Rritet kriminaliteti tek të miturit, 50 të arrestuar në vitin 2022

Të fundit

Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara
Brejdon Xhavara, është gazetar dhe aktivist i komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri.

Nga Fjona Çela

Ngjarjet kriminale me protagonistë individë të mitur, nga viti në vit po gjejnë gjithnjë e më shumë përhapje. Në fakt nuk ekziston një përkufizim fiks për sjelljen kriminale të të miturve. Nga disa autorë përkufizohet si sjellje jo e ekuilibruar emocionalisht, të tjerë e shohin si sjellje antisociale të vazhdueshme apo të përcaktuar si devijante nga autoritetet. Sjelljet delinkuente të të miturve përfshijnë të mitur si autorë të veprave penale, të mitur si të dëmtuar prej veprave penale, por nga ana tjetër një numër i konsiderueshëm të miturish janë edhe viktima të veprave penale me autorë bashkëmoshatarët e tyre.

Fenomeni i përfshirjes së të miturve në akte kriminale është përhapur masivisht në shoqërinë shqiptare, kryesisht gjatë viteve të fundit. Të dhënat tregojnë se në Shqipëri 5% e krimeve kryhen nga të miturit. Vetëm gjatë vitit 2022 janë kryer 1470 vepra penale nga të miturit, me pjesëmarrjen e rreth 1600 të miturve. Nga ky numër i të miturve në konflikt me ligjin, vetëm 50 prej tyre janë arrestuar, ndërkohë që qindra të tjerë janë hetuar në gjendje të lirë, për shkak të lehtësirave që ofron Kodi i Drejtësisë Penale për të miturit. Kjo padyshim shton rrezikun e rikthimit të të miturve të përfshirë në sjellje kriminale, në përsëritës të veprave penale, e jo në pak raste i kthen ata edhe në objekt shfrytëzimi nga grupet kriminale.

Të miturit e përfshirë në krime i përkasin kryesisht grupmoshave nga 11 deri në 18 vjeç, ndërsa më të përfshirë në ngjarjet kriminale rezulton të jetë mosha 16 vjeç. Vepra më e shpeshtë kriminale që kryhet nga të miturit është vjedhja, e ndjekur nga prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike dhe armëmbajtja pa leje. Edhe numri më i lartë i të miturve të arrestuar është për vjedhje, ndërsa rezulton se më shumë vjedhin biçikleta, sende në shtëpi dhe vlera të ndryshme monetare apo sende në transportin publik.

Punonjësit socialë tregojnë se sjellja kriminale e të miturve ndikohet nga një sërë faktorësh risku, të cilët lidhen jo vetëm me planin individual, por kryesisht me atë familjar e shoqëror. Ky ndërveprim i faktorëve të sipërpërmendur dhe atyre psiko-socialë, ndikojnë që të miturit të përfshihen në sjellje delinkuente. Të miturit që kanë përjetuar ngjarje të tilla si dhuna në familje, problemet e vazhdueshme mes prindërve apo histori divorci, familje në gjendje të rënduar ekonomike pa njërin prind apo prindër në emigracion etj., janë më shumë të predispozuar të përfshihen në ngjarje kriminale. Madje këto faktorë dhe probleme të theksuara sociale, kanë ndikuar edhe në arsimimin e këtyre fëmijëve, të cilët në jo pak raste nuk janë lejuar të vazhdojnë as ciklin arsimor të detyrueshëm, dhe mungesa e arsimit në këto individë ka luajtur një rol tejet negativ.

Për “Community Reporters Albania”, Klaudio Pulaha, punonjës social, rendit arsyet që sipas tij nxisin të miturit në konflikt me ligjin, që të përfshihen në ngjarje kriminale.

Klaudio Pulaha-punonjës social

“Përsa i përket kriminalitetit tek të miturit nga ana sociale mund të theksojmë se është një sistem i prishur familje-shoqëri-shkollë. Kriminaliteti kryhet veçanërisht tek ata të mitur ku struktura familjare është e dëmtuar, në raste kur prindërt janë të divorcuar, apo edhe fëmijë të cilët nuk kalojnë mjaftueshëm kohë me prindërit si shkak i konflikteve apo problematikave të ndryshme në familje. Për sa i përket familjes vlen të theksohet dhuna që ndodh brenda familjes, si një faktor kryesor që nxit përfshirjen e tyre në ngjarje të tilla. Nëse rriten në këtë mjedis, shpesh herë fëmijët përpiqen që të zgjidhin një problematikë të caktuar me dhunë apo që të gjejnë mbështetje tek persona më të rritur që mund t’i keqpqërdorin. Këto mund të jenë tutorët e tyre në rastet bëhet fjalë për shpërndarje të lëndëve narkotike, vjedhjet etj. që janë ndër veprat penale më të përhapura sa i përket të miturve.

