Ndotja në bashkitë Tiranë, Elbasan dhe Fier është një nga problemet e shtuara për anëtarët e minoritetit Rom dhe Egjiptian pranë vendbanimeve të tyre. Të vendosur në zona urbane dhe periferike, ndotja e ajrit dhe ujit ua vështirëson jetën duke rezikuar edhe shëndetin e tyre.
Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome, Qëndra për Advokim Social dhe organizata TIRC, tri organizata që mbrojnë të drejtat e dy minoriteteve, ngrenë si shqetësim ndotjen e mjedisit dhe ndikimin negativ që ka në shëndetin e grupeve të margjinalizuara që banojnë në bashkitë respektive Elbasan, Tiranë dhe Fier.
Ndonëse kjo nismë ngre shqetësimin konkretisht për anëtarët romë dhe egjiptianë, të cilët për shkak të vendbanimit dhe kushteve të jetesës e kanë të pashmangshëm kontaktin me ndotjen, çështja e mjedisit prek çdo qytetar dhe përmes këtyre nismave këto organiztata shkojnë përtej minoriteteve.
“Përmes nismes së ndërmarrë ne synojmë të rrisim përgjegjshmërinë e institucioneve përgjegjëse për të marrë masa konkrete për ta patur prioritet kryesor parandalimin e ndotjes së mjedisit, sigurimin e një mjedisi të pastër, të shëndetshëm, shlodhës e argëtues për qytetarët duke iu afruar standarteve të BE-së.” shprehet, Ervis Çota drejtues i organizatës Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome për anagzhimin në çështjet e ndotjes së mjedisit.
Por cilat janë disa nga problemet e ndotjes së mjedisit të identifikuara në bashkitë Tiranë, Elbasan dhe Fier që prekin edhe romët e egjiptianët?
Qëndra për Advokim Social, e cila punon në zonën e Yzberishtit në Tiranë, ngre si shqetësim cilësinë e ujit të pijshëm i cili shkon në banesa me orare të reduktuar dhe i ndotur, duke veshtirësuar jetën e përditshme dhe iu rrezikuar shëndetin.

Edhe në këtë zonë ndotja e ujit është një problem i hershëm i cili ende nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare nga institucionet e njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe UKT. Nga analizat e bëra nga një kompani gjermane për filtrat e ujit, në kampionet e marra nga uji që vjen në këtë zonë, rezulton i ndotur me përmbjatje të lartë të ndryshkut për shkak të tubacioneve të vjetra.
Pas kërkesave të bëra nga komuniteti rom dhe egjiptian në këtë zonë, UKT ka rinovuar rrjetin e ujësjellësit dhe furnizimin me ujë të pijshëm nga rrjeti i ri i Bovillës, duke nxjerrë jashtë funksionit furnizimin me ujë nga depozitat e mëdha të ujit. Megjithatë ende pritet të përfundojnë analizat e ujit si dhe e gjithë infrastruktura e nevojshme.
Aktivisti i Qëndrës për Advokim Social, Fatmir Zyberi tregon se konsumimi i këtij uji ka patur ndikim negativ në shëndetin e banorëve.

“Gjatë stinës së verës mungesa e ujit e vështirëson jetësën familjeve që jetojnë në këtë zonë. Edhe aq orë sa ka patur ujë gjatë ditës, nuk ka qënë cilësor. Disa anëtarë që kam shoqëruar në qëndrat shëndetësore kanë pasur probleme me gurët në veshka dhe fëmijët kanë pasur probleme me lëkurën për shkak të ujit të ndotur që ka rezultuar me përmbajtje të dëmshme për organizmin”, shprehet ai për CRA.
Por përveç ndikimit në shëndet, Zyberi tregon se familjet nuk përmbushin nevojat gjatë ditës dhe shpesh herë kanë përplasje të orarit të ujit me orarit të punës së tyre informale. Aktivisti tregon se gjatë punës në terren shpesh takon nëna të cilat nuk i kanë dërguar fëmijët në kopsht apo në shkollë, për shkak se nuk kanë pasur ujë, duke mos mbajtur dot higjenën e duhur. Këta fëmijë që jetojnë në kushte të papërshtatshme, shpresh bëhen pre të bullizmit dhe diskriminimit nëpër shkolla.

