“Zëri yt është i rëndësishëm”, është ky mesazhi që Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkon të trasmetojnë në ditët e hapura të realizuar në kuadër të projektit “Për mbështetjen e Kuvendit dhe Edukimit Qytetar”.
Një nismë kjo, e cila do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë e do të përfshijë 360 nxënës dhe 18 shkolla të mesme, ku për 18 ditë me radhë gjimnazistë nga shkolla të ndryshme do të takojne anëtarë të parlamentit me qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin e tyre rreth rolit të Kuvendit dhe mekanizmave ligjorë të parashikuar për vënien në lëvizje të Kuvendit. Nëpërmjet këtyre takimeve nxënësit e shkollave të mesme do të kenë mundësinë t’i adresojnë anëtarëve të parlamentit probleme që ata kanë në komunitetin apo qytetin e tyre me qëllim që deputetët ta çojnë zërin e tyre sa më afër Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Në një prej këtyre ditëve të hapura, nxënësit e gjimnazeve “Abdullah Keta” dhe “Sadi Nuri” takuan 4 deputetë të Parlamentit Shqiptar, të cilët janë njëkohësisht edhe anëtarë të grupit të deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, Znj.Ina Zhup, Z.Lavdrim Krrashi, Znj.Eralda Bano, Z.Besian Ajazi. Gjatë takimit, nxënësit e gjimnazit “Abdullah Keta” prezantuan edhe projektligjin që është hartuar në bashkëpunim me KShH per disa amendime në “Ligjin për Vullnetarizmin”.
Nuk munguan as pyetjet e studentëve drejtuar deputetëve rreth agjendave të tyre parlamentare apo sfidave që hasin në punën e tyre.
Ndërkohë deputetët dhanë edhe mesazhet e tyre për studentët si dhe ofruan disa vizione që ata kishin rreth problematikave të adresuara.Gjatë këtij takimi deputetët firmosën edhe zotimet miqësore, “Pinky Promise” një gjest ky, për t’ju treguar studentëve që vëmendja e tyre ndaj rinisë do të jetë gjithmonë në rritje.