Përveç familjes, shkolla është një tjetër faktor. Shërbimi psiko-social në shkolla duhet të punojë pak më tepër me këta të rinj të cilët shfaqin sjellje antisociale, pasi jo rallë herë duke i konsideruar si raste të vështira, ngrenë duart lart dhe thonë se s’mund të bëhet asgjë. Kjo dhe për shkak të frikës që këta fëmijë mund të jenë të dhunshëm. Shpësh ndodh që psikologët e punonjësit socialë të shkollës merren me raste të ndryshme dhe më pas nuk kanë fuqi mjaftueshëm të bëjnë diçka. Nga ana tjetër mësuesit fokusohen më tepër tek nota, gjë që nuk është gabim, por ama duhet bërë më shumë në drejtim të sjelljes problematike që të miturit paraqesin”-shprehet ai.

Faktorë të tillë ndikojnë edhe në shpërndarjen gjeografike të kriminalitetit të të miturve, duke marrë parasysh që të miturit në konflikt me ligjin jetojnë në zona heterogjene siç janë qytetet e mëdha, por edhe në zona rurale. Sipas të dhënave të IEVP rezulton se kriminaliteti i të miturve është shumë më i lartë në zonat urbane me popullsi heterogjene si Tirana apo Durrësi.

Këtu vlen të sillet në vëmendje rasti i para pak muajve ku një adoleshent në qytetin e Durrësit ishte plagosur nga një vajzë e mitur, me thikë. Ky është një rast që tregon se armëmbajtja pa leje është kthyer në fenomen të përhapur, dhe ajo çka është më tepër shetësuese, se këto armë të papërshtatshme përdoren edhe nga të mitur.

Raporti i Prokurorit të Përgjithshëm “Mbi gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri” për vitin 2021 (faqe 51) tregon se referuar të dhënave statistikore për vitin 2021, bazuar në disponimet e Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, janë regjistruar 704 procedime penale ku përfshihen të miturit në konflikt me ligjin, me rritje 47,28 % të numrit të procedimeve krahasuar me vitin 2020. Janë regjistruar 744 të mitur në konflikt me ligjin si të pandehur ose persona nën hetim për kryerjen e veprave penale, me rritje 41,71 % krahasuar me vitin 2020. Ndaj të miturve në konflikt me ligjin janë vendosur 32 masa sigurimi personal arrest në burg ose për rreth 4,3% të të miturve të pandehur, me ulje 1,6% këtij raporti në përqindje të të miturve në konflikt me ligjin me masë sigurimi “arrest” krahasuar me vitin 2020.

Lidhur me vendimmarrjen e prokurorit për çështjet ku përfshihen të mitur në konflikt me ligjin, të dhënat statistikore evidentojnë se është vendosur mosfillimi për 492 kallëzime penale ndaj të miturve, janë pushuar 302 çështje me 285 të pandehur të mitur në konflikt me ligjin ose me rritje 51,7 % të çështjeve të pushuara krahasuar me vitin 2020 dhe janë dërguar për gjykim 210 çështje me 266 të pandehur të mitur në konflikt me ligjin, ose me rritje 43,8 % të çështjeve të dërguara për gjykim krahasuar me vitin 2020. Sipas të dhënave statistikore evidentohet se viktima të mitur janë regjistruar në 612 çështje me 657 viktima të mitura, prej të cilëve 285 femra dhe 372 meshkuj, të cilëve u janë siguruar të gjitha të drejtat dhe garancitë procedurale penale.

Sa i përket aplikimit të masës alternative të shmangies, nga të dhënat statistikore rezulton se në kuadrin e procedimeve të mosfilluara, në 164 raste është aplikuar shmangia, ndër të cilat në 4 raste këshillim për të miturin dhe familjen, në 1 rast është vendosur paralajmërim me gojë dhe në 159 raste është vendosur paralajmërim me shkrim. Ndërkohë për çështjet e pushuara në 251 raste është aplikuar shmangia, ndër të cilat në 1 rast është vendosur ndërmjetësimi, në 4 raste është vendosur paralajmërim me gojë dhe në 246 raste është vendosur paralajmërim me shkrim. Aplikimi i shmangies nga dënimi i të miturit në konflikt me ligjin është rritur në masën 96,24 % krahasuar me vitin 2020.

 Çfarë përcakton ligji për të miturit që kryejnë krime?

