Sfidat e maturantëve romë/egjiptianë për t’u regjistruar në universitet. mesatarja 6.5, i penalizon

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Fjona Çela

Përfundimi i ciklit të shkollës së mesme dhe kalimi në universitet për ndjekjen e studimeve të larta, për të marrë kështu profesionin e së ardhmes, është pa dyshim një nga periudhat më të rëndësishme të jetës së një individi. Tashmë pas përfundimit të provimeve të maturës, të rinjtë do kryejnë procedurat përkatëse për regjistrimin në universitet. Por duket se të rinjtë e komunitetit rom dhe egjiptian, do të përballlen me një sërë vështirësish për të ndjekur studimet e larta. Kjo “falë” politikave të ndërmarra nga qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve për këtë kategori.

Për të rinjtë romë dhe egjiptianë, përpara se të hynte në fuqi reforma në Arsimin e Lartë dhe autonomia universitare, ishin planifikuar kuota të veçanta, 20 të tilla, të cilat pranoheshin pa konkurrim. Por me hyrjen në fuqi të kësaj nisme, është vetë universiteti që zgjedh studentë të këtyre komuniteteve, por duke vendosur mesataren 6.5 si kriter. Kjo ka çuar në rënie të mundësisë për të rinjtë e komunitetit rom/egjiptian, për t’u regjistruar në universitet. E teksa numri i studentëve që janë pjesëtarë të këtyre komuniteteve duhet të shkojë drejt rritjes, në fakt mundësitë për to kanë shkuar drejt rënies, përfshirë këtu edhe burokracitë e shtuara që ia bëjnë edhe më të vështirë rrugën për ndjekjen e arsimit të lartë.

Sa i penalizon maturantët romë/egjiptianë kriteri i mesatares?

Sipas Emiliano Aliut, drejtor ekzekutiv i Roma Versitas Albania, ky rregull i penalizon shumë ata romë që kanë përfunduar maturën, dhe shifrat flasin shumë pas ndërmarrjes së kësaj nisme.

Emiliano Aliu, Roma Versitas Albania

“Para se të vendosej kriteri i rritjes së mesatares kemi pasur një rritje jo vetëm të maturantëve, por edhe të studentëve që kalonin tranzicionin në nivelin e tretë apo bachelor në universitet. Qëkur është vendosur ky kriter, automatikisht nuk është përgjysmuar numri, por mbi 90% e atyre nxënësve që kishin një shpresë apo shikonin si rol pozitiv dikë nga bashkëmoshatarët apo të afërmit e tyre që kishin arritur sukses duke vazhduar universitetin, automatikisht janë demoralizuar. Kjo pasi jo vetëm që nuk kanë arritur të mbarojnë shkollën e mesme, sepse i janë drejtuar rrugëve të emigracionit, por nuk kanë pasur mundësi fare për në universitet”-shprehet ai.

Bursat në Shqipëri për studentët të këtyre komuniteteve, ofrohen nga “Roma Education Fund, ndërkohë, Emiliano thotë se ka kërkuar që numri mbështetës për studentë të kësaj kategorie të rritet, që para 3 vitesh, përpara se ky kriter të hynte në fuqi. Sipas tij, numri i studentëve romë/egjiptianë që do të regjistrohen në universitet, do jetë i papërfillshëm.

“Në vitin akademik që na pret përpara, numri i studentëve romë që do regjistrohen në universitet maksimumi mund të jetë 1, jo 2 apo 3, por maksimumi 1. Ndërsa përsa i përket komunitetit egjiptian, të paktën nga përfituesit tanë, nga 9 që kanë mbaruar maturën që kemi mbështetur këtë vit, shanset që mund të regjistrohen në universitet janë vetëm 2 vajza, njëra nga Lezha me mesatare 9.8 dhe tjetra që ka mesatare 8.7, –thotë Emiliano.

Për CRA, Emiliano Aliu rrëfeu edhe eksperiencën e tij të arsimimit. Ai tregon se kur është kthyer nga Italia në 2009, ishte kthyer me një diplomë informatike nga Universiteti i Padova’s dhe një vit e gjysmë me librezë studenti nga universiteti i Veronës dhe pas 10 vitesh i është kërkuar të japë provimin e maturës sërish në Shqipëri. Ndërkohë ligji në fuqi ishte për të gjithë studentët që kishin studiuar në vendet e tjera, bëhej vlerësimi i notave dhe vazhdojnë aty ku i kanë lënë studimet e tyre në vendet e Europës. Gjendur në këto kushte, Emiliano ndoqi studimet në një universitet privat, ku aty numëroheshin 5 studentë vetëm nga komuniteti rom, dhe 4 të tillë nga komuniteti egjiptian. Në këtë kohë, u ndërmor edhe nisma e “Roma Education Fund”.

“Ne kemi arritur në 2012 të regjistrojmë gati 17 studentë romë dhe egjiptianë në universitetet private dhe këtu ka filluar ndryshimi përsa i përket politikave të kuotave të lira në universitetet publike që Ministria e Arsimit ndërmori 1 vit më vonë. Përsëri studentët kalojnë një kalvar me kriteret e universitetit. Në thuajse 6 vite që Roma Versitas ka operuar, në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, ne kemi arritur të mbështesim 257 studentë në nivelet bachelor dhe master.

