Çfarë janë proceset paraligjore dhe pse ankohen më shumë qytetarët?

Të fundit

Community Reporters Albania
Community Reporters Albaniahttps://reportersalbania.com
C.R.A është një organizatë jo-fitimprurëse e cila ka qëllim të promovojë gazetarinë qytetare në Shqipëri. Misioni i Community Reporters Albania është të raportojë çështjet sociale të thelluara me natyrë investigative.

Nga Fjona Çela

Qytetarët shqiptarë hasen me problematika të ndryshme në përditshmërinë e tyre. Pjesa dërrmuese e këtyre problemeve kërkon me doemos zgjidhje përmes ligjit. Megjithatë ka shumë qytetarë të cilët nuk kanë mundësi financiare për të përballuar shpenzimet që kërkon një proces gjyqësor apo qoftë edhe konsultimi me profesionistë të fushës së drejtësisë.

Përpara më shumë se dy vitesh ka qenë në funksion Klinika e Ligjit, e cila konsistonte në dhënien e ndihmës ligjore falas për shtresat në nevojë. Pjesa dërrmuese e individëve që merrnin shërbime ligjore falas i përkisnin grupeve në nevojë, shtresave të varfëra apo të margjinalizuara, përfshirë viktimat e dhunës me bazë gjinore, personat që i përkasin pakicave kombëtare etj. Por tashmë Klinika e Ligjit nuk ekziston më si koncept në shoqërinë civile. Më herët ishin funksionale katër Klinika Ligji (dy mbështeteshin nga Ambasada Zvicerane dhe dy të tjera mbështeteshin nga Fondacioni Soros).

Ndërkaq, Klinikat e Ligjit, sipas Ligjit për Ndihmën Juridike, funksionojnë pranë fakulteteve tashmë. Klinikë Ligji ka pranë Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, Fakultetit të Shkencave Politike në Durrës, Fakultetit të Drejtësisë në Shkodër etj. Megjithatë sipas informacioneve, këto Klinika ende nuk janë vënë në funksion. Në bazë të ligjit nuk është parashikuar mundësia që të marrin financime dhe për këtë arsye nuk mund të ofrojnë as shërbim. Sipas ligjit të miratuar këto klinika pranë fakulteteve tashmë ofrojnë vetëm këshillim ligjor, por jo përfaqësim në gjykatë.

Por qytetarë të shumtë kanë nevojë për ndihmë juridike, ndaj lipset prania e personave që kanë njohuri të përgjithshme në fushën e drejtësisë, që ofrojnë shërbime të ndihmës juridike parësore për çështje të thjeshta dhe orientojnë mbi të drejtat e qytetarëve dhe shkeljet e mundshme të tyre, që njihen me termin ‘paraligjori’, një profesion i cili ende nuk është i rregulluar me ligj.

 Ndihmë juridike falas përmes Centre for Legal Empowerment https://cle.al/en/

Pas përfundimit të projektit për Klinikën e Ligjit, ekspertët e fushës së drejtësisë që ofronin shërbim aty, themeluan qendrën CLE, Centre for Legal Empowerment, një organizatë jofitimprurëse që konsiston në dhënien e ndihmës juridike për rastet që kanë nevojë.

Drejtori Ekzekutiv i CLE, avokati Franc Terihati tregon për Community Reporters Albania se cilat janë rastet që ndiqen më së shumti nga Centre for Legal Empowerment.

“Kemi raste që tashmë janë në gjykatë apeli. Janë 3 familje nga komuniteti rom që u janë prishur banesat në Selitë që në vitin 2016-2017. I kemi fituar Gjyqet në Shkallë të Parë dhe jemi në Gjykatë të Apelit tani, po presim një vendim të Gjykatës së Apelit për çështjen e dëmshpërblimit. Rast tjetër është ai i Jani Rustemit që ndërroi jetë në komisariat, kemi bërë kallëzimin dhe tani jemi në pritje të një përgjigjeje nga Prokuroria që po bën hetime. Kemi dhe raste të tjera nga komuniteti rom. Njëri prej tyre është në Pogradec tek Guri i Kuq, një rast strehimi që donin t’i nxirrnin nga shtëpia, po ashtu edhe një rast në Elbasan për bonusin e qirasë.” 

Kërkesat dhe çështjet që kërkojnë ndihmë juridike falas janë nga më të ndryshmet, megjithatë jo të gjitha mund të mbulohen nga kjo organizatë.

