Rreziqet që sjellin korsitë preferenciale për pacientët kundrejt tarifave dhe praktika e dyfishtë e punës për mjekët

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Fjona Çela

“Shëndetësi falas” ky ishte një nga premtimet më të bujshme të Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj Edi Rama që premtonte se me të ardhur në pushtet ky sektor do të ishte ndër më të parët që do e ndjente “rilindjen”.

Por sot, afro 10 vite më pas “shëndetësia falas” ngjason si ëndërr e një nate vere për shumë kënd që së paku një herë i ka rastisur të shkojë në spitalet publike të vendit. Shumë syresh, madje flasin edhe për një situatë që po shkon gjithnjë e më shumë drejt përkeqësimit.

Përtej fasadës dhe ndërtesave të reja, që nga jashtë duken me standarde bashkëkohore, jashtë me qindra pacientë, jo vetëm nga Tirana por edhe nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, presin në radhë për të marrë shërbime. Kjo është panorama që e ndesh pothuajse çdo ditë në Qendrën më të madhe Spitalore në kryeqytet. Procedura burokratike, zvarritëse dhe munduese për pacientët, kjo është situata me të cilën këta të fundit përballen çdo ditë, duke ua kthyer në makth ditën kur u duhet të paraqiten në spital për të marrë një shërbim, ku përtej sëmundjes që i mundon, radhët e gjata dhe orët e tëra të pritjes janë rraskapitëse për to. Situata është thuajse identike në të gjitha spitalet publike.

Ligji i ri për shërbimin spitalor i shton telashet për pacientët dhe familjarët e tyre, ku më të prekurit, sigurisht janë ata, të cilëve xhepi nuk ua përballon dot shpenzimet. Në këtë ligj, janë shtuar dy pika që lidhen me kostot e shërbimeve dhe praktikën e dyfishtë të punës për mjekët në spitalet publike.

Konkretisht në pikën 4 të nenit 23 për “Kostot e shërbimeve spitalore publike” përcaktohet se: “Për pacientin e shtruar apo ambulator, spitalet publike kanë të drejtë të ofrojnë, jashtë sistemit të referimit, korsi preferenciale shërbimi kundrejt tarifave të përcaktuara me vendim të bordit drejtues.”

Ndërsa në nenin 27 për “Praktikën e dyfishtë të punës për mjekët në spitalet publike” në pikën pikën 1 përcaktohet se: “Mjekët në spitale publike kanë mundësi të ofrojnë jashtë regjimit të punës së përcaktuar nga punëdhënësi, bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, shërbime të konsultave ambulatore për pacientë jashtë sistemit të referimit.”

.

Për herë të parë është përfshirë “korsia preferenciale e shërbimit” e cila u jep mundësi atyre që nuk ndjekin sistemin e referimit, të paguajnë tarifën dhe të marrin shërbim më të shpejtë. Ndërsa ata që nuk kanë mundësi financiare duhet të presin në radhë, ndërkohë që shërbimi shëndetësor duhet të ishte i garantuar për të gjithë. Këtë procedurë penalizuese, vetë pacientët e shohin si absurditet dhe krim ndaj të sëmurëve

“Detyrimisht është në dëm të pacientit. Kush është në gjendje në këtë vend që jetojmë ne, që të përballojë këto shpenzime? Po unë që s’kam si t’ia bëj?  E vështirë është për ne, çdo gjë u bë me pagesë këtu. Po ne me çfarë do ia dalim? Ku ta përballojmë me pensione 100 mijë lekë që marrim ne. S’po na dalin për ushqime dhe ilaçe, jo më të paguajmë më shumë në spital.  Në dëmin tonë është patjetër. Ku e përballojmë dot ne. As me lëkët e parkingut nuk ia dilet këtu. Imagjino të paguajmë për të kaluar radhën a të paguajmë doktorat.”- kështu shprehen disa pacientë, teksa qëndronin në radhë, në pritje për të marrë shërbim në QSUT.

Ligji për shërbimin spitalor, rrezik diskriminimi dhe shkelje e të drejtave të njeriut

Këto nene shihen me sy kritik edhe nga aktivistë që janë në mbrojtje të shtresave në nevojë. Sipas aktivistes Sidorela Vatnikaj nga “Drejtësi Sociale”, korsitë preferenciale të shërbimit kundrejt tarifave, përcaktojnë trajtim të pabarabartë të shtresave të varfra dhe cenojnë një nga të drejtat themelore të njeriut, atë të qasjes në sistemin shëndetësor.