Por tashmë me autonominë e universtiteteve janë ata që vendosin për çdo student, edhe pse organizatat kanë kërkuar gjithmonë Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve të rishikohet dhe të ketë kuata të veçanta për studentët nga minoritetet si një nismë e cila mbështetet dhe në dokumenta zyrtar si “Plani Kombëtarë i Veprimit për Romët dhe Egjiptianët”.

Ndërkohë në ditët e sotme, edhe sikur t’i marrim ata studentë të cilët mund të deklarohen romë apo egjiptianë, kjo shifër shkon nga 257 në 30-40 studentë në të gjithë Shqipërinë. Pra, do të thotë që politika e ndërmarrë me rritjen e mesatares, kundrejt komuniteteve apo studentëve, maturantëve në nevojë që vijnë nga zonat rurale dhe që nuk kanë mundësi, tregon që është një falimentim total, thekson Emiliano Aliu.

Ndërkohë edhe Sonila Kipti, maturante në gjimnazin profesional “Kolin Gjoka” në Lezhë, pohon se ky kriter po penalizon maturantët e komunitetin rom/egjiptian. Edhe pse ajo nuk preket drejtpërdrejt për shkak të mesatares së lartë, shprehet se në tërësi kriteri është diskriminues.

Sonila Kipti, maturante në gjimnazin profesional “Kolin Gjoka”

“Kriteri penalizon shumë minoritetin rom apo egjiptian, pasi shumica nuk janë me rezultate shumë të larta. Ndaj pjesa dërrmuese e të rinjve të këtyre komuniteteve që duan të ndjekin studimet e larta, penalizohen. Mua personalisht nuk më ka prekur sepse jam me mesatare mbi 8, por përbën pengesë për pjesën më të madhe, ndaj janë detyruar të ndjekin ndonjë kurs apo shkollë profesionale, që mos të rrijnë pa shkollë apo pa marrë ndonjë zanat”-shprehet Sonila.

Sipas saj, ishte më e mirë mënyra e funsionimit para se ky rregull të hynte në fuqi. Ja si shprehet ajo:

“Përpara vendosjes së këtij kriteri, që ishin kuota të përcaktuara për komunitetin rom/egjiptian, ishte më mirë sepse kishte më shumë mundësi për pjesëtarët e këtyre komuniteteve, shtuar këtu edhe pjesën që kanë qenë tre raunde, sepse jepte më shumë mundësi për t’u regjistruar. Tani është edhe frika e vetëm dy raundeve dhe stepemi se ndoshta edhe nuk na del fare shkolla, sidomos për nxënësit që e kanë bërë gjimnazin në shkolla profesionale ku koefiçenti përllogaritet edhe më i ulët”.

Romina Sefa, aktiviste për të drejtat e romëve dhe egjiptianëve, thotë se me vendosjen e kriterit të mesatares së pranimit në universitete, VKM që ishte për përjashtimin nga tarifa dhe pranimin e studentëve romë dhe egjiptianë me një “diskriminim pozitiv”, ndryshoi. VKM e mëparshme u shfuqizua,ajo që mbeti në fuqi ishte vendimi që përfshinte të gjithë nxënësit dhe studentët potencialë për t’u regjistruar në universitete në Republikën e Shqipërisë.

“Ky ndryshim ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë tek studentët romë dhe egjiptianë që mbarojnë shkollat e mesme ku dihet që ky komunitet në Shqipëri përballet me probleme nga më të ndryshmet, por më të shpeshta janë vështirësitë sociale dhe ekonomike, që pengojnë dhe zhvillimin e nxënësve romë dhe egjiptianë për të shkuar drejt universitetit. VKM e mëparshme i ndihmonte nxënësit e këtyre komuniteteve për shkak se ndikonte në pranimin e tyre në universitet edhe pse ata mund të mos kishin një mesatare shumë të mirë për t’u regjistruar, shprehet Sefa.

Sipas saj, ndryshimi i kësaj VKM ka prodhuar shumë vështirësi, për shkak se ka lënë jashtë nxënësit romë dhe egjiptianë që nuk kanë mesatare mbi 6.5 për të aplikuar për shkollëne e lartë.

“Ne si “Qendra Për Advokim Social”, kemi ndihmuar dhe kemi ndërmjetësuar shumë nxënës që kanë dashur të regjistrohen në vitin aklademik 2022-2023, por për shkak të kriterit të mesatares janë penalizuar dhe nuk janë lejuar për procesin e aplikimit, sepse vendimi i mëparshëm që i mbeshtëste me diskiminim pozitiv, u shfuqizua kur u miratua tjetri. E gjithë kjo është kthyer në pengesë serioze sepse është ndërprerë zinxhiri që prodhonte çdo vit minimalisht 20 studentë të rinj romë dhe egjiptainë, ndërkohë që 2-3 vitet e fundit ky numër ka pësuar rënie, për të mos thënë që në vitin e fundit ka shkuar 0, -përfundon Sefa.

Një kriter i tillë ka përjashtuar pjesën më të madhe të të rinjve romë dhe egjiptianë. Edhe pse përfundojnë me sakrificë shkollën e mesme, kriteri i mesatares për t’u regjistruar dhe pranuar në universitet, nuk u jep atyre hapësirë që të kenë një dritare të hapur që të aplikojnë për shkollë të lartë.

Më të lexuarat