Në bashkinë Elbasan, problemi më i dukshëm është ndotja e ajrit që vjen si pasojë e aktivitetit industrial në këtë zonë. Problematika është e hershme dhe për të shpesh here ka pasur reagime nga qytetarët dhe shoqëria civile, por asnjeherë nuk është trajtuar me seriozitetin e duhur nga ana e institucioneve përgjegjëse.
Ndotja e ajrit është një fenomen tepër shqetësues pasi ndikon drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve elbasanas dhe ky rrezik për komunitetet e romëve dhe egjiptianëve është disa herë më i lartë. Sipas një anketimi të zhvilluar nga organiztata “Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome”, qytetarët vlerësojnë se problemet kryesore shëndetësore që shkakton ndotja e ajrit janë: Problemet me mushkritë, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet kancerogjene, irritimet në sy, hundë,grykë, alergjitë e ndryshme, probleme me astmën. Gjithashtu janë shprehur se të afërm të tyre kanë humbur jetën për shkak të sëmundjeve që shkaktojnë çlirimet e elementëve të dëmshëm kimik në ajër, ndërsa ka shumë të tjerë me sëmundje kronike të shtruar në spitale që luftojnë ende për jetën.

Ervis Çota, drejtues i organizatës LRER tregon se përmes angazhimit në këtë nismë synohet rritja e përgjegjëshmërisë së institucioneve kompetente për të marrë masa konkrete në redukrimin e ndotjes së ajrit në bashkinë Elbasan.
“Bashkia Elbasan e ka detyrimin ligjor të marrë masa për eleminimin apo reduktimin e nivelit të ndotjes së ajrit. Për këtë qëllim bashkia ka hartuar Planin Vendor të Mbrojtjes së Mjedisit 2020-2022, në të cilin parashikohen masa që në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Mjedisit të qarkut, Prefektit, deri tek titullari i Ministrisë së Mjedisit, të sensibilizohet në mënyrë të vazhdueshme ndaj operatorëve të mëdhenj industriale si: “Kurum International”, “Albchrom”, “ECF” etj.; me objektivin që ato të respektojnë detyrimisht normat e miratuara të shkarkimeve në ajër, si bazë kjo për të arritur në një kohë sa më të afërt, normat e vendosura nga Komisioni Europian., si pjesë e plotësimit të standarteve të vendosura prej saj. Po në këtë kontekst, të merren masa parandaluese teknike, duke vërejtur se niveli i ndotjes së mjedisit për shkak të shkarkimeve të pakontrolluara është ende në nivele të larta”, shprehet ai pyetur ai nga CRA për veprimtarinë e organizatës për çështjen e ndotjes së ajrit.

Organizata TIRC e cila operon në bashkinë e Fierit, është pjesë e këtij angazhimi për identifikimin dhe adresimin e problemeve të ndotjes në këtë zonë duke i ardhur në ndihmë anëtarëve të minoritetit rom dhe egjiptian por jo vetëm. TIRC ngre problemin e ndotjes së ujit së lumit Gjanica nga hidrokarburet dhe mbetjet inerte të cilat derdhen në gjithë gjatësinë e rrjesdhës së lumit, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore.
Banorët e fshatrave të vendosur në dy anët e lumit, Baltës dhe Drizë tregojnë se kanë probleme me shëndetin si pasojë e ndotjes së ujit dhe ajrit në këtë zonë. Sipas një anketimi të bërë me anëtarë të minoritetit rom në këto dy fshatra ata shfaqin probleme në semundje që kanë të bëjnë me mushkritë, sëmundje kancerogjene, irritime në sy, hundë, grykë, si dhe probleme me lëkurën. Përveç ndikimit në shëndetin e banorëve që jetojnë në këtë zonë edhe flora dhe fauna e lumit Gjanica është e shkatërruar dhe në rrezik zhdukje përfundimtare.

Eduart Koci, drejtues i organizatës TIRC tregon se së bashku me komunitetin romë të kësaj zone kanë adresuar problemin në bashkinë e Fierit, duke kërkuar marrjen e masave dhe reduktimin e ndotjes. Bashkia Fier ka gjobitur disa nga kompanitë të cilat ndotin lumin, por sipas banorëve kjo nuk është e mjaftuueshme pasi subjektet do të vazhdojnë të ndotin nëse nuk merren masa konkrete për reduktimin e ndotjes dhe përmirësimin e situatës.
Nisma të tilla të cilat anagazhojnë komunitetet për të qënë llogarikërkues dhe të vendosin intitucionet para përgjegjësive janë të nevojshme dhe në dobi të përmirësimit të cilësisë së jetës. Gjithashtu ato ndikojnë edhe në rritjen e përformancës së institucioneve për të arritur standartet e kërkuara për mbrojtjen e mjedisit.
Sipas studimit të kryer nga Agjensia Evropiane e Mjedisit, rreth 23 % e vdekjeve në vendin tonë kanë si shkaktar kryesor ndotjen e mjedisit, duke përfshirë këtu ndotjen e ajrit, ujit, tokës.