së banimit është 840m katrorë dhe janë ndërtuar 27 banesa (konterierë) 1- katështe prej të cilave 15 janë të organizuara në 2+1 dhe 12 të tjera në 1+1. Në bashkëpunim me partnerë të tjerë Bashkia Shkodër po mundëson pjesërisht mobilimin e tyre me objektet më të domosdoshme.

Foto: Ergys Ivziku specialist i Strehimit në bashkinë Shkodër

“Këto ndërtesa vijnë si rezultat i nevojës për strehim në bashkinë Shkodër për integrimin dhe strehimin e komunitetit rom. Duke pasur parasysh se komuniteti Rom në bashkinë Shkodër është një realitet i ri, jemi munduar të gjejmë zgjidhje sa më të mirë për këtë komunitet. Nëpërmjet bashkëpunimit me Ministrinë e Financave është arrritur ndërtimi i këtyre godinave me qëllim sigurimin e një prej kushteve kryesore, që është strehimi për këtë komunitet dhe gradualisht do të asistohen në gjjithë proceset e tjera”, tregon për CRA,  Ergys Ivziku specialist i Strehimit në bashkinë Shkodër.

Sipas të dhënave nga “Plani i Zhvillimit të Romëve dhe Egjiptianëve në Bashkinë Shkodër”, rezulton se në territorin e kësaj bashkie llogaritet tё jenё rreth 423 banorё romë (81 familje). Për shkak të lёvizjeve tё brendshme migratore, komuniteti Rom ka probleme me regjistrimin e vendbanimeve, si dhe me regjistrimin nё gjendjen civile. Për rrjedhojë, përfitues të banesave të ndërtuara do të jenë vetëm 23 familje rome të cilat janë rezidentë në bashkinë Shkodër.

Në këtë bashki janë identifikuar 5 vendbanime informale në të cilat jetojnë familjet e varfëra rome, të cilat qëndrojnë aty përkohëshisht ose prej vitesh. Përfitues të këtij programi, janë familjet e përzgjedhura nga këto vendbanime, të cilat nuk kanë një pronë tjetër në pronësi, që nuk janë të punësuar dhe nuk kanë të ardhura, familjet një prindërore, familje me fëmijët në risk për lypje dhe si kusht i domosdoshëm të jenë rezidentë në Bashkinë Shkodër.

Përfituesit nuk do të kenë detyrim financiar për pagesën e qirasë, por do të kenë një sërë përgjegjësish të cilat do të jenë pjesë e kontratës dypalëshe si; pagesa e ujit të pijshëm dhe dritave, mirëmbajtja e banesës, arsimimi i fëmijëve, ndjekja e kurseve profesionale, mosrefuzimi i punësimit  të tyre.

Zhvendosja e këtyre familjeve në banesat e reja do të shoqërohet  me ofrimin e shërbimeve të tjera mbështetëse për fuqizimin e tyre. Specialisti i strehimit, Ergys Izviku tregon se Bashkia e Shkodrës ka përfunduar hartimin e rregullores, menaxhimin e strehave, ofruesit e shërbimeve si dhe listën e përfituesve. Pranë banesave do të jetë i pranishëm një strukturë administrimi e cila do të jetë përgjegjëse për mbarëvajtjen e bashkjetësës në këto banesa si dhe në koordinimin e shërbimeve të cilat do të asistohen nga punonjësit social me qëllim fuqizimin dhe integrimin e familjeve.

I pyetur për aksesin në shërbimet shëndetësore e arsimore, specialisti tregon se lokacioni i ri është pranë shërbimeve të nevojshme dhe familjet nuk kanë pasur kundërshtime për vendodhjen e re. 

“Që në momentin e projektimit ne kemi marrë gjithë masat që projekti të jetë i vendosur në këtë vend për shkak se edhe aksesi në lidhje me spitalin, arsimin, e gjithë infrastruktura është shumë afër dhe kjo i siguron mundësi dhe akses shumë të mirë gjithë komunitetit që do vendoset në këto godina për t’i aksesuar edhe afër edhe  shumë shpejt. Edhe mbështetja që do të realizohet nga ana e punonjësve të bashkisë do i ndihmojë ato në aksesimin e këtyre shërbimeve”, shprehet Izviku.

 Këto banesa do të shpërdahen për përfituesit në fund të muajit Korrik. Në të njëjtën kohë bashkia do të vendosë në funksison edhe strukturën e re të stafit përgjegjës për administrimin dhe ofrimin e shërbimeve në këto godina. Kjo është hera e parë që bashkia Shkodër kryen investime për strehimin social të familjeve rome. Koncepti i këtij projekti është ideuar për të ofruar kalimin tranzitor të familjes nga gjendja e mëparshme në një familje të fuqizuar përmes strehimit social kombinuar me shërbimet e tjera të nevojshme.

Specialisti thekson se qëndrimi në një program strehimi si ky nuk konsiderohet si zgjidhje afatgjatë e strehimit, përkundrazi është një përgjigje e përkohshme. Faza e tranzicionit është e rëndësishme dhe stafi i punonjësve social pas vlerësimit të nevojave do të menaxhojnë çdo rast për të ofruar shërbimet e nevojshme për këto familje. Fuqizimi i tyre iu ofron mundësinë familjeve të tjera në të ardhmen për t’u bërë pjesë e këtij programi.

Më të lexuarat