“Kryesisht punojmë me çështjet që lidhen me komunitetin rom dhe egjiptian, çështjet mjedisore si dhe çështje me stresimin, të drejtat në punë etj. Të gjithë personat është e pamundur t’i ndjekim sepse rastet janë të shumta, por ato raste që vlerësohet se kanë interes publik i përzgjedhim dhe mund të çelim praktika të reja që bëjnë pjesë në fushën e ekspertizës sonë” -shprehet avokati, Franc Terihati.

Disa nga rastet e ndjekura nga CLE

Një nga rastet e ndjekura së fundmi nga CLE ishte ai i datës 1 nëntor, që shënoi një fitore për mjedisin. Organizatat mjedisore dhe ligjore fituan një betejë thelbësore ligjore, duke fituar legjitimitet për të sfiduar vendimet e Këshillit të Ministrave që ulën vlerën e Zonave tona të Mbrojtura. Gjykata Administrative e Apelit ka njohur rolin jetik të 11 organizatave të njohura të shoqërisë civile në këtë çështje. CLE njoftoi se dy vendime kyçe që janë sfiduar ishin VKM nr. 59, datë 26.01.2022 dhe VKM nr. 60, datë 26.1.2022, të cilat kanë implikime të thella për qëndrueshmërinë dhe ruajtjen afatgjatë të Zonave të Mbrojtura të vendit tonë.

Një tjetër rast i datës 7 shtator ishte kur Zyra përmbarimore në Lezhë zbatoi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit të datës 15 qershor 2023 për pezullimin e punimeve për ndërtimin e HEC-it dhe të fabrikës së ujit. Avokatët e CLE-së dhe EcoAlbania arritën që t’i vërtetojnë Gjykatës mundësinë e ardhjes së një dëmi të rëndë dhe të pakthyeshëm për mjedisin dhe interesat ekonomike të 166 banorëve të fshatrave Thirrë, Sang dhe Hebë nga zhvillimi i këtyre projekteve.

Më 26 Korrik punëmarrësve të call centre iu njoh nga gjykata e drejta e shpërblimit me 6 paga për mosrespektimin e ligjit në pushimin kolektiv. CLE dhe Sindikata Kombëtare e Operatorëve Telefonikë, SKOT po vijon me ndjekjen e 11 proceseve gjyqësore për kërkimin e shpërblimit të dëmit për shkak të mosrespektimit të ligjit në procedurën e pushimit kolektiv edhe për punëmarrësit e tjerë.

Një ndër rastet e bujshme ishte edhe vdekja e Jani Rustemaj nga komuniteti rom, për të cilin familjarët protestuan dhe pretenduan se ishte keqtrajtuar në komisariat. Më 2 dhe 5 maj Centre for Legal Empowerment i bëri thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë të hetonin menjëherë rastin e shtetasit J.R., teksa ngritën katër pyetje që kishin nevojë për përgjigje urgjente dhe transparente:

– Cili ka qenë shkaku që Znj. P. R. (nëna e J. R.) është njoftuar mbas 11 ditësh për gjendjen e rëndë shëndetësore të djalit të saj dhe faktit që ai ka qenë shtruar në ambientet e spitalit?

– A i është kryer të paraburgosurit një vizite ekzaminuese dhe interviste mjekësore nga ana e mjekut të IEVP?

– Cili është shkaku i gjendjes së rëndë shëndetësore të paraburgosurit J. R.?

– Cila është arsyeja që familjarët e të paraburgosurit nuk janë informuar ende për shkakun e gjendjes së rëndë shëndetësore të paraburgosurit edhe mbasi kanë kaluar 15-të ditë nga emergjenca shëndetësore dhe shtrimi në ambientet e spitalit të paraburgosurit?

Për këtë ngjaje të rëndë CLE dhe avokatët e saj shprehën shqetësimin për mospasqyrimin në deklaratën për shtyp të datës 02.05.2023, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë të informacionit për fillimin e terapisë zëvendësuese me Metadon gjatë 4 ditëve të fundit për pacientin (gjatë kohës së qëndrimit në Bllokun e Sigurisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë). Ky informacion është bërë i ditur në datë 04.05.2023 nëpërmjet Epikrizës së vendosur në dispozicion nga Spitali Universitar “Nënë Tereza” në Tiranë. “…nga konsulta e toxikologut pacienti kishte 4 ditë që kishte filluar terapinë zëvendësuese me Metadon”. Organizata bëri të ditur se do të vazhdojë ndjekjen e çështjes deri në zbardhjen e plotë të saj.

Vetëm gjatë muajit Shtator avokatët e “Juristi Online” u janë përgjigjur 86 pyetjeve të qytetarëve dhe vijojnë punën për të ofruar ndihmë ligjore.

Më të lexuarat