Nga Fjona Cela
Problematikat e ndryshme me të cilat përballen anëtarët e pakicave kombëtare në vendin tonë janë nxjerrë në pah edhe nga opinioni i pestë i BE-së për minoritetet në Shqipëri. Në këtë raport evidentohen një sërë shqetësimesh që vetë anëtarët e minoriteteve i kanë bërë publike, siç janë diskriminimi, mungesa e aksesit në shërbime shëndetësore, mungesa e strehimit, segregimi në institucionet arsimore etj. Nga këto probleme sociale rezulton që më së shumti janë të prekur anëtarët e pakicave rome dhe egjiptiane.
Problemet lindin dhe zhvillohen si pasojë e mungesës së ligjeve, ku Opinioni nxjerr në pah se nuk është miratuar ende akti nënligjor për mbledhjen e të dhënave, i cili përcakton rregullimet për identifikimin zyrtarisht si të tillë të personave që u përkasin pakicave kombëtare.
Një plagë e madhe sociale që ka prekur të gjithë vendin ëhtë padyshim emigracioni, pa lënë pas edhe migrimin e brendshëm drejt kryeqytetit. Shqetësim aktual sipas raportit është edhe trafikimi i qenieve njerëzore, që veçanërisht ka ndikim tek pakicat kombëtare, tek ata që jetojnë në zona të thella, ku shkalla e varfërisë është më e lartë.
“Masa e përfshirjes në Shqipëri e shteteve fqinje dhe shteteve të tjera të interesuara në dhënien e fondeve dhe mbështetjeve të tjera për ‘minoritetet e afërta’ çon në mungesën e pritshmërisë nga ana e personave që u përkasin pakicave kombëtare që qeveria shqiptare do të ofrojë mbështetje për ta, duke i nxitur ata të kërkojnë zgjidhje praktike për të siguruar mbështetje për kulturat dhe gjuhët e tyre të pakicave jashtë vendit. Kjo më pas ushqen një dyshim pabesie ndaj grupeve të pakicave kombëtare nga ana e autoriteteve shqiptare.”-shkruhet në këtë opinion.
Raporti ndalet edhe tek Censi, i cili ishte planifikuar të realizohej gjatë 2020 dhe 2021, e tashmë pritet të bëhet përfundimisht në tetor 2023. Komiteti Këshillimor thekson rëndësinë e Censit dhe qasjes së tij pjesëmarrëse për të siguruar një bazë të dhënash, mbi të cilat autoritetet duhet të vazhdojnë të hartojnë dhe zbatojnë politika të synuara, me kusht që personat që i përkasin pakicave kombëtare të jenë plotësisht të informuar dhe të kenë besim në procesin e censit.
Situata e personave që u përkasin pakicave kombëtare rome dhe egjiptiane
Ngatërrimi i personave që i përkasin pakicave rome dhe egjiptiane si dhe përfshirja e tyre në një pakicë të vetme është gabimi më i shpeshtë që ndodh. Opinioni i BE vëren se sa i përket situatës së personave që janë pjesë e pakicave kombëtare rome dhe egjiptiane, dokumentet e politikave të autoriteteve tentojnë t’i ngatërrojnë dy pakicat së bashku, edhe pse ato njihen në Ligjin për Pakicat Kombëtare si pakica të veçanta kombëtare dhe përfaqësuesit e secilës pakicë përballen me çështje të ngjashme në shtrirje të ndryshme ose pjesërisht me çështje të ndryshme. Ndaj në raport sygjerohet ndarja e të dhënave për të vlerësuar dhe adresuar nevojat e dy pakicave.
Një tjetër problem social për pjesëtarët e këtyre komuniteteve është segregimi. Ky fenomen në fakt është i përhapur si në institucionet arsimore, ashtu edhe në çështjen e strehimit të këtyre minoriteteve. Sa i përket segregimit në shkolla, sipas Opinionit të BE, nevojitet një qasje më e koordinuar dhe sistemike për t’i dhënë fund. Po aq problematike është edhe situata e strehimit të pakicave rome dhe egjiptiane, që është rezultat i diskriminimit të përhapur në tregun privat të qirave, aksesit të pamjaftueshëm në banesat dhe skemat e subvencionimit të qirasë, statusit të parregullt të pronës ku jetojnë personat që u përkasin këtyre pakicave, si dhe rezultat i kërcënimit dhe realitetit në lidhje me dëbimet me forcë. Diskriminimi në tregun e punës gjithashtu ndikon negativisht tek personat që i përkasin minoriteteve rome dhe egjiptiane. Aksesi në kujdesin shëndetësor për personat, veçanërisht gratë, që u përkasin pakicave rome dhe egjiptiane është gjithashtu shqetësues, përsëri me diskriminimin që raportohet si faktor në kontaktet me profesionistët e kujdesit shëndetësor, por gjithashtu edhe aksesi në qendrat shëndetësore dhe klinikat, një shqetësim i raportuar për ata që jetojnë në vende të thella ose në komunitete të izoluara. Boshllëqet në mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi, përfshirë trafikimin dhe abuzimin janë shqetësuese.
Sa i përket pragut se 20% e popullsisë së një bashkie duhet të jetë deklaruar se i përket një pakice kombëtare, ekziston një mungesë e plotë e të dhënave të besueshme për këtë çështje, çka ngre pikëpyetje si do të llogaritet dhe si do të zbatohet në praktikë ky prag. Fatkeqësisht, në situatën aktuale qasja në të drejtat e pakicave mbetet de facto e kufizuar në tri bashki dhe me një bashki tjetër që tani ofron arsim në gjuhët e pakicave.
Po pjesëmarrja politike?
Pjesëmarrja politike e pakicave kombëtare mbetet në nivele të ulëta. Më shqetësuse sitauat në këtë aspekt është për pakicat rome dhe egjiptianë, ku thuajse mungojnë përfaqësues politikë nga këto minoritete.
Opinioni i BE-së vlerëson se personat që u përkasin pakicave kombëtare kanë mundësi të pakta të marrin pjesë në vendimmarrje në nivel kombëtar, pra në parlament. Ndërsa në nivel lokal, ka përfaqësues të pakicave në bashkitë ku grekët dhe maqedonasit përbëjnë shumicën absolute të banorëve. Sa i përket pjesëtarëve të pakicave rome dhe egjiptiane, ata mungojnë në nivel kombëtar të vendimmarrjes dhe pakë vetëm disa përfaqësues në nivel lokal.
Çfarë rekomandon Opinioni i Komitetit Këshillimor?
Rekomandimet e Opinionit të BE-së përfshijnë të gjitha problematikat e pakicave kombëtare, që nga censi, segregimi, diskriminimi, problemet me strehimin, arsimin, mungesën e aksesit ën shërbimet shëndetësore etj.
Konkretisht Komiteti Këshillimor u kërkon autoriteteve të ndërmarrin përpjekje konkrete dhe të qëndrueshme me personat që u përkasin pakicave kombëtare për të krijuar besim në procesin e censit, të sigurojnë që legjislacioni dytësor që përcakton procedurat për mbledhjen e të dhënave për identifikimin e personave që u përkasin pakicave kombëtare të miratohet pa vonesa të mëtejshme. Gjithashtu Komiteti Këshillimor rekomandon ndërmarrjen e veprimeve të vendosura për të integruar minoritetet në shkolla të prekura realisht nga segregimi, të vlerësojnë nivelin e kërkesës për arsimin në gjuhën e pakicave si dhe zbatimin e pragut 20% të pranisë në një bashki.
Në rekomandim përfshihet qasja në strehim të mjaftueshëm për romët, nxitja e barazisë në lidhje me personat që u përkasin pakicave kombëtare, veçanërisht pakicat rome dhe egjiptiane, kryesisht në fushën e arsimit, strehimit, punësimit dhe kujdesit shëndetësor. Gjithashtu rekomandohet për autoritetet të shtojnë përpjekjet për të ofruar akses efektiv në shërbimet e kujdesit shëndetësor për personat që u përkasin pakicave rome dhe egjiptiane, duke përfshirë shërbimet e kujdesit shëndetësor seksual dhe riprodhues. Opinioni i BE-së u bën thirrje autoriteteve të rrisin ndërgjegjësimin për mbrojtjen ligjore nga gjuha e urrejtjes dhe krimet e urrejtjes.