Nga Fjona Cela
Vitet e fundit flitet gjithnjë e më shumë për largime masive të Shqiptarëve drejt vendeve të Europës dhe jo vetëm. Shifra nga institucione të besueshme e vërtetojnë këtë fenomen, ku vihet re që numri më i lartë i shqiptarëve që duan të emigrojnë është nga grupmoshat e reja. Kjo pasi të rinjtë kërkojnë kushte më të mira jetese, por edhe studimi e punësimi. Pikërisht këto janë edhe shkaqet kryesore që i shtyjnë të kërkojnë në vende të tjera, ato që nuk arritën dot t’i gjenin në atdheun e tyre. Mjafton të hedhim një vështrim në rrugët e çdo qyteti, ku në dyert e bizneseve apo njoftimet e kompanive të ndryshme, nuk mungojnë kërkesat për punëtorë të çdo lloj sektori.
Një ndër sektorët ku vihet re mungesë e theksuar e profesionistëve është edhe shëndetësia. Bluzat e bardha po zgjedhin gjithnjë e më shumë të punojnë e jetojnë në vende jashtë Shqipërisë, ku duket se kanë gjetur kushte më të mira.
Statistikat nga Urdhri i Mjekut për vitin 2022, treguan se janë 150 mjekë nga rreth 350 që diplomohen, të cilët kanë kërkuar certifikatën që dëshmon sjelljen e mirë në punë. Një ndër synimet kryesore të kërkimit të një dokumenti të tillë është aplikimi për t’u larguar nga vendi, edhe pse jo të gjithë ata që e marrin kanë pasur mundësi të largohen.
Po ashtu, statistika të tjera dolën në pah në Kongresin e Mjekëve më 31 mars, ku u mblodhën mjekë shqiptarë nga Europa. Sipas tyre në 5 vitet e fundit, nga Shqipëria vetëm në Gjermani rezulton të kenë emigruar më shumë se 5 mijë bluza të bardha, nga të cilët 1500 mjekë, ndërsa 3500 të tjerë profesionistë të shëndetit nga fusha të ndryshme të sistemit shëndetësor si infermieri, specializantë etj.
E shpërngulur prej shumë vitesh në Gjermani, aty ku ka krijuar familjen dhe ushtron profesionin e mjekes, presidentja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg, tregon se tendenca e largimeve të mjekëve shqiptarë, veçanërisht drejt Gjermanisë, po vjen gjithnjë e në rritje. Kjo ka bërë që të ndihet më së shumti mungesa e specialistëve, por dhe mjekëve të familjes.
“Në 5 vitet e fundit janë larguar më shumë se 1500 mjekë, ku në total bashkë me infermierë dhe punonjës të tjerë të sistemit shëndetësor janë 5000, këto vetëm drejt Gjermanisë. Në të gjitha fushat ka mungesa, edhe në specialitetet e veçanta, por edhe në fushën e mjekut të familjes në kujdesin parësor shëndetësor, ku edhe aty ka mungesa të mëdha”- tregoi Dollenberg për gazetarët në Kongresin e Mjekëve.
E pyetur nga CRA se çfarë “i josh” mjekët e rinj shqiptarë në Gjermani, meqë pjesa dërrmuese e tyre zgjedhin ta ushtrojnë profesionin në këtë vend, Aurora Dollenberg thotë se mjekët dhe infermierët kanë kushte pune dhe specializimi shumë herë më të lehtësuara kur fillojnë të punojnë në Gjermani, krahasuar me Shqipërinë.
“Në Shqipëri pjesa më e madhe e mjekëve të sapodiplomuar janë të detyruar të bëjnë një konkurs specializimi dhe më shumë se gjysma e tyre janë në kuota të lira edhe kur e fitojnë specializimin, që do të thotë që për 3 deri në 5 vite specializim janë të detyruar të punojnë pa pagesë, pra janë punëtorë me 0 kosto. Ndërkohë, mjekët e rinj që vijnë në Gjermani, që në ditën e parë të punësimit të tyre janë njëkohësisht edhe në specializim. Kjo sepse në Gjermani nuk ka punë si mjek pa një specializim shoqërues dhe ata paguhen si një mjek normal, me rroga të cilat shkojnë në vlerat bruto të paktën nga 4000-10.000 euro në varësi të pozicionit që kanë mjekët në spitale në bazë të eksperiencës së punës.
