Dënohet Bashkia Tiranë, Ricikluesi fiton gjyqin

Të fundit

Jeta Pera
Jeta Pera
Jeta Pera ka studiur për Gjeografi në Universitetin e Tiranës, prej disa vitesh është aktiviste për të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri.

Mbledhësit e mbetjeve të riciklueshmme ose ricikluesët romë dhe egjiptianë, dhunohen dhe diskriminohen sistematikisht nga Policia Bashkiake e Tiranës.   Ndonëse një problem i vënë në dukje prej kohësh , këtë herë Gjykata e Tiranës vendosi në favor të paditësit Agron Curra, duke konstatuar diskriminim dhe dëmshpërblimin në formën e dëmit moral të ricikluesit në masën 2,504,467 mijë lekë.

Rasti i Currës, u bë viral në median sociale kur u bë ndalimi i tij nga Policia Bashkiake në Mars të vitit 2020, kur ai po transportonte me mjetin e tij tricikël mbetje metalike të falura nga dikush tjetër.  Prej këtij momenti çështja e tij është ndjekur nga organizata “Drejtësi Sociale” dhe Curra ka rrëfyer rreth ngjarjes në informim.al

Foto:Informim.al

Po ecja në rrugë, po prishej një dyqan aty dhe më dhanë disa hekura. I ngarkova në karrocë dhe po kthehesha në lagje. Policia më kapi dhe unë iu thashë që nuk i kam vjedhur as nuk i kam marrë diku, mi falën, eja të të tregoj kush mi dha. Më morrën karrocën dhe ikën pa më dhënë asnjë letër që të kërkoja karrocën.” ka treguar ai kur Policia Bashkiake i sekuestroi mbetjet dhe mjetin.

Pas denoncimit të rastit nga ricikluesi, çështja është drejtuar në institucionin e Komisionetit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe më pas në Gjykatën e Tiranës, deri në dhënien e vendimit për rastin konkret.

Foto:Gentian Serjani “Drejtësi Sociale”

Gentian Serjani, avokat i “Drejtësi Sociale” përfaqësoi në gjykatë rastin e Agron Currës, duke vendosur drejtësi për ricikluesin dhe duke vënë përpara përgjegjësisë Policinë Bashkiake të Tiranës për mënyrën si i trajton ricikluesit romë dhe egjiptianë.

Komisoneri pas ndjekjes së procedurës për shqyrtimin e ankesës ka dalë me vendimin Nr. 133, datë 08.10.2020 ku ka konstatuar  diskriminim të tërthortë, për shkak të racës, etnisë dhe gjendjes ekonomike, të paditësit nga ana e Bashkisë Tiranë dhe Policisë Bashkiake Tiranë.

Pas vendimit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, avokati i “Drejtësi Sociale” iu drejtua Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë duke i kërkuar përsa i takon më poshtë:

1.     Konstatimin e diskriminimit në formën e “Diskriminimit të tërthortë” ndaj Paditësit Agron Cura;

2.     Detyrimin e palës së Paditur për shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga sjellja diskriminuese përmes ndreqjes së shkeljeve ligjore dhe pasojave përmes:

i. kryerjes së veprimeve administrative për ndërprerjen e praktikave të ndjekura nga Bashkia Tiranë dhe Policia Bashkiake Tiranë për bllokimin e materialeve të riciklueshme që mblidhen nga persona në nevojë,  

veçanërisht anëtarë të komunitetit Rom dhe Egjiptian ;

ii. kompensimit të dëmit jopasuror, në formën e dëmit moral, në masën 2,504,467 mijë lek, të shkaktuar nga pala e paditur;

3.     Dhënien e vendimit me ekzekutim të përkohshëm.

Gjykata vendosi pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë, duke konstatuar diskriminimin në formën e “Diskriminimit të tërthortë”, si dhe kompesimin në formën e dëmit moral në masën 2,504,467 mijë lekë për paditësin Z. Agron Cura.

Ky rast u përdor si precedent nga organizata “Drejtësi Sociale”, duke ju referuar rasteve të përsëritura të Policisë Bashkiake Tiranë, e cila dhunon sistematikisht (hallexhinjtë) ricikluesit dhe tregtarët ambulantë.  

Më të lexuarat