Të dhënat e INSTAT tregojnë se grupmosha 21-29 vjeç ka normën më të lartë të të burgosurve në raport me popullsinë, ndërsa personat mbi 60 vjeç dhe nën 20 vjeç kanë normën më të ulët të të burgosurve. Ky numër i vogël i të miturve të burgosur lidhet edhe me legjislacionin në fuqi. Të miturit janë dënuar për vepra penale të ndryshme, përfshirë veprat penale kundër personit (vrasje e plagosje, krime seksuale), kundër pasurisë (vjedhje), kundër rendit e sigurisë (armëmbajtje pa leje, shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor), prodhim dhe tregtim lëndësh narkotike etj. Studimet tregojnë se kryesisht të miturit e akuzuar apo dënuar për kryerjen e veprave penale janë më pak të arsimuar, si dhe pjesa më e madhe e tyre janë akuzuar apo dënuar për kryerjen e veprës penale të vjedhjes në forma të ndryshme, që është vepra penale më e shpeshtë e konsumuar prej tyre.

Sipas ligjit shqiptar në rast të një krimi të kryer nga një i mitur, ai shoqërohet vetëm në prani të një psikologu, kujdestari dhe një mbrojtësi ligjor në një ambient të përshtatshëm për moshën e tij si dhe nuk mund të qëndrojë në polici pas orës 20:00. Po ashtu, ligji përcakton se të miturit me masë sigurie arrest me burg dhe ata që marrin vendimin e formës së prerë nga gjykatat akomodohen në institucione për të mitur ose në institucione me seksione të veçanta për të mitur, të cilët janë të veçuara, pasi kanë edhe qëllime të tjera edukimi dhe parime të tjera shtesë që synojnë edukimin dhe largimin e tyre nga kriminaliteti, në raport me institucionet e vuajtjes së dënimit për personat e rritur.

Por këto lehtësira duket se janë shfrytëzuar nga të miturit të cilët kthehen në përsëritës të veprave kriminale dhe përdoren nga të rriturit për të kryer vjedhje apo krime të tjera. Kur ata janë në prag të mbushjes së moshës për marrje të përgjegjësisë apo në rastet e veprave penale të rënda, ata procedohen dhe dërgohen në institutin e Kavajës, aty ku u ofrohet mundësia për të ndjekur arsimim dhe për tu koorrektuar nënn mbikqyrjen e psikologëve.

Megjithatë punonjësi social Klaudio Pulaha, e sheh këtë problematikë përtej aspektit ligjor, duke vënë theksin në shërbimet sociale, të cilat duhet të bëjnë më shumë për këta individë.

“A ka programe të mirëfillta apo është thjesht një detyrim paraqitje apo takim me psikologun? Psikologu apo punonjësi social që është në shërbimin e provës, a ka ndonjë plan vërtet individual për ta riintegruar këtë fëmijë? A bashkëpunon me punonjësit për mbrojtjen e fëmijëve në njësinë administrative ku ky fëmijë jeton? A bashkëpunon me shkollën? Sepse kemi patur raste që janë me shërbim prove, por nga ana tjetër cfarë shërbimi konkret marrin ata? Pra, konkretisht çfarë ju ofrojnë dhe a janë efektive këto shërbime për këta të mitur? P.sh nëse marrim rastin e të miturve në IEVP Kavajë, mund të bëhet punë e mirë dhe që është për t’u vlerësuar, por çfarë ndodh kur i mituri del nga aty? Ndodh që shërbimet e këtij instutucioni nuk i gjen më jashtë. Pra marrim rastin kur bën një kurs profesional në këtë institucion, po jashtë kush e pret, ku i ofrohen këto mundësi?

Nëse marrim rastet e fëmijëve që kanë familje problematike apo me ngjarje të dhunës, kush ka punuar me familjen e tij që të mbështesë këtë fëmijë? Fëmijët në këto IEVP e shprehin që gjatë qendrimit aty kanë ndryshuar sjellje, por kur dalin jashtë kthehen prapë në po atë sjellje se nuk i integrojnë, nuk i gjejnë punë etj. Në momentin që ai aty brenda mund të ketë ndryshuar diçka, një mendësi, atje jashtë nuk e mbështesin. Pra ka mungesë të theksuar të shërbimeve komunitare, qoftë edhe shërbime falas psikologjike apo këshillimi”-thekson Pulaha.

Bazuar në të dhënat e paraqitura më sipër, arrihet në konkluzionin se kriminaliteti i të miturve në Shqipëri ka ardhur në rritje, kryesisht në 5 vitet e fundit, ndërsa shifrat më të larta janë shënuar në vitin që lamë pas. Në vendin tonë, të miturit në konflikt me ligjin janë kryesisht meshkuj. Vjedhja është vepra penale për të cilën janë akuzuar apo dënuar më shumti të miturit, por vihet re një rritje e ndjeshme e numrit të të miturve të përfshirë në vepra penale që kanë të bëjnë me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.

Më të lexuarat