Ndërkohë që për infermierët favoret kryesore janë kushtet e punës shumë herë më të mira. Në Gjermani infermierët kanë një përgjegjësi më të vogël kur bëhet fjalë për rrezikun për jetën, injektimin e medikamenteve të ndryshme etj., pra janë shumë detyra të cilët infermierët në Shqipëri i bëjnë dhe janë përgjegjës për to, ndërkohë që në Gjermani këto detyra bien nën përgjegjësinë e mjekut. Prandaj edhe përsa i përket specializimit, gjatë gjithë kohës së punësimit të tyre ata njëkohëshisht marrin edhe kualifikime shtesë sipas degës për të cilën vendosin, pra infermierë për sallat operatore, infermierë për pjesën paliative, infermierë për shtëpitë e të moshuarve etj., pra ka disa degë specializimi.”
Ndër të tjera ajo liston edhe faktorë të tjerë, të cilat lidhen me politikat lehtësuese të punësimit në këtë sektor, por edhe me pagat shumë herë më të larta.
“Kryesorja që i largon mjekët dhe infermierët të dyja grupet nga Shqipëria, është patjetër rroga, që në Gjermani në rastin e mjekëve është të paktën 5-fish më e lartë dhe te infermierët ngjashëm kemi rroga bruto të cilat lëvizin nga 3000-6000 euro në varësi të kualifikimeve që ata kanë. Nëse do i bënim një renditje sipas statistikave që rezultojnë nga disa studime ndërkombëtare, njëra prej tyre është për për në Shqipëri, një tjetër studim anglez që tregon cilat janë arsyet kryesore të largimit të mjekëve. Në radhë të parë renditet edukimi në vazhim, pra karriera profesionale sepse për mjekët e rinj dhe për infermierët e sapodiplomuar rëndësi kryesore ka që ata të vazhdojnë të specializohen dhe të sigurojnë të paktën një dije profesionale që u siguron rroga gjithnjë e më të larta.
Pastaj janë rrogat patjetër, që në Gjermani siç e thashë në shifra janë disa fish më të larta sesa në Shqipëri.
Faktori tjetër është kryesor për shumë familje të reja. Bëhet fjalë për aspektin social, që shumë mjekë dhe infermierë në vende si Gjermania, ndihen të sigurt në vendin e punës, të mbrojtur nga shteti në raste të gabimeve të paqëllimshme mjekësore, ndërkohë që në Shqipëri nuk ekziston akoma një siguracion i mirëfilltë dhe mbrojtje juridike për profesione mjekësore si mjeku dhe infermieri që bën të mundur që si shteti, ashtu edhe qytetari ose pacienti ta shohin mjekun dhe infermierin si përgjegjës automatikisht në rastet e gabimeve mjekësore. Ndonjëherë merren edhe masa ndëshkuese qoftë në mënyrë publike ose edhe privatisht ku mjekët ose dënohen pa u bërë një gjyq i mirëfilltë, ose nga ana e qytetarëve shihen si shkelës të ligjit ose të shëndetit të tyre, në kohën që në kuadrin e mundësisë për të bërë gabime mjekësore është gjithmonë e mundshme edhe tek profesionistët më të mire. Prandaj dhe shumë mjekë, sidomos të fushave kirurgjikale, të anestezisë etj, ndihen gjithmonë të rrezikuar në Shqipëri që shëndeti i tyre ose dinjiteti i tyre mund të cënohet nga vetë shteti ose nga pacientët sepse nuk kanë një mbrojtje të mirëfilltë ligjore.”-shprehet mjekja Dollenberg.
Ndërkohë Gjermania ofron kushte shumë më të mira edhe nga aspekti social, çka ndikon duke nxitur edhe më shumë largimin e bluzave të bardha.
“Arsye të tjera sociale janë që shumë prej këtyre familjeve kërkojnë një të ardhme më të sigurt për fëmijët e tyre. Vendet europiane si Gjermania, Anglia etj. sigurojnë një rreth social i cili në shumë drejtime është integruar në standardet europiane dhe siguron një të ardhme në aspektin e shkollimit të fëmijëve të tyre, por edhe të ardhmes akademike shumë herë më të sigurt.”-thekson Dollenberg.
Vështirësitë dhe pakënaqësitë në kushtet e punës së mjekëve në Shqipëri, janë pohuar edhe nga studentë të kësaj dege. Egriselda Allushi është specializante në Mjekësi dhe nuk paguhet, ndryshe nga ç’funksionon në vendet e tjera. Për CRA ajo tregon arsyet që sipas saj nxisin studentët e mjekësisë të kërkojnë një të ardhme dhe punësim jashtë vendit, ku rendit si pengesa kyesore nepotizmin dhe mungesën e kushteve.