Sidorela Vatnikaj, aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të njeriut qendra “Drejtësi Sociale”

“Me ndryshimet e reja ligjore që pritet të miratohen në Parlament, tashmë spitali pritet t’i nënshrohet autonomisë spitalore. Pacientët që do të kenë mundësi të paguajnë tarifat do të mund të “parakalojnë” pacientët e tjerë për ta marrë më shpejt shërbimin dhe “për të zgjedhur mjekët më të mirë”. Gjithashtu, mjekët do të munden të ofrojnë shërbimin e tyre privat në spitalet publike, pa pasur nevojë të kenë klinikat e tyre private. Pra, një marrëveshje “ëin-ëin” për shtetin dhe privatin (mjekun), por jo për pacientin, e sigurisht, jo për pacientin e varfër. Ky ligj është i rrezikshëm sepse kërcënon një nga të drejtat themelore të njeriut, që është qasja në sistemin shëndetësor. Përmes këtij projektligji i hapet rrugë privatizimit të spitaleve publike, ku pacientët duhet të paguajnë për ta marrë shërbimin në kohën që duhet. Ndërsa për të varfërit që janë të detyruar të paraqiten në spitale publike, ligji nuk parashikon asgjë. Pra, “korsia preferenciale” nënkupton një korsi shpejtësie, ku ata që do munden të paguajnë më tepër, do të mund të zgjedhin edhe mjekun, edhe shërbimin në kohë më të shpejtë. Pyetja që shtrohet është nëse ka “mjekë të mirë” dhe “mjekë më pak të mirë” mes të cilëve mund të zgjedhësh, a është e drejtë që pacienti që nuk mund të paguajë, të ketë shërbim “më pak të mirë” spitalor? Së dyti, si përcaktohet një mjek i mirë dhe jo i mirë? Së treti, po në rastin e sëmundjeve kronike, a mund të përdoret koncepti i korsisë së shpejtësisë?”

Juristi Gentian Serjani po ashtu i sheh problematike këto rregulla të reja, të cilat sipas tij diskriminojnë pacientët që nuk kanë mundësi financiare të paguajnë, ndaj mund të përkeqësojë situatën e trajtimit të pabarabartë të shtresës së varfër në Shqipëri.

Gentian Sejrani-Jurist “Drejtesia Sociale”

“Ky ligj nuk është në favor të pacientëve që nuk kanë mundësi financiare të paguajnë, e që kanë nevojë për shërbim të shpejtë duke tejkaluar radhën, por justifikohet me idenë që pacientët që marrin shërbim spitalor në spitale private ta marrin atë edhe në spital shtetëror. Nga ana tjetër, mjekët do të detyrohen që të “përzgjedhin” pacientët, që sërish do të theksojë hendekun pasuror. Ligji rrezikon që të lejojë diskriminim në marrjen e shërbimit shëndetësor për komunitetet e varfra dhe të margjinalizuara, të cilat nuk kanë mundësi financiare për të paguar për marrjen e shërbimit shëndetësor në “korsitë preferenciale”. Ka mjaftueshëm të dhëna nga raporte të mbledhura në vite se diskriminimi në bazë të mundësive për të paguar ekziston, qoftë në mundësitë për një pacient të varfër për të bërë analiza të veçanta që nuk ofrohen fare nga spitali publik.”

Juristi Serjani sjell edhe rastin e një zonje nga Elbasani që është penalizuar nga shërbimi.

“Një paciente nga qyteti i Elbasanit donte të bënte një analizë por nuk mundi, pasi në ambulancën qendrore në Elbasan iu tha që për muajin Shkurt numri i analizave nga ana e firmës koncensionare kishte mbaruar, dhe kështu mbetej për në muajin Mars. Mirëpo edhe në muajin Mars, ndoshta për shkak edhe të këtyre korsive preferenciale, nuk mund t’i ofrohet ky shërbim. Zonja duhet të presë edhe pse mbase ka një sëmundje që e ka të nevojshme ta kryejë shpejt analizën. Imagjinoni një zonjë e cila trajtohet më një kemp dhe nuk ka mundësi të bëjë një analizë, duhet të presë derisa t’i vijë radha, kohë që nuk i dihet sa zgjat, për ofrimin e shërbimit nga ana e shtetit. Pra, numrin e analizave në një muaj e kemi të përcaktuar, dhe nga ana tjetër i japim mundësi pacientëve jashtë referimit, që duke paguar ta marrin shërbimin më shpejt dhe pa radhë.”

Problematik në ligjin e ri shihet edhe neni që përcakton praktikën e dyfishtë të punës për mjekët në spitalet publike. Ekspertët e shohin me sy kritik këtë nen, duke theksuar se ka një sërë mangësish në sqarimin mbi mënyrën sesi do të funksionojë kjo praktikë.

