Minoriteti rom përballet me një sërë sfidash jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë. Edhe pse janë pakica më e madhe në Europë, romët kanë nevojë për përmirësim të kushteve të jetesës dhe shuarjen e diskriminimit ndaj tyre.
Një projekt për integrimin e romëve në Evropë dhe Shqipëri do të ndezë një dritë jeshile për pjesëtarët e këtij komuniteti. Në lidhje me përmbajtjen e projektit dhe qëllimet e tij, në “Community Voice” ishte i ftuar drejtori i Zyrës së Iniciativave Rome nga “Fondacioni Shoqëria e Hapur”, z.Zeljko Jovanovic.
Sigurisht që planet për integrimin e romëve në Shqipëri dhe Evropë janë afatgjata, megjithatë sipas z. Jovanovic është e vështirë të parashikohet çfarë do të ndodhë për 10 vite, duke marrë parasysh edhe luftërat që po zhvillohen. Megjithatë ai mendon se lufta politike është gjithmonë prezente.
“Unë mendoj se edhe nëse shmangim një luftë të madhe në Evropë brenda kontinentit përveç Ukrainës, lufta do të jetë gjithmonë politike. Politika nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhjet, por me vendime të përditshme që bëjnë qeveritë dhe administrata publike. Ajo çfarë duam të bëjmë është të bashkojmë forcat mes romëve brenda vendit dhe kontinentit, që të ndërtojmë një komunitet me rëndësi politike dhe përmes kësaj përmirësimin e kushteve të popullit tonë në terren”.
Zeljko Jovanovic tregon se projekti për integrimin e romëve në Shqipëri dhe Europë do përqendrohet në tre fusha kryesore.
“Së pari, do i ndihmojmë votuesit tanë të organizohen më mirë para dhe pas zgjedhjeve, pasi shpesh ata shtypen, manipulohen. Partitë politike kërkojnë të marrim votat tona për zgjedhje dhe nuk interesohen më pas zgjedhjeve. Këtë do përpiqemi ta kthejmë aq sa mundemi.
Së dyti, po përpiqemi të përdorim faktin se jemi popullata më e re në Evropë, që është kontinent i plakur dhe padyshim ka probleme me fuqinë punëtore. Nëse Evropa ka nevojë për punëtorë nga pjesë të ndryshme të globit, pse të mos investojë tek qytetarët e saj që janë romët, në arsim, në punësim, në shëndetësi? Pra, edhe ne jemi pjesë e zgjidhjes për mungesën e fuqisë punëtore. Qeveria duhet të investojë në fuqinë punëtore dhe paratë do të kthehen në buxhetin publik.
Dhe së treti është forcimi të identitetit tonë. Në kohën që jetojmë, kur nacionalizmi është më i fortë, mazhoranca sillet si epror për pakicat në vendet e tyre. Kjo është e rrezikshme sepse romët shihen si vartës. Të thuash që je rom sot është çështje guximi, është çështje dinjiteti, është çështje e mirësjelljes njerëzore që mund të jesh i lirë të thuash kush je. Ne duam të investojmë në fushën e artit dhe kulturës, të tregojmë historinë tonë në mënyrë që ta bëjmë të qartë se mitet dhe legjendat për ne nuk na prekin.”
Drejtori i Zyrës së Iniciativave Rome nga “Fondacioni Shoqëria e Hapur” e sheh si sfidë për romët integrimin e tyre në shoqëri, ndaj vë theksin në përfshirjen e pjesëtarëve të këtij komuniteti.
“Fjala kyçe që shumë njerëz nuk e pëlqejnë këto ditë është integrimi. Njerësit e shohin integrimin e romëve sikur të mos jenë pjesë e shoqërisë. Ne duhet të bëhemi pjesë e shoqërisë. Këtu në Shqipëri ka disa plane lokale për integrimin e romëve, për të cilat duhen miliona euro. Këto plane tani kanë skaduar. Ka gjëra për të bërë edhe katër vite të tjera, por ende e njëjta situatë. Do bëhet plani dhe nuk do përfundojë kurrë. Ne po shohim sesi BE-ja ka përdorur fonde shumë më të mëdha në Shqipëri vitet e fundit, po ashtu kishte fonde të BE-së për romët në Bullgari, në Rumani, Hungari etj. Kjo është një gjë e mirë, por qeveritë i lëvizin paratë që ishin planifikuar për romët në diçka tjetër dhe këto para humbasin. Kjo sepse ata e dinë që nëse bëjnë diçka pozitive për romët, njerëzit e tjerë nuk do t’i votojnë në zgjedhjet e ardhshme. Pra, do humbasin votat. Kjo është arsyeja pse ne po shohim aspektin se si ne mund të organizohemi më mirë.”
Z.Zeljko Jovanovic u ndal edhe në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave, duke vënë theksin në identifikimin e pjesëtarevë te komunitetit rom.
“Në Shqipëri po zhvillohet regjistrimi i popullsisë që do të zgjasë deri në mes të nëntorit. Ka shumë probleme që ne kemi identifikuar. Intervistat nuk pyesin romët apo minoritetet e tjera se cilës pakice i përkasin. Ata nuk pyeten dhe kështu as nuk përgjigjen për këtë. E kemi parë këtë edhe në vende të tjera sepse kemi punuar me regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut, në Serbi, në Rumani, Bullgari etj. Kjo është një gjë tipike në zyrat statistikore. Nuk dua ta përgjithësoj edhe për Shqipërinë, por ne e kemi pare, por shumë qëndrime negative dalin nga publiku e administrata ndaj romëve dhe zyrave të statistikave gjithashtu. Pra, për ta, kjo pyetje nga njëra anë nuk është e rëndësishme. Nga ana tjetër, është pjesë e një tendence asimiluese që popullatat në rajon po bëhen më të vogla.”
Drejtori i Zyrës së Iniciativave Rome nga “Fondacioni Shoqëria e Hapur”, z.Zeljko Jovanovic u përcolli mesazhin romëve që mos të stepen për të pranuar identitetin e tyre, por përkundrazi të tregohen të guximshëm dhe krenarë për atë çfarë janë.
“Unë e kuptoj se shumë prej nesh kanë frikë për të thënë se janë Romë, për të shprehur identitetin e tyre publikisht. Ata kanë frikë për shkak të asaj që njerëzit e tjerë mendojnë për ta dhe si do ta përdorë shteti këtë. Por duhet të jemi të guximshëm, të ndihemi të lirë. Mesazhi im veçanërisht për Shqipërinë si vend dhe liderët shqiptarë është se nëse kanë frikë, shumica do të jenë të shtypur për të shprehur identitetin e tyre. Pasi të jenë të lirë për të thënë se kush janë, vetëm atëherë Shqipëria do të jetë një shoqëri e lirë.”