“Një nga arsyet kryesore që na shqetëson është mungesa e meritokracisë. Gjatë shkollës, madje që në fillim të konkursit për të fituar të drejtën e studimit, përballemi me mungesën e garës sepse fëmijët e shefave, drejtorëve, deputetëve e miqve të tyre zënë përherë vendet që duan, edhe pse shumicën e rasteve nuk i meritojnë. Pastaj gjatë shkollës një student që e ka prindin mjek apo është dikush me post përherë favorizohet. Nuk të lënë të rritesh profesionalisht për shkak të nepotizmit dhe prej ‘trashëgimit’ të postit. Duam të ikim për shkak se ne jemi i vendi i vetëm në Europë që gabimin mjekësor e konsiderojmë ende si neglizhencë mjekësore. Ikim për kushtet e punës, mungesën e mjeteve të punës dhe mungesën e mundësive për t’u zhvilluar profesionalisht, sepse mungon totalisht kërkimi shkencor”- shprehet Egriselda.
Egriselda Allushi është bërë pjesë edhe e protestave të studentëve te mjekësisë, të cilët kundërshtojnë ligjin “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”.
Ligji përcakton se studentët që kanë fituar të drejtën të regjistrohen në vit të parë, përpara regjistrimit do të duhet të nënshkruajnë marrëveshje me MAS, MSHMS dhe UMT, për të punuar në profesionin e mjekut pas përfundimit të studimeve, për një afat 5-vjeçar në institucionet shëndetësore në Shqipëri, si dhe për të tërhequr diplomën vetëm pas përmbushjes së detyrimit për punësim. Ndërsa për studentët aktualë afati i punësimit me detyrim në vend pas studimeve është më i shkurtër, përkatësisht për studentët e vitit të dytë deri në të katërt për 3 vite, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë për 2 vite. Sipas ligjit përcaktohet se studentët që nuk pranojnë të nënshkruajnë marrëveshje, do të paguajnë vlerën e plotë të kostos së studimeve për çdo vit akademik të mbetur. Këto kushtëzime janë kundërshtuar nga pjesa dërrmuese e studentëve të këtij programi.
Egriselda Allushi thotë se ky ligj cënon totalisht të drejtën kushtetuese për arsimim dhe lirinë për të zgjedhur se ku do të jetosh.
“Vendimi i qeverisë për studentët e mjekësisë është gjobë ndaj të rinjve, ose rrini e mos e braktisni vendin, ose paguani gjobën për të dal nga kufiri. Projekt-ligji nuk e ndalon largimin e mjekëve. Nuk do largohen si mjekë të rinj, do largohen pas 5 vitesh si mjekë me eksperiencë, madje kështu u bën nder studentëve. Neni 4 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, ‘Ndalimi i skllavërisë dhe i punës së detyruar’ përcakton se: 1. Askush nuk do të mbahet në skllavëri ose në robëri. 2. Askush nuk do të shtrëngohet të kryejë një punë me dhunë ose të detyruar.
Nuk është e vërtetë që studentët të gjithë duan të largohen, madje 80% e tyre duan të rrijnë në vend, por shteti le të hartojë politika të tilla që t’i mbajë këtu për arsyet që përmenda më lart dhe patjetër kushdo që bie dakort të shkojë ku është nevoja, t’i mbulohen të gjitha kostot e jetesës dhe shpenzimet për të gjitha vitet e studimeve dhe pastaj t’i shërbejë shtetit kudo.” -thekson Allushi.
Sipas studentëve kushtet financiare të vështira, mungesa e kushteve në sistemin shëndetësor, si dhe mungesa e respektit për dinjitetin e punonjësve të shëndetit, janë arsyet kryesore që i shtyjnë ata drejt largimit nga vendi.
Në fakt jo vetëm studentët, por të rinjtë në tërësi po zgjedhin të largohen. Vetëm në 10 vitet e fundit rezulton se janë larguar nga Shqipëria rreth 140 mijë të rinj, ndërsa shqetësues është fakti se po largohen të rinj të arsimuar, ata të cilët mund të jenë forcë punëtore. Sipas Agjencisë së BE-së për Azilin dhe sipas Zyrës Evropiane të Azilantëve, në raport me popullsinë, Shqipëria është e para për azilkërkuesit në BE. Referuar INSTAT, në 1 janar 2021, popullsia e Shqipërisë rezulton 2,83 milionë banorë dhe krahasuar me vitin 2011 është ulur me 2,7 %. Ndërkohë që, po sipas INSTAT, mosha mesatare e popullsisë shqiptare është rritur në 10 vitet e fundit, pra nga 1 janari 2011 në 1 janar 2021, në 38 vjeç”. Fenomeni i largimit të të rinjve nga Shqipëria po kthehet në një trend shqetësues e njëkohësisht të trishtueshëm për të ardhmen e vendit.