“Një problematikë tjetër që sjell ligji i ri është praktika e dyfishtë e punës, që i lejon mjekët të zhvillojnë edhe punën e vet private në hapësirat e spitaleve publike, duke përdour pajisjet dhe ambientet e spitaleve publike. Pyetja që shtrohet është se cili do të jetë mekanizmi që do të përcaktojë oraret dhe ndarjen mes dy praktikave? Çfarë ndodh me zyren shtetërore ku kryhen vizitat publike në spitalet publike, nëse mjeku vendos ta përdorë për punë private? Si do të rregullohet kjo si praktikë? Kush do ta monitorojë?”janë pyetjet që ngre aktivistja Sidorela Vatnikaj.

“Duke qenë se mjekët do të lejohen të ndjekin praktikën e dyfishtë në spitale publike, do të përforcohet tendenca e përzgjedhjes së pacientëve bazuar te aftësia paguese e tyre. Kjo formë e përdorimit të strukturave dhe mjeteve spitalore privatisht, duket sikur kërkon të kthejë në formale një praktikë deri tani informale, pra atë të pagesës nën dorë për të kaluar radhën e sistemit referencial, ose të përfitimit të një shërbimi më të shpejtë mjekësor. Por gjasat që kjo të përmirësojë aksesin në shëndetësi, janë realisht të pakta”-thotë juristi Gentian Serjani.

Nga pikëpamja juridike vërehen disa shkelje në këto nene të cilat lidhen me diskriminimin e pacientëve si dhe ç’organizimin e funksionimit të spitalit publik.

 “Mekanizmi i vetëadministrimit të spitaleve do të duhej të ishte më i detajuar dhe i qartë, duke mos e kthyer spitalin publik në një spital publiko-privat që nxjerr vetë të ardhura. Gjithashtu përdorimi i korsisë preferenciale do të nxisë diskriminimin në mënyrë të pashmangshme që do të vërtetohej shumë lehtë me një ankim te zyrat e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku një personi me vështirësi ekonomike do t’i mohohej aksesi në shëndetësi që mund të shkaktojë pasoja të pakthyeshme. Nga ana tjetër, nuk do të konceptohej praktika e korsisë preferenciale në sistemin e urgjencës, duke qenë kontakti i parë i pacientit me sistemin spitalor. Gjithashtu praktika e dyfishtë do të ç’organizojë funksionimin e spitalit publik duke mos patur format e duhura të kontrollit të punës së mjekëve sipas turneve përkatëse, krahas mosndarjes së qartë ligjore mbi përgjegjësitë profesionale të mjekut dhe spitalit në ofrimin e shërbimit spitalor.”

Juristi jep edhe disa sygjerime.

“Duhet të ketë organizma që do të kenë aftësitë e duhura profesionale dhe pavarësinë për mbikëqyrjen e procesit të vetëadministrimit të spitaleve. Duhet që korsia preferenciale të mos jetë norma bazë e punës së mjekëve, aq më pak në urgjencë dhe për këtë duhet të gjenden mekanizmat e duhur për të qenë nën kontroll. Nga ana tjetër, duhet të ofrohen garanci për të garantuar aksesin në shëndetësi për grupet vulnerabël.”

Aktivistë e juristë thonë se do të jenë aktivë në monitorimin e këtij ligji dhe nëse vërejnë se do të ketë trajtim të pabarabartë të shtresave të varfra, do i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar shfuqizimin e nenit që përcakton dhënien e shërbimit me korsi preferenciale.

Me këto ndryshime ligjore, bëhet e legjitimuar shëndetësia që blihet me parà. Edhe pse tashmë praktika e njohur si “ryshfet” apo “dhënie e parave nën dorë” duket se është pranuar kulturalisht nga populli shqiptar, edhe për vetë faktin se pacientët kanë qenë të vetëdijshëm se nëse nuk jep lekë ekstra “nuk të prek kush me dorë” në spital, tanimë kjo po rregullohet dhe pranohet edhe me ligj. Po ashtu është e njohur dhe pohuar nga vetë pacientët edhe situata e kalimit të këtyre të fundit nga spitali publik drejt klinikave private për të marrë shërbim, çka gjithashtu po legjitimohet.

Ligji në fjalë që po i kthen spitalet publike në autonome, u depozitua në maj të vitit të kaluar, dhe u miratua pa shumë zhurmë në një periudhë kohohe vetëm brenda 2 muajsh. Kjo shpejtësi e miratimit të tij, si dhe mungesa e konsultimit publik, pasi janë pyetur vetëm dy grupe interesi nga shoqëria civile dhe disa pacientë, ngrenë shumë pikëpyetje.

 

 

 

 

Më të lexuarat