Digjitalizimi është kthyer në prioritetin e qeverisë për vitin 2022, tashmë që prej datës 1 Maj, asnjë nga punonjësit e Njësive Administrative, Adisa dhe Agjensia Shtetërore e Kadastratës nuk japin shërbim fizikisht por vetëm online si një mënyrë e cila shmang rradhën dhe korrupsionin.
Shqipëria është një nga vendet e cila popullsia e saj (mosha e tretë dhe grupet vulnerabël) nuk kanë njohuri dhe akses të përdorin sistemet online siç është sistemi qeveritar E-Albania, ku mund të merren dhe aksesohen qindra dokumente.
Community Reporters Albania u interesua në disa bashki për të kuptuar nivelin e njohurive dhe aksesimit të sistemit nga Minoriteti Rom dhe Egjiptian. Sipas aktivistëve në qytetin e Beratit , që prej datës 1 Maj me hyrjen ne fuqi te shërbimeve online komuniteti Rom dhe Egjiptian po hasin vështirësi të mëdha për të marr shërbimet e kërkuara prej tyre, “shumica e individëve nuk kam ende llogari në e-albania ndërsa pjesa tjetër nuk dinë ta përdorin aplikacionin, qendrat e internetit që ofrojnë shërbimet aplikojnë tarifa të larta për shërbimin”, shpjegoi për CRA, Besmir Dalipi aktivist nga Berati.
Në Elbasan, Raxhi Rakipi aktivist Rom tha se “Romët dhe Egjiptianët por edhe mazhoranca hasin vështirësi në aksesimin e portalit online e-albania“.
Kryesisht qytetarët e përdorin E-Albania për të marrë:
1- Çertifikata familjare dhe personale
2-Aplikim si punëkërkues të papunë
3-Aplikime për kartë id/pashaportë
4-Aplikime për pensione të ndryshme
5-Aplikime për vërtetime të ndryshme
Mondi nga Tirana tregoi se kishte shkuar pranë Njësisë Administrative nr 6 për të marrë një certifikatë personale për djalin e tij për ta regjistruar në kopsht por punonjësit deklaruan se duhet ta merrte online. Kushtet e vështira socio-ekonomike tek grupet vulnerabël nuk kanë mundësuar që ata të kenë akses në internet, por edhe ata që munden nuk mund ta përdorin sistemin qeveritar për shkak të problematikave si më poshtë:
1-Nuk kanë një adresë e-mail
2-Nuk mund të regjistrohen tek E-albania
3-Nuk kanë informacion si mund të përdoret E-Albania
4-Nuk kanë njohuri për të printuar dokumentin e shkarkuar nga E-Albania
Një raport i publikuar nga Qendra T’REJA për zonën e Selites ku jetojmë rreth 350 familje rome tregoi se “vështirësia e marrjes së shërbimeve nga E-Albania i ka krijuar pasoja që ja vështirësojnë edhe më shumë jetesën. Shumë individë pohojnë që i është ndaluar ndihma ekonomike në pamundësi për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm në kohën e duhur, që nuk kanë mundur të regjistrojnë fëmijët në shkollë, që kanë humbur bonusin e qerasë, që nuk kanë mundur të aplikojnë për punë e të gjithë gamën e problemeve që shkaktohen nga mungesa e shërbimeve të caktuara”.
Romina Sefa, aktiviste e Qendrës për Advokim Social tregoi për CRA se që prej datës 1 Maj, banorët e zonës së Kombinatit kanë ardhur pranë zyrave pëe të kërkuar shërbime nga E-Albania, ajo tha se:
Tashmë familjet në nevojë ndër to rome dhe egjiptiane janë duke hasur vështirësi të shumta për sa i përket aksesimit në e-albania, kjo vështirësi vjen si pasojë e nivelit të ulet të aftësive digjitale që kanë këto minoritetet por jo vetëm, ne jemi duke i lehtësuar online sepse kaq mund të bëjmë për momentin në mënyrë që këto familje të mos përjashtohen nga shërbimet sociale që kanë përfituar më herët ose ky portal të mos bëhet pengues dhe për ato familje që aplikojnë për herë të parë për të përfituar nga shërbimet publike. Tashmë E-albania është kthyer në domosdoshmëri por institucionet nuk duken gjëkundi për të lehtësuar këtë proces të ri për të gjithë qytetarët që mund të kenë nevojë, tha Romina Sefa për CRA.
Në Fier, konsiderohet si një ndër bashkitë më të populluara për romët, Eduart Koçi tregoi se banorët janë të moshave të treta dhe nuk kanë akses fare në sistem,” Banorët nuk kanë llogari dhe e-mail, është shumë e vështirë, ka shumë njerëz, pensionistë që kërkojnë shërbime dhe nuk po ndihmohen nga asnjë punonjës i Njësive Administrative por vetëm nga ne aktivistët“.
Qeveria dhe institucionet vendore nuk kanë kryer asnjë konsultim, trajnim sesi duhet ta përdorin grupet vulnerabël sistemin, shumë prej tyre nuk mund të marrin shërbimet publike për shkak se nuk mund t’i aksesojnë dhe vetëm organizatat e shoqërisë civile janë duke ndihmuar banorët për të marrë shërbimet publike.
Në Durrës, aktivisti Ili Jakupi pohoi se komuniteti e ka vuajtur prej kohësh këtë problematikë të E-Albania, ai tregoi që banorët shpesh shkojnë në qendra interneti për të marrë shërbime publike kundrejt pagesës.
Etleva Tare, specialiste e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi tregoi se në Korçë, banorët kanë pasur ankesa të shumta për diskriminim ekonomik dhe të moshës për shkak të E-Albania dhe se tashmë KMD është në shqyrtim të rasteve për të vertetuar ose jo diskriminimin.
CRA, pas këtyre problematikave, kontaktoi me zyrën e bashkëqeverisjes për lehtësimin e aksesit dhe trajnimit për këto grupe për të kërkuar një koment, por deri në publikimin e këtij shkrimi ata nuk janë përgjigjur.
Kalimi nga fizikisht në online ka vështirësuar më shumë këtë shtresë të shoqërisë ndërsa pjestarë të këtij komuniteti bëjnë thirrje për lehtësim të procedurave pasi nuk arrijnë të zgjidhin problematikat që kanë me shkresat dhe dokumentacionet që i nevojiten nga E-albania.