Pikat e errta të rindërtimit në Durrës, pse po humbasin shpresën banorët për shtëpitë e shembura

Të fundit

Jeta Pera
Jeta Pera
Jeta Pera ka studiur për Gjeografi në Universitetin e Tiranës, prej disa vitesh është aktiviste për të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian në Shqipëri.

Pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit 2019 ende janë prezente në vendet ku pati më tepër dëmtime. Megjithëse  rindërtimi duket se po ecën me ritme të shpejta në zonat urbane, zonat rurale ende janë në pritje të këtij procesi. Aktivistë romë dhe egjiptianë kanë identifikuar dy zona në bashkitë Durrës dhe Sukth, ku  familjet janë ende të paqartë për statusin e banesave të tyre dhe ende janë në pritje të ndërhyrjes nga shteti.

Në zonën e quajtur Kullë, pjesë e bashkisë Sukth, janë 40 familje të cilat presin të fillojë procesi i rindërtimit dhe aktualisht po mbësheten përmes programit të strehimit Bonus Qiraje. Banorët e kësaj zone tregojnë se banesat e tyre u shembën pasi u klasifikuan të dëmtura  në klasën DS4 dhe DS5 si të pabanueshme. Prej rreth 2 viti e gjysëm jetojnë të shpërndarë në zonë në banesa me qira, duke  ndryshuar rrjedhën normale të jetës dhe duke u hasur me vështirësi në marrjen e shërbimeve për shkak të distancës së largët me institucionet shëndetësore dhe ato arsimore.

Zona tjetër me banorë konfuzë rreth fatit të banesës së tyre është zona e quajtur “Çezma e Ferrës” në njësinë administrative nr 7 në bashkinë Durrës. Në këtë zonë jetojnë 20 familje të minoritetit egjiptian dhe maxhorancës, banesat e të cilëve janë të dëmtuar në shkallën DS3 dhe janë në pritje të rikonstruksionit. Romina Sefa, aktiviste në kontakt me familjet, tregon se këto të fundit nuk kanë marrë mbështetje për të rregulluar dëmtimet e shkaktuara në banesë. Banorët  kanë aplikuar për të përfituar nga grantet e rindërtimit por nuk kanë kaluar një proces të mirëfillte konsultimi dhe nuk janë të informuar për ndërhyrjet që pritet të bëhen nga institucionet shtetërore.

“ Banorët në zonat ku ne jemi duke ndërhyrë për të shtyrë procesin e rindërtimit dhe të ndihmojmë banorët të qartësojnë statusin ligjor të banesës dhe përfitimin që duhet të marrin, shohim se banorët janë të paqartë dhe të painformuar për procesin e rindërtimit. Kemi hasur raste ku ka banorë që nuk kanë përfituar as nga bonusi i qirasë. Nga ana tjetër procesi i vonuar i rindërtimit nuk po ndihmon këta banorë të rikthehen jetës normale, pasi edhe shënrbimet i kanë në distancë për shkak se kanë gjetur banesë më qira larg nga zona ku kanë jetuar më parë”, sqaron Romina Sefa.

Banorët në këto zona kanë pakënaqësi dhe ndihen të lënë në harresë për shkak se jetojnë në zona rurale. Përveç pritjes për të përfituar nga procesi i rindërtimit, në terren hasen raste të cilat janë lënë jashtë përfitimit të bonusit të qirasë. I tillë është rasti i banorit Rasim Shehu dhe banores Blerta Mati në zonën e Kullës.

Rasim Shehu-Banor në fshatin e Kullës, Durrës

“Djali im banonte në këtë pallatin këtu që u prish. Ka shtëpinë e vet, hyrjen e vet me letra. Por vetem 1 muaj i kanë dhënë bonus. E mori në emrin e vet se ne jemi të ndarë me letra në gjendjen civile. Është në certifikatë familje veti i gjashtë. Pyetëm tek bashkia pse nuk vazhdon bonusi i qirasë na thanë që është bllokuar bonusi për ju dhe nuk na dhanë asnjë shpjegim tjetër. Nga situata që u krijua bashkë me familjen iku në Gjermani. Është e padrejtë pasi të tjetër kanë vazhduar të marrin bonus që prej 2 viti që kur ra tërmeti”, tregon për CRA Rasim Shehu.

Blerta Mati-Banore e fshatit Kullë, Durrës

“Unë kam 10 vite që rri në këtë shtëpi por nuk  ekam patur me akt shitje me vëllain tim.  Banesa është në pronësi të vëllait por unë kam 10 vite që jetoj këtu. Vëllai  jeton në Burrel, unë i kam bërë letrat për bonus qeraje por bashkia më thotë që nuk e përfitoj. Unë jam banore e njësisë këtu që prej 10 vitesh. Banesa ku jetoja ndodhej në pallatin që është shembur. Nga akt konstatimi i inxhinierëve pallati u shemb dhe plani është për ndërtim të ri, por unë s’jam duke marrë ndihmë nga shteti dhe nuk e di cfarë do ndodhë me ne. Letrat i ka bërë dhe vëllai po edhe ai nuk e përfiton bonusin sepse pavarësisht see  është pronar i banesës gjendjen civile e ka në Burrel. I thonë që nëse e transformon gjendjen civile mund të përfitojë por ai ka familjen dhe merr shërbimet në Burrel. Që kur ka rënë tërmeti ne jemi akom atë pa sqaruar me situatën dhe cfarë përfitimi do të kemi. Jemi zonë rurale dhe na kanë lënë në harresë”, ndan për CRA  Blerta Mati banore e zonës në Kullë.

Këto raste dëshmojnë për mungesë të procesit të informimit dhe konsultimi mes paleve. Kujtojmë se Departamenti i Auditimit të Institucioneve Qendrore në Kontrollit e Lartë të Shtetit auditoi veprimtarinë e Ministrit të Shtetit për Rindërtimin (MSHR) dhe Komisionit Shtetëror të Rindërtimit (KSHR), për periudhën 10.01.2020-30.04.2021.

Lidhur me ndjekjen dhe zbatimin e detyrave të përcaktuara për Ministrin e Shtetit për Rindërtimin për përballimin e situatës së krijuar nga tërmeti i nëntorit 2019, në përfundim të auditimit u arrit në konkluzionin se, janë shfaqur mangësi në dokumentimin e veprimtarisë së MSHR-së në drejtim të: ndjekjes dhe bashkërendimit të punës për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit; ndjekjes së zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave (të ngarkuara për njësitë e vetëqeverisjes vendore), për trajtimin e shtetasve që kanë humbur familjarët dhe/ose kanë mbetur të pastrehë; ushtrimit të kompetencave në lidhje me raportimin dhe ngarkimin me detyra të strukturave të mbrojtjes civile; bashkërendimit të punës me ministritë dhe institucionet shtetërore për sigurimin e të dhënave të nevojshme në funksion të realizimit të programeve të procesit të rindërtimit.

Më